E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfaqësimi i grave, KQZ diskuton sot për gjobat ndaj partive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të marrë në diskutim projektvendimin e administratës së vet me anë të të cilit propozohen gjoba të majme për 53 parti politike që morën pjesë në zgjedhjet e 8 Majit. Bëhet fjalë për të gjitha ato parti të cilat në zgjedhjet e shkuara nuk respektuan ligjin përsa i përket përfaqësimit me 30 për qind në listat e këshilltarëve me kandidate femra. Partia Socialiste është subjekti zgjedhor që në zgjedhjet e 8 Majit rezulton të ketë respektuar më pak se çdo forcë tjetër politike kriterin gjinor për listat e kandidatëve për këshillat komunal dhe bashkiak. Bëhet fjalë për plot 242 njësi, ku PS rezulton të mos ketë përmbushur këtë kriter dhe për rrjedhojë nga përllogaritja e bërë, ku për çdo njësi dënohesh me 300 mijë lekë, kjo forcë politike duhet të paguajë 7.2 milionë lekë të reja. E dyta në radhë vjen Lëvizja Socialiste për Integrim, me 212 njësi dhe me një vlerë gjobe prej 6.3 milionë lekë të reja. E treta renditet PBDNJ me 163 njësi shkelje dhe me vlerë gjobe 4.9 milionë lekë të reja. Më pas në radhë është Partia Demokratike me 153 njësi me shkelje dhe me një vlerë gjobe prej afro 4.6 milionë lekë të reja. Pastaj vijnë me radhë PSD me 4.3 milionë lekë gjobë, PLL me 3.3, PDS 3.2 milionë, PDK me 2.9 etj. Në total, duke mbledhur të gjitha gjobat që kanë marrë të 53 subjektet që janë gjetur në shkelje, KQZ pritet të vjelë një shumë gjobe prej 72 milionë lekësh të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›