E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për reformën, Topalli: Duhet punë me standarte

Dy javë pas votimit në Kuvend është mbledhur sot për herë të parë komisioni ad hok për reformën zgjedhore.
 

Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se refoma zgjedhore është një akt politik dhe kërkon angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë antarëve të komisionit.
 

“Kam besim dhe shpresoj thellësisht se ky gur prove për çdo parti politike do jetë moment reflektimi për të arritur kompromise në funksion të standardeve perfekte të reformës. Secili prej përfaqësuesve të partive janë në provë”- tha ajo.

Sipas Topallit, reforma duhet të jetë e gjithanshme, e thellë, e standarteve dhe interesave të së ardhmes dhe jo të interesave të ndonjë partie politike.
 

“Besoj se ju do i qëndroni interesit të vendit. Duke uruar që kjo punë të jetë e suksesshme ju vë në dijeni se administrata e Kuvendit është në dispozicionin tuaj, qoftë nga mbështetja njerëzore, qoftë financiare”- theksoi ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se janë përgatitur edhe letrat të cilat do t`i dërgohen OSBE-së dhe Komisionit të Venecias për asistencën dhe mbështetjen e tyre për reformën zgjedhore.
 

“Kësaj radhe refoma duhet të jetë përfundimtare dhe të plotësojë çdo boshllëk që ka pasur dhe të krijohet një reformë me standarte” ka shtuar Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›