E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: “Berisha të japë dorëheqjen, shkaktar i mjerimit të vendit”



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka kërkuar dje dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Meta tha se Berisha duhet të largohet nga drejtimi i qeverisë pasi e ka zhytur vendin në korrupsion, varfëri dhe kriminalitet. Kreu i LSI-së theksoi se dorëheqja e Berishës është e vetmja rrugë për të zbardhur të vërtetën e krimit shtetëror të Gërdecit. “Goditja që iu dha Kushtetutës ka filluar tashmë të japë efektet e veta regresive dhe kjo ndihet nga rritja e presionit dhe kërcënimeve të vetë Berishës ndaj Gjyqësorit. Ndaj kërkoj sot përsëri, edhe më fort edhe më me bindje, sa më parë, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të gjithë opozitarëve, dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i kryeministrit, sepse vetëm dorëheqja e tij mund të ndihmojë që drejtësia të funksionojë si e pavarur dhe të hedhë dritë mbi kraterin e errët të korrupsionit të Gërdecit, që u mori jetën shumë shqiptarëve tanë. Sepse vetëm kështu ai nuk mund të përdorë më postin e kryeministrit nga mbrojtja në pushtet e personave drejtues në administratën e tij që janë të pandehur për krime deri në vrasje, si rasti i Sefgjinit dhe gjithë zengjinëve të tjerë. Pa largimin e Berishës, tashmë është e qartë se vendi ynë nuk mund të realizojë dot ato reforma që presin partnerët tanë për integrimin europian, sepse një qeveri e mbytur në korrupsion nuk mund të gjejë forcë, kurajë dhe moral për ta luftuar atë”, - u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së tha se korrupsioni në vend nuk mund të luftohet me demagogjinë dhe paaftësinë e kryeministrit Berisha.
“Rritja e korrupsionit në mënyrë të ndjeshme në vend gjatë dy viteve të fundit te ne nuk është aspak një surprizë, pasi ka qenë e paralajmëruar prej kohësh që Sali Berisha është kryedemagogu i këtij vendi dhe se flamuri i tij demagogjik i antikorrupsionit që e solli në pushtet është grisur plotësisht dhe për fat të keq në vend të tij, ai mban vetëm flamujt e krimit. Të krimit shtetëror të Gërdecit, që po e mbron me imunitetin e tij dhe të gjithë faktorëve të tjerë, të krimit që pengon drejtësinë, duke e sfiduar atë përmes imunitetit që i garanton Berisha Sefgjinit dhe të gjithë zengjinëve të rinj të kësaj administrate përditë e më të korruptuar, të krimit, të shkatërrimit të Kushtetutës, të miratuar nga vetë populli shqiptar, të shkatërrimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së Gjyqësorit”, - deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›