Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore me kreun e bordit të ERE tarifat e energjisë elektrike për vitin 2010.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 17.12.2009, në orën 11:00, dëgjoi raportimin e Kryetarit të Bordit të Entit Rregullator për Energjinë për tarifat e energjisë elektrike për vitin 2010.
Ishin të pranishëm në mbledhje: kryetari i Bordit të ERE-s, Bujar Nepravishta dhe Entela Shehaj.
Fillimisht, u dëgjua raportimi i kryetarit të Bordit të ERE-s, Bujar Nepravishta, I cili shpjegoi strukturën aktuale të organizimit të sektorit elektrik në Shqipëri.
Në vitin 2009, tregu i energjisë elektrike përbëhet nga 3 shoqëri aksionere: KESH-i për pjesën e gjenerimit të energjisë elektrike, OST, për pjesën e transmetimit të energjisë elektrike dhe të interkoneksionit të rrjeteve të vendit me ato ndërkombëtare dhe OSSH, për shpërndarjen nga furnizuesit me shumicë tek konsumatorët. Përveç këtyre aktorëve kryesorë, në treg, veprojnë edhe tregtarë të energjisë elektrike, të licensuar nga ERE, që kanë për detyrë të sjellin, të importojnë, ose të eksportojnë energji elektrike, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe furnizuesit e kualifikuar dhe klientët e kualifikuar, të cilët e zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike dhe kanë konsum të madh të energjisë elektrike.
Shqipëria është një vend ku energjia elektrike prodhohet pothuajse nga energjitë e rinovueshme (kryesisht nga hidrocentralet). Kjo strukturë, e bën prodhimin e energjisë të jetë i varur nga moti. Për këtë arsye prodhimi i energjisë në Shqipëri mbetet i varur nga importi. Viti që ka patur importin më të madh të energjisë elektrike ka qënë viti 2007, vit në të cilin kanë qenë çmimet më të larta të energjisë elektrike.
Si pasojë, është krijuar një deficit, megjithëse një pjesë e madhe e këtyre blerjeve është përballuar nga buxheti i shtetit.
Ai shpjegoi edhe parimet e përcaktimit të çmimeve dhe tarifave që zbaton ERE. Përsa i përket politikave tarifore, konsumatorët duhet të jenë në pozicione të barabarta.
Energjia e prodhuar në vend ka një kosto të ulët, si rrjedhim edhe çmimi i kësaj energjie është i ulët. ERE ka përgatitur të gjithë kuadrin ligjor për rritjen e eficencës së shfrytëzimit të kaskadave të hidrocentraleve. Nëse hidricentralet punojnë me kapacitet maksimal, nuk derdhet kot asnjë pikë ujë.
Pas viteve 90, konsumi familjar përbën 50% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Me anë të përcaktimit të tarifave, sipas një pragu 300 KWh, ERE, bën të mundur pakësimin e përdorimit të energjisë për ngrohje. Konsumatorët familjarë kanë një tarifë më të ulët se konsumatorët industrialë. Gjithashtu, është ulur diferenca e tarifave për të stimuluar biznesin. Kosto e prodhimit të energjisë nga TEC-i i Vlorës ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të gjenerimit të energjisë elektrike. Investimet e bëra në këtë sektor kanë ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar në vend. Niveli i humbjeve i konstatuar në dhjetor të vitit 2008 ka qënë 32.7%. OSSH kontraktoi një kompani ndërkombëtare për të verifikuar nivelin e humbjeve. Pas verifikimeve, ata e deklaruan një nivel humbjesh prej 35.7% pra, pra 3% më i lartë për periudhën 2009 - 2014. Mbi këtë bazë ata kërkuan një rritje të tarifave të energjisë elektrike, por ERE insistoi që të pranohet niveli i humbjeve prej 32.7% edhe për vitin 2009. OSSH ka për detyrë të ulë humbjet deri në 15.74% deri në vitin 2014. Me anë të këtyre rezultateve ERE mundësoi uljen e përqindjes së kërkuar nga ÇEZ-i.
Parashikohet që deri në vitin 2012 të liberalizohet edhe tregu familjar. Për industrinë e bukës dhe të miellit, si dhe për konsumatorët familiarë që harxhojnë më pak se 300 KWh, çmimi i energjisë elektrike do të jetë i njëjtë.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe INSTAT-in është përcaktuar fondi i kompensimit për shtresat në nevojë. Në bazë të deklaratës rregullatore ERE ka bërë marrëveshje me ÇEZ-in që, nëse rritja e çmimit të energjisë për një vit të caktuar do të jetë më e lartë se 15%, pjesa mbi këtë prag, do të lihet për vitin në vijim. Rritja e çmimit për këtë vit do të jetë 13%. Situata në të ardhmen është optimiste, sepse do të vihen në punë burimet alternative dhe do të ulen humbjet në rrjet.
U vijua me pyetjet për të ftuarit. Në përfundim të diskutimeve, kryetari i komisionit e falenderoi kryetarin e Bordit të ERE-s për raportimin.