E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujërat pengesë për TAP? Panariti: Do trajtohen të ndara

Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, u ka dhënë fund spekulimeve se marrëveshja e ujërave me Greqinë do të shërbejë si një pengesë kryesore në avancimin e projektit për gazsjellësin TAP.

Në një konferencë për mediat, Panariti u shpreh se këto dy cështje do të trajtohen të pavarura nga njëra-tjetra, ndërsa konfirmoi mbështetjen e dy homologëve grek dhe italian sa i përket projektit Tras-Adriatik, duke i vlerësuar maksimale shanset për arritjen e marrëveshjes mes palëve.
 

Lidhur me cështjen e shumë debatuar, atë të marrëveshjes së ujërave me shtetin grek, Ministri i Jashtëm deklaroi se po punohet nga grupet e punës dhe në momentin e duhur do të bëhet dhe adresimi i cështjes. Lidhur me këtë Panariti shtoi se pikë referuese do të shërbejë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe atij ndërkombëtar do të ketë dhe avancim të këtij procesi.
 

Ndërkaq gjatë ditës së sotme mediat greke theksuan se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP.
 

Sipas tyre një investim i përmasave të tilla mund të kthehej në një shans të mirë që dy vendet që të përmbyllin në kohë marrëveshjen për kufirin detar dhe atë për zonën ekskluzive ekonomike në detin Jon.
 

Mediat greke raportojnë se delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshje trepalëshe, që do t`i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan.

Brenda vitit 2013 konsorciumi që menaxhon rezervat e gazit në Sha Deniz do të vendosë përfundimisht për projektin fitues që do të sjellë gazin në Europë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›