E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin.

27 prill 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti në një takim të veçantë Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, dhe delegacionin zyrtar që e shoqëronte. Në takim ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës sonë të Lartë, zonja Shpresa Beçaj si dhe Ambasadori kroat në Tiranë, zoti Darko Javorski.

Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, si dhe të sfidave me të cilat ky sistem përballet me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjes së profesionalizmit. Në këtë drejtim, Kreu i shtetit nënvizoi “rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese.”

Përsa u përket “marrëdhënieve shumë të mira politike mes dy vendeve tona dhe zgjerimit e thellimit të tyre edhe nëpër institucionet e tjera nëpërmjet një bashkëpunimi kapilar”, Presidenti Topi vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të vyera mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë, duke vënë në pah se “vizita dhe takime të tilla kontribuojnë për të shkëmbyer mendime e përvoja për modelin e shtetit të së drejtës si dhe për rritjen e cilësisë së punës dhe integritetit të gjykatësve.”

Presidenti Topi theksoi gjithashtu, se institucionet e drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor duhet të zbatojnë parimet e shtetit të së drejtës sipas standardeve më të larta të familjes evropiane si dhe të sigurojnë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre.

Në vijim të bisedës, Presidenti i Republikës e njohu Kreun e Gjykatës së Lartë kroate me zhvillimet më aktuale në Shqipëri për realizimin e reformave integruese të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe vlerësoi përvojën e arritur deri më tani nga shteti kroat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve tona në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe kontributin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe japin për qëndrueshmërinë, paqen dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, falenderoi Presidentin Topi për pritjen dhe përshkrimin e detajuar të bërë për situatën në vend dhe përpjekjet e reformat integruese të ndërmarra me sukses, sidomos përsa u përket reformave dhe zhvillimeve më të fundit në fushën e drejtësisë. Zoti Hrvatin shprehu kënaqësinë që, mes Kroacisë dhe Shqipërisë, bashkëpunimi është mjaft i frytshëm edhe në fushën e gjyqësorit, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim do të vijojë me sukses edhe në të ardhmen dhe duke e ilustruar këtë me një bashkëpunimin më të ngushtë mes Këshilleve të Larta të Drejtësisë së dy vendeve respektive. Në këtë kuadër Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë “vlerësoi rolin dhe angazhimin e Presidentit Topi e njëkohësisht edhe Kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbrojtje dhe konsolidimin të pushtetit gjyqësor.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›