E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore.

  Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 3.12.2009, në orën 11:00, shqyrtoi projektligjin Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore.   Ishin të pranishëm në mbledhje: përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Minevere Rusi,  përfaqësuesit e INSTAT-it: Maldi Dema  dhe Elsa Dhuli, si dhe  këshilltari i  Ministrit të Shtetit,  Sidrit Malevi.   Fillimisht u dëgjua  kryetari i Komisionit,  Jemin Gjana,  i cili është  dhe relatori i komisionit për këtë projekligj.  Ai theksoi se ky projektligj  i rëndësishëm,  është  i vonuar,  prandaj duhen përshpjetuar  procedurat   e shqyrtimit të tij në Kuvend,  me qëllim  vënien e tij sa më shpejt në zbatim.   Bujqësia është sektori mbizotërues  i ekonomisë shqiptare.
Objekti i ligjit është organizimi dhe realizimi i regjistrimit të përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore në Republikën e Shqipërisë.
Projektligji është bazuar në ligjin Për statistikat zyrtare dhe  do të shërbejë  për  përmirësimin e staistikave zyrtare,  në përputhje me standartet e BE-së. Relatori i projektligjit  u shpreh dakort në parim  me projektligjin, por  pati vërejtje  për nene të veçanta të tij.   Më tej, u dëgjuan shpjegimet e përfaqësueses së INSTAT-it, Elsa Dhuli. Ajo theksoi se regjistrimi do të përfshijë të gjitha sipërfaqet e shfrytëzuara bujqësore brenda territorit të Shqipërisë,  duke  përjashtuar tokat e lëna djerrë apo ato jo pjellore. INSTAT-i do të jetë organi kryesor  i ngarkuar  me kryerjen e regjistrimit. Regjistrimi do të kryhet çdo  dhjetë vjet. Vlera  e tij  do të jetë rreth 2.5 milion Euro. Burimet financiare  për realizimin e regjistrimit do të jenë nga  një projekt i BE-së (Për asistencë ligjore), nga Buxheti i Shtetit (për pagesat e   administratës) dhe  nga Projekti SIDA (për  mbështetje teknologjike informatike).   Mbledhja vijoi me pyetjet për specialistët. Pas dëgjimit të përgjigjeve të tyre,  iu la detyrë hartuesve të ligjit të reflektojnë vërejtjet që bënë anëtarët e komisionit  për nene të veçanta. U propozua të  shtohet një nen i veçantë për kushtet që duhet të plotësojnë anketuesit. Të bëhet përcaktimi i penaliteteve, si për anketuesit që vënë të dhëna të rreme, ashtu edhe për  deklaruesit  që japin të dhëna që nuk përputhen  me realitetin. Të përcaktohet si do të veprohet me fermat bujqësore  të cilat, nuk e kanë prezent  pronarin e tyre në momentin e regjistrimit etj.   Shqyrtimi nen për nen i projektligjit do të vijojë në mbledhjen e datës  7.12.2009,  në orën 11:00.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›