Vdekja e Leka Zogut, Berisha: E shtuna ditë zie
Pretendentit të fronit mbretëror Leka Zogu I do t`i bëhen të gjitha nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë ndërsa dita e shtunë është shpallur ditë zie në të gjithë vendin.
Kështu është shprehur kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë ndërsa shtoi se për përgatitjet për ceremonë mortore të Leka Zogu I do të ngrihet edhe një komisionin shtetëror i kryesuar ngaZV.kryeministri Edmond Haxhinasto ndërsa në përbërje do të jenë edhe ministri i kulturës Aldo Bumçi dhe ministri i mbrojtjes Arben Imami.
Ndërsa e ka cilësuar vdekjen e Leka Zogur si një humbje të madhe për kombin, kryeministri Berisha theksoi se edhe pse ai u largua foshnje nga Shqipëria u rrit me dashurinë e pakufijshme për vendin dhe kombin.
“Mbreti Leka në të gjithë jetën e tij në mërgim ishte një mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe ishte frymëzuesi i tyre në këtë betejë” ka theksuar Berisha.
Ndërsa kujtoi edhe ligjin që u miratua në parlament në vitin 2003 ku familjes mbretërore iu atribuan të gjitha të drejtat, kryeministri Berisha tha se ky ishte një vendim i drejtë.
“Në ligjin e Parlamentit përcaktohet detyrimi i përfshirjes në protokollin shtetëror të familjes mbretërore dhe ky ka qenë shumë i drejtë, ndaj dhe vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka I me nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë”- shtoi më tej Berisha.