Rritja e korrupsionit, opozita lum akuzash ndaj qeverisë
Shaban Sulçe
Rezultatet e sondazhit të USIAD-it dhe IDRA-s për rritjen e nivelit të lartë të korrupsionit në Shqipëri ka qenë dje një nga çështjet më të debatueshme të politikës shqiptare. Opozita ka fajësuar kryeministrin Berisha jo vetëm se ka qenë i paaftë për të luftuar korrupsionin, por edhe se ka qenë inkurajues, mbështetës dhe përfitues nga ky fenomen. Kryetari i PS-së, Edi Rama, kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, kanë akuzuar kryeministrin si shkaktarin e rritjes së nivelit të korrupsionit në Shqipëri, ndërkohë që po dje kreu i LSI-së kërkoi dorëheqjen e Berishës. Rritja e korrupsionit është pranuar edhe nga deputetë të Partisë Demokratike, të cilët gjithsesi janë justifikuar me domosdoshmërinë e kufizimit të imunitetit, edhe pse në Shqipëri një përqindje shumë e vogël personazh e gëzojnë atë, ndërkohë që ky fenomen është mjaft i përhapur.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu gatishmërinë e PS-së për të kontribuar në luftën ndaj korrupsionit, por ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se kanë thelluar dhe nxitur edhe më tej këtë fenomen. “Ritheksojmë se përgjegjësia kryesore për këtë rritje të rrezikshme galopante të ndikimit të korrupsionit në sjelljen e shtetit ndaj qytetarit i takon atyre që qeverisin dhe rinënvizojmë se kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij e kanë mbështetur direkt dhe indirekt korrupsionin, duke u betuar me fjalë kundër tij e duke u bërë, me vepra të dënueshme e mosveprime të pajustifikueshme, sponsori i tij gjeneral. Nën këtë qeveri kanë ndodhur ngjarjet më të rënda me motiv korrupsionin, nga grabitja e fondeve të rrugës Durrës – Kukës, tek ndërhyrja e paligjshme për ndryshimin e kushteve të tenderit të kartave të identitetit në mes të garës, dhe deri tek shpërthimi vullkanik i gangrenës së Gërdecit, ku korrupsioni mori jetë njerëzish, shkatërroi shtëpi, prona e pasuri”, - tha Rama.
Leskaj
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend theksoi se të gjitha të dhënat e sondazhit të USAID-it dhe IDRA-s konfirmojnë se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. “Në fakt ky është regjimi më kleptokrat që ka njohur ky vend, që jo vetëm nuk luftoi korrupsionin po e shtoi atë. Dy muaj më parë kur kam ngritur problemin e nevojës së sistemit antikorrupsion, një koleg ngriti një diskutim kundërshtues mbi këtë çështje, mbas një jave ndodhi Gërdeci që tregoi se në të vërtetë qeveria kishte ngritur një sistem po që ishte sistem korruptimi. Nuk është rastësor fakti që të gjitha raportet edhe ndërkombëtare e konsiderojnë korrupsionin problem serioz për Shqipërinë e vetmja që nuk dëgjon është qeveria. Në fund dy fjalë për transparencën e cila edhe sipas këtij sondazhi rezultoi një dështim tjetër i qeverisë ose një gënjeshtër e madhe e programit qeveritar dhe vet kryeministrit”, - tha Leskaj. Ndërkohë, deputeti socialist, Erion Braçe, tha se qeveria e ka kthyer korrupsionin në mënyrë jetese. “Që qeveria e ka kthyer korrupsionin në mënyrë jetese kjo është e qartë sepse e dëshmoi edhe raporti i publikuar për korrupsionin që në Shqipëri rezulton në rritje. Punët publike janë lënë në duart e kompanive problematike”, - tha Braçe.
Deputetët e PD-së
Deputetët e PD-së deklaruan se për të luftuar korrupsionin është mjaft i rëndësishëm kufizimi i imunitetit të deputetëve. Deputeti Bujar Leskaj kërkoi në Kuvend që Grupi Parlamentar i PD-së të sjellë me urgjencë në Parlament nismën për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. “Besimi i publikut tek politika ka rënë dhe ne duhet të reflektojmë e të japim zgjidhje, duke hartuar një ligj përsa i takon imunitetit. Një ligj i tillë, që do t'i konsideronte deputetët të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët, do t'i përgjigjej zhvillimeve të vendit. Kjo nuk do të cenonte të drejtat tona si deputetë, por do të lartësonte politikën shqiptare”, - tha deputeti Leskaj.
Ndërkohë, deputeti tjetër, Ferdinand Xhaferri, komentoi deklaratën e ambasadorit të SHBA-ve Uithers, duke thënë: ”Diçka tjetër ka kërkuar ambasadori amerikan Xhefri tre vite më parë. Ai bënte një kërkesë të qartë, që politika të ndahet nga krimi. Kurse tre vite më pas, ambasadori Uithers bën thirrje që politika të ndahet nga imuniteti. Pra, shikoni ndryshimin e madh. Ndërsa tre vjet më parë na thoshin ndahuni nga krimi, sot na thonë nuk keni nevojë për mbrojtje, ndahuni nga imuniteti”, - tha Xhaferri.
Deklaratat
Edi Rama
“Ritheksojmë se përgjegjësia kryesore për këtë rritje të rrezikshme galopante të ndikimit të korrupsionit në sjelljen e shtetit ndaj qytetarit i takon atyre që qeverisin dhe rinënvizojmë se kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij e kanë mbështetur direkt dhe indirekt korrupsionin, duke u betuar me fjalë kundër tij e duke u bërë, me vepra të dënueshme e mosveprime të pajustifikueshme, sponsori i tij gjeneral. Nën këtë qeveri kanë ndodhur ngjarjet më të rënda me motiv korrupsionin”.
Ilir Meta
“Rritja e korrupsionit në mënyrë të ndjeshme në vend gjatë dy viteve të fundit, te ne nuk është aspak një surprizë, pasi ka qenë e paralajmëruar prej kohësh që Sali Berisha është kryedemagogu i këtij vendi dhe se flamuri i tij demagogjik i antikorrupsionit që e solli në pushtet është grisur plotësisht dhe për fat të keq në vend të tij, ai mban vetëm flamujt e krimit”.
Valentina Leskaj
“Në fakt ky është regjimi më kleptokrat që ka njohur ky vend, që jo vetëm nuk luftoi korrupsionin po e shtoi atë. Nuk është rastësor fakti që të gjitha raportet edhe ndërkombëtare e konsiderojnë korrupsionin problem serioz për Shqipërinë e vetmja që nuk dëgjon është qeveria”.
Erion Braçe
“Ne sot kemi një ministër të Jashtëm nen hetim penal për shpërdorim detyre e korrupsion. Ne sot kemi një ministër të Mbrojtjes nën hetim për një mal akuzash ngritur sërish nga PROKURORIA. Ne sot kemi një ministër Drejtësie, i cili u dorëhoq pas një përgjimi brenda qeverisë për një tjetër rast intimidimi mes zyrtarësh e familjarësh politikë në tentative për KORRUPSION.
Ne sot kemi një ministër Transporti, ex-ministër i Brendshëm, të cilin e thërrasin dëshmitar nëpër gjyqe ku akuza nuk është me e lehta, por më e rënda, ajo e vrasjes. Në sot kemi një kryeministër me bilancin më tragjik përsa i përket korrupsionit: 26 të vrarë, 300 të plagosur dhe kjo vetëm në një rast. Ne sot nuk kemi një qeveri shërbimi, por një qeveri që e ka kthyer korrupsionin në mënyrë qeverisje dhe mënyrë jetese”.
Bujar Leskaj
“Besimi i publikut te politika ka rënë dhe ne duhet të reflektojmë e të japim zgjidhje duke hartuar një ligj përsa i takon imunitetit. Një ligj i tillë, që do t'i konsideronte deputetët të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët, do t'i përgjigjej zhvillimeve të vendit”.
Ferdinand Xhaferri
“Mesazhi i përcjellë dje nga ambasadori amerikan në Tiranë është shumë i qartë, politika të heqë dorë nga imuniteti, të cilën e ka kërkuar edhe maxhoranca tre vite më parë”.
9 Maj 2008