KiE mesazh politikës: Mos bëni të dështojë konsensusi
Në vigjilje të konstituimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, faktori ndërkombëtar i jep “zemër” forcave politike në vend që ta shfrytëzojnë konsensusin e arritur ditët e fundit, për të realizuar sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ka qenë zëvendëspresidentit i Asamblesë së Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon, ai që ka përcjellë dje mesazhin për nevojën e mirëkuptimit të palëve edhe për çështjen e reformës zgjedhore. Duke dalë dje nga zyra e kryeparlamentares Jozefina Topalli, me të cilën zhvilloi një takim zyrtar, Jean-Claude Mignon ka këshilluar partitë politike në Shqipëri të mos tërhiqen nga konsensusi i arritur, por të dalin me një draft që të jetë i pranueshëm nga të gjithë. “Këshilla ime për Reformën Zgjedhore është diskutim, kjo është demokracia dhe parlamenti. Është e rëndësishme që nesër palët të arrijnë një draft të pranueshëm për të gjithë”, - tha Jean-Claude Mignon. Ai ka theksuar gjithashtu se do të ishte e pafalshme për politikën shqiptare që konsensusin e arritur me shumë mund, falë edhe ndërhyrjes dhe negocimit të faktorit ndërkombëtar, të mund të prishej apo shkatërrohej tani. Sipas Jean-Claude Mignon, Këshilli i Europës ka punuar shumë që palët të arrinin konsensusin dhe kthimi mbrapa do ishte e dëmshme për demokracinë. “Këshilli i Europës së bashku me Asamblenë e KE-së kanë punuar për arritjen e një konsensusi mes palëve dhe prishja e marrëveshjes tani do të ishte e papranueshme për demokracinë”, - tha zëvendëspresidentit i Asamblesë së Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon. Ndërkohë që në Maj të vitit të ardhshëm, Shqipëria merr Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ndaj prioritetet e kësaj presidence dhe bashkëpunimi mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ishin tema kryesore e bisedës mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe Jean-Claude Mignon. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, mësohet se kryeparlamentarja shprehu kënaqësinë që Presidenca e Shqipërisë, pas 17 vitesh anëtarësimi, përkon edhe me vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Duke shprehur kënaqësinë për mundësitë e reja të bashkëpunimit, Mignon shprehu bindjen se Presidenca e Shqipërisë do të jetë një presidencë dinamike, aktive dhe ambicioze. Biseda u ndal në prioritet e Presidencës shqiptare, si pjesë e Platformës së kryesive të Trojkës së Komitetit të Ministrave, duke u fokusuar në: Reformën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut; Forcimin e demokracisë lokale; Dialogun ndërkulturor, edukimi ndaj tolerancës, sfidat e të jetuarit së bashku.