Komiteti i Helsinkit: “Kushtetuesja të shfuqizojë ligjin e pastërtisë së figurave”
Tiranë - Komiteti Shqiptar i Helsinkit dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të Lartë të Administratës Publike dhe të të Zgjedhurve”. Sipas një njoftimi për shtyp, drejtuesit e kësaj organizate shprehen se kanë arritur në përfundimin se ky ligj bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi. Për KSHH-në është e papranueshme që ndarja nga krimet e komunizmit të bëhet duke shkelur në mënyrë flagrante parimet kushtetuese dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës. Sipas KSHH-së, ligji i paraqitur cenon shumë parime kushtetuese, ndër të cilat mund të përmendim: parimin e barazisë para ligjit (Neni 18 i Kushtetutës), parimin e sigurisë juridike, procesin e rregullt ligjor (Neni 42, Pika 2 i Kushtetutës), parimin e ndarjes së pushteteve (Neni 7 i Kushtetutës), parimin e prezumimit të pafajësisë, të drejtën për t’u zgjedhur, parimin e gjësë së gjykuar, etj. Gjithashtu, ligji cenon Nenin 17 të Kushtetutës që bën fjalë për rastet e kufizimit të të drejtave të njeriut për interes publik.
4 Shkurt 2009