Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Autoritetet shqiptare të ndërpresin përndjekjen e gazetës “TemA
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve iu bën thirrje autoriteteve shqiptare të ndërpresin përndjekjen e gazetës “TemA”, të lejojnë gazetarin Mero Baze të kthehet përsëri në ndërtesë, dhe të mos pengojë gazetarët të bëjnë punën e tyre.
Nina Ognianova, drejtuese e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore, i tha sot Zërit të Amerikës, se mënyrat si janë zhvilluar ngjarjet me gazetën “TemA” ngrenë pikëpyetje serioze dhe kërkojnë hetime të hollësishme dhe transparente. Pothuajse menjëherë pasi zoti Baze filloi botimin e një serie artikujsh kritikë, në të cilët ngrinte akuza për korrupsion në qeverinë e kryeministrit Berisha, kryeministri i kërkoi atij të largohej nga mjediset e një ndërtese qeveritare që i ishte dhënë më parë me qira nga qeveria.
Një javë pas këtij urdhri, zotit Baze i shpërthen makina, ngjarje për të cilën policia tha se ishte aksidentale dhe rezultat i një qarku të shkurtër në makinë, ndërsa tani policia ka hyrë në mjediset e gazetës, duke u përpjekur ta nxjerrë gazetarin jashtë. “Këto ngjarje janë patjetër shqetësuese, - thotë zonja Ognianova, - dhe po pengojnë botimin e gazetës dhe rrjedhimisht po pengojnë përhapjen e informacionit në audiencën shqiptare.”
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju-Jork iu bën thirrje autoriteteve ta lejojnë gazetarin të kthehet përsëri në ndërtesë, të ndërpresin përndjekjen e gazetës dhe të mos pengojë gazetarët të bëjnë punën e tyre. Në vend që autoritetet të bëjnë gjithë këto përpjekje për të ndërprerë punën e gazetës, thekson Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ato duhet patjetër të hetojnë incidentin e shpërthimit të makinës së zotit Baze.