Statusi, Shqipëria duhet të hartojë planin e veprimit brenda javës
TIRANË Zhvillimet e fundit politike kanë qenë në qendër të takimit përgatitor të delegacionit europarlamentar për Ballkanin, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillohet në datat 8-9 dhjetor në Tiranë. Në këtë takim misioni diplomatik shqiptar pranë BE-së dhe Komisioni Europian vlerësuan angazhimin e forcave kryesore politike për reformën zgjedhore, atë parlamentare, si dhe miratimin e disa ligjeve me shumicë të cilësuar. Duke iu referuar një raporti të hollësishëm të “TCH”, në kuadër të angazhimit të dhënë nga autoritetet shqiptare për rezultate konkrete përpara marsit 2012, përfaqësuesit e Komisionit Europian kanë insistuar që plani i aksionit për 12 prioritetet kyçe të finalizohet, mundësisht, brenda kësaj jave. "Është ekstremisht e rëndësishme që plani i aksionit të finalizohet sa më shpejt, të freskohet sa më shpejt me përcaktime dhe afate kohore realiste, në mënyrë të tillë që Shqipëria të ketë më pas mundësisht një periudhë më të gjatë kohe për zbatimin e tij. Për mua, nëse do të ishte e mundshme, ky plan aksioni do të ishte mirë që të rifreskohej dhe finalizohej këtë javë, në ditët në vijim do të ishte më mirë sesa më vonë, por sigurisht ata mund të marrin kohën fizike të nevojshme për rifreskimin dhe për t'u siguruar se ky plan është gjithëpërfshirës",- tha Vassilis Maragos, zv.shef i Njësisë për Shqipërinë në KE. Takimi i 4-t ndërparlamentar PE-Shqipëri kësaj radhe do të zgjasë vetëm 1 ditë dhe kreu i delegacionit, Eduard Kukan, shpreson që të arrihet marrëveshje për një deklaratë të përbashkët me rekomandimet përkatëse. Ndërsa ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së, Mimoza Halimi, deklaroi dje se vendi ynë pret që Këshilli i Dhjetorit të reflektojë realitetet e reja në terren, të mbështesë dhe inkurajojë më tej Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, të identifikuara në Opinion.