E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese shqyrton projektligjin për aderimin e Shqipërisë në konventën e Roterdamit për kimikatet e rrezikshme

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese mori sot në shqyrtim projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e Roterdamit Për procedurën e miratimit të mëparshëm të njoftuar për disa kimikate dhe pesticide të rrezikshme në tregtinë ndërkombëtare. Gjatë diskutimeve, në prani të specialistëve të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, anëtarët e Komisionit vlerësuan se aderimi i Shqipërisë në këtë konventë është shumë i rëndësishëm, pasi ajo ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga kimikatet e rrezikshme.
Aderimi në këtë konventë bën të mundur sigurimin e informacionit të plotë në lidhje me kimikatet e rrezikshme nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, si dhe përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e shoqërive që tregtojnë këto kimikate, si dhe kushtet e sigurisë për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
Specialistët e Ministrisë vunë në dukje se Konventa nxit palët për përpjekjet në ndarjen e përgjegjësive dhe për bashkëpunim ndërmjet tyre në tregtinë ndërkombëtare të kimikateve të klasifikuara si të rrezikshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njeriut e të mjedisit nga rreziku potencial dhe përdorimin e sigurt mjedisor të këtyre kimikateve. Anëtarët e Komisionit ranë dakord që shqyrtimi i këtij projektligji të vijojë në një nga mbledhjet e ardhshme në prani të specialistëve nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në vijim, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dëgjoi prezantimin e lëvizjes mjedisore BELLS.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›