Topalli takon senatoren franceze, merr mbështetjen e Francës për integrimin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me senatoren franceze
Joelle Garriaut Maylam, e cila garantoi se Franca do të japë mbështetjen e saj për proceset integruese në Shqipëri. Në këtë takim, senatorja u shpreh se Franca, autoritetet e saj, kanë kënaqësinë ta mbështesin dhe ta ndihmojnë Shqipërinë në përshpejtimin e proceseve integruese. Kryetarja e Kuvendit e falënderoi senatoren për mbështetjen e Francës dhe votën pro Shqipërisë më 16 nëntor, për pranimin e statusit të vendit kandidat në BE. Po ashtu edhe deputetët francezë të Parlamentit Europian për rezolutën, e cila vlerëson arritjet madhore të Shqipërisë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët, me vokacionin dhe mendësinë e tyre perëndimore, janë energjia kryesore integruese. Ajo tha se “ne ndihemi krenarë që bëmë të mundur që ata të jenë qytetarë të NATO-s, të lëvizin vitin e ardhshëm pa viza dhe së shpejti të bëhen edhe qytetarë të Bashkimit Europian, sepse shqiptarët janë europianë”. Kryetarja e Kuvendit dhe senatorja Maylam shprehën bashkërisht interesin për rritjen e shkëmbimeve parlamentare mes Senatit dhe Asamblesë Kombëtare të Francës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
5 Dhjetor 2009