E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti per Integrimin Heqja e vizave pati sukses nuk ka azilkerkues nga Shqiperia

“Nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave.

Ky është një zhvillim shumë pozitiv, dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së Shengenit”.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin.

Sipas tij, ”ne duhet të vazhdojmë intensivisht informimin e publikut me të gjitha aspektet e procesit, sikundër duhet të vazhdojmë konsolidimin një për një të kërkesave të Udhërrëfyesit, të cilat në tërësinë e tyre veçse e bëjnë këtë vend më të sigurt, shtetin ligjor më funksional”.

“Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të ecin drejt BE, si një shoqëri dhe një vend i shtetit ligjor, i funksionimit të tij, si kusht i të gjitha kushteve, si kushti më themelor i kritereve të Kopenhagenit.

Rezultati i ngushtë në bashkinë e Tiranës është edhe testi më i madh për shtetin ligjor.

Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor.

Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj të kuptojë se jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë”, tha më pas ai.

Komiteti Ndërministror për Integrimin diskutoi sot, me propozim të kryeministrit Berisha, mbi dy çështje të rëndësishme: Raportin e Komisionit Europian mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian.

Lidhur me çështjen e parë, kryeministri duke sjellë konkluzionet e Raportit të KE-së se Shqipëria është në parametrat më optimalë, nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, u shpreh se ky zhvillim shumë pozitiv është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të vendeve të zonës së Shengenit.

Pavarësisht këtyre konstatimeve pozitive, kryeministri kërkoi jo eufori, por konsolidimin e çdo kërkese të Udhërrëfyesit.

Ai i kërkoi gjithashtu, ministrit të Brendshëm vazhdimin e informimit të publikut nëpërmjet spoteve televizive, për të gjitha aspektet e këtij procesi, duke vënë theksin se zgjatja e qëndrimit tej afatit të parashikuar nuk ka asnjë avantazh financiar.

Çështja e dytë që KNI mori në shqyrtim ishte Plani i Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian.

Lidhur me këtë, kryeministri Berisha tha se që nga 31 janari kur projekti me punën e bërë për zbatimin e këtyre rekomandimeve iu dorëzua KE-së, janë organzuar konsultime me KE-në, takime me grupet e interesit, agjencitë përkatëse dhe shoqërinë civile.

“Komisioni Evropian me një angazhim ka ndjekur dhe ndjek zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Këto zgjedhje, siç janë vlerësuar ishin zgjedhje që nderuan garën, objektive dhe transparente.

Në të gjithë Shqipërinë, në 384 bashki, minibashki dhe komuna, kundërshtitë kanë qenë më të vogla se kurrë në historinë e këtij vendi.

Në demokracitë e Evropës dhe botës ka ligje nga më të ndryshmet për zgjedhjet, asnjë nuk është identik me tjetrin, por ato japin zgjedhje demokratike, kur këto ligje funksionojnë, zbatohen, natyrisht brenda standardeve.

Kështu që ne u pozicionuam për një zgjidhje të shtetit ligjor. Zgjidhja e shtetit ligjor po ecën. Ne nuk mund të konceptonim dhe nuk konceptojmë kurrë, që të mos numërojmë çdo votë.

Kjo duhet të jetë dhe është çështje ndërgjegje për çdo njeri që i beson lirisë dhe vlerave të saj.

Për çdo forcë politike dhe politikan, në rast se qytetari shqiptar nuk ka të garantuar numërimin e çdo vote, pastaj çdo alternativë tjetër ogurzezë, është staliniste “votoni ju, se numëroj unë dhe pastaj unë numëroj ashtu siç dua”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›