Komiteti i planifikimit Strategjik miraton kuadrin makroekonomik dhe fiskal të viteve 2011-2013

Kryeministri theksoi se kuadri makroekonomik dhe fiskal i viteve 2011-2013 do të përbëjë bazën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tonë për këto vite, si dhe për vitet 2013-2017
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot pasdite mbledhja e Komitetit të Planifikimit Strategjik, e cila mori në shqyrtim dhe miratoi kuadrin makroekonomik dhe fiskal të viteve 2011-2013. Duke marrë fjalën, kryeministri u shpreh se trajtimi i projektit të këtij kuadri është një domosdoshmëri pasi ky kuadër do të përbëjë bazën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tonë për vitet 2011-2013, por më shumë se për këto vite, për vitet 2013-2017.
Duke vlerësuar punën serioze të bërë nga Ministria e Financave, në përgatitjen e kuadrit makroekonomik, kryeministri vuri në dukje se është normale që kriza ekonomike globale, ka patur pasqyrimet dhe ndikimet e veta, por vijoi kryeministri, bursat e mirënjohura botërore japin lajmin e mirë se kjo periudhë e vështirë për ekonominë botërore tashmë po merr fund.
“Mbledhja e Komitetit të Planifikimit Strategjik zhvillohet për të shqyrtuar kuadrin makroekonomik dhe fiskal të viteve 2011-2013. është e domosdoshme që të trajtojmë projektin e kuadrit makroekonomik fiskal për vitet 2011-2013, kuadër ky që do të përbëjë bazën e zhvillimit ekomomik dhe social të vendit për këto vite,por më shumë se për këto vite, për vitet 2013-2017.
Ministria e Financave ka bërë një punë serioze në përgatitjen e këtij kuadri. Natyrisht në përllogaritjen e tij, kriza ekonomike globale ka patur pasqyrimet dhe ndikimet e veta, çka është normale, por lajmet entuziaste të bursave të mëdha të metropoleve perëndimore dhe aziatike japin shumë shanse, për të besuar se parashikimet e kujdesshme të ministrisë sonë të financave dhe të kësaj qeverie do të mund të avancohen, sepse e vërteta është që më datën 3 janar, bursat e botës ngjanë me sirenat që lajmëruan ndarjen nga një periudhë jo shumë e thjeshtë. Urojmë që të jetë kështu”
07/01/2010