E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, gardh policësh te gazeta “TemA”, gazetarët në protestë

Nga Voice of America

Në Shqipëri shoqatat e gazetarëve organizuan një protestë, pasi policia ndaloi gazetarët e gazetës “TemA” të hyjnë në ambientet e tyre. Ata kërkuan që policia të lejojë veprimtarinë normale të reporterëve të gazetës “TemA”, pasi ai bazohet dhe në një vendim gjykate në lidhje me kontratën e prishur për mjediset e saj. Gazetarët protestues u shprehën se kjo masë ndaj gazetës “TemA” është motivuar politikisht dhe ka ardhur si pasojë e shkrimeve që kjo gazetë ka botuar për korrupsionin.

Një grup gazetarësh të shtypit të shkruar, drejtues të medies së shkruar dhe radiotelevizive, zhvilluan sot një protestë përpara mjediseve të gazetës “TemA” dhe shtypshkronjës së saj për të protestuar ndaj urdhrit të policisë, për të marrë në mbrojtje këtë objekt.

Andrea Stefani: Mendoj se historia është e vjetër, s’ka asgjë të re. Detyrohemi të mblidhemi në mbrojtje të fjalës së lirë, sepse kemi po ata politikanë që e kanë luftuar fjalën e lirë sa herë ajo denoncon korrupsionin e tyre. Kemi të njëjtin Sali Berishë që këtë gjë bëri me gazetën “Koha Jonë” vite më parë dhe të njëjtën gjë po bën me gazetën “TemA”.

Ilir Babaramo: Kjo të kujton skenat që ndodhin në Rusi, që ndodhin në shtetin e Putinit. Kjo është një hakmarrje primitive, nuk ka fare racionalitet, nuk ka fare arsye, se në çfarëdo rrethane ajo gazetë do dalë sërish. Sali Berisha duhet ta ketë parasysh se një gazetë mund ta mbyllësh për dy-tri ditë, por nuk mund ta shkëputësh nga tregu.

Arban Hasani: Gazeta “TemA” periudhën e fundit ka qenë shumë kritike me kryeministrin Berisha dhe të gjitha politikat qeverisëse të tij.

Konflikti në lidhje me këtë çështje vazhdon, ndërsa puna e gazetës ‘TemA’ dhe redaksisë së saj është vështirësuar së tepërmi, jo vetëm se ata nuk mund të hyjnë dot në ambientet e saj, por e kanë thuajse të pamundur të zhvendosin shtypshkronjën në një ambient tjetër.

Pra, gazeta “TemA” rrezikon që nga dita e nesërme (sot) të mos dalë më. Policia ka rrethuar objektin ku botohet gazeta, pas vendimit të qeverisë në dhjetor që e shpall objektin të rëndësisë së veçantë dhe e ndërpret kontratën në mënyrë të njëanshme. Botuesi i gazetës “TemA” iu drejtua gjykatës, e cila vendosi të pezullojë urdhrin e ministrisë. Policia ka hyrë mbrëmë dhe e ka vënë objektin nën kontrollin e saj.

Intervista/ Mero Baze: Padi penale në prokurori për drejtuesit e policisë

Zoti Baze, në kohën që qeveria e shpalli zonën objekt të rëndësisë së veçantë, pse nuk ju bindët ju këtij urdhri?


Problemi është se qeveria mori vendim për ta shpallur objekt të rëndësisë së veçantë një vit pasi kishim hyrë në ambientet e kësaj godinë, me një kontratë investimesh jo me një kontratë qiraje, ku qeveria më detyronte që brenda vitit të parë të investoja pesëqind mijë euro, me qëllim që të rrinim aty 20 vjet dhe të punësonim një numër të caktuar njerëzish. Vendimi për ta shpallur objekt të rëndësisë së veçantë erdhi pasi u mor vendimi për kartat e identitetit, sepse në jemi vendosur aty që më përpara se të kishim një konflikt real me qeverinë.

Zoti Baze, juve ju bë ndonjë propozim nga qeveria, sepse ju keni investuar aty 500 mijë euro, sikur thatë?


Jo nuk kemi pasur asnjë ofertë nga qeveria dhe nuk kemi asnjë komunikim me qeverinë. I vetmi komunikim me qeverinë ka qenë dërgimi i policëve, dhe ne tashmë s’kemi asnjë kontakt fizik me redaksinë. Pra, s’kemi mundësi as të marrim kompjuterët ose sendet personale në redaksi, dhe nuk kemi asnjë alternative tjetër. Duhet ta dini se ambientet ku jemi vendosur s’kanë asnjë lidhje me kartat e identitetit. midis nesh dhe kartave të identitetit janë dhe dy kompani të tjera që lejohen të punojnë, dhe më qesharakja është se dy kompanitë e tjera sot lejoheshin të punojnë, pra lejoheshin të punonin punëtorët në magazina malli etj., etj., dhe nuk lejoheshin të punonin vetëm gazetarët. Pra, Ministria e Brendshme ka shpallur rrezik vetëm gazetarët, ndërkohë që ndërmarrjet e tjera dhe punëtorët e tyre, punëtorë që bëjnë duralumin etj., lejohen të punojnë.

Çfarë qëndrimi do të mbani ju në ditët në vazhdim? A do të vazhdojë të dalë gazeta “TemA”?

Gazeta “TemA” rrezikon të dalë fizikisht për arsye se, siç e thashë, ne nuk kemi kontakt fizik me redaksinë. Aty kemi kompjuterët e faqosjes, kemi arkivat e gazetës. Ne do të nxjerrim një herë një fletëpalosje, prej tetë faqesh në shenjë solidariteti, por ne nuk mund të nxjerrim një gazetë në formatin e zakonshëm. Ne i kemi ezauruar të gjitha mjetet ligjore, kemi fituar gjyqin në Gjykatën e Tiranës, por Sali Berisha ka urdhëruar të mos zbatohet vendimi i gjykatës, ky është problemi i kryeministrit, jo i gazetës.

Ju e keni lidhur tërë këtë ngjarje me akuzat që i keni bërë qeverisë. Ku i bazoni konkretisht këto akuza?

Por është evidente, për shkak se ne nuk kemi hyrë ilegalisht në ato ambiente. Kemi konkurruar në ankand të hapur, kemi investuar dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Kur ne investuam dhe e morëm, dihej se aty do të vendoseshin kartat e identitetit, dhe dihej se ç’do bëhej, e gjitha kjo ndryshoi, që kur ndryshoi politika redaksionale e gazetës, e cila filloi kritikat ndaj qeverisë. Pra, ky është shkaku që po na nxjerrin. Është një hakmarrje për të dëmtuar fizikisht dhe financiarisht gazetën, pasi është shtypshkronja ajo që mban financiarisht gazetën. Është dhe e vetmja gazetë që botohet nga gazetarë në Shqipëri.

Zoti Baze, dua të ndalem pak më shumë për shtypin në Shqipëri. Ka akuza se shtypi i shkruar, por edhe ai viziv, drejtohet në politikën e tij editoriale nga interesat ekonomike të pronarëve. Duke rënë në një pozitë të tillë, a nuk e vë vendin shtypi në një pozitë të dobët dhe të manipulueshme në pavarësinë editoriale?

Është shumë e rëndësishme të ndajmë lirinë e shtypit në Shqipëri nga politikat e pronarëve. Është shumë e vërtetë që shumë pronarë në shtypin shqiptar që vijnë nga industria e ndërtimit, kanë interesa të lidhura ngushtë kryesisht me pozitën. Dhe natyrisht ata janë të ndikuar në politikën e tyre. Ne nuk kemi mbërritur ende të krijojmë një shtyp të pavarur, por në kemi arritur të kemi një liri shtypi. Ne vërtet nuk kemi arritur të kemi gazeta të pavarura, por ne kemi dhjetë gazetarë të pavarur në Shqipëri. Ne kemi njerëz militantë në mendimet e tyre, por, nëse ata ndalohen të flasin në një gazetë, do të gjejnë një gazetë tjetër. Pra, liria e shtypit po punon për të plotësuar veten e saj, për të forcuar autoritetin e gazetarëve, por përpjekja e qeveritarëve, ku të akuzojë shtypin se është në diktatin e pronarëve, është fatkeqësi e madhe, se, nëse ka ndonjë grupim që është pro qeverisë në Shqipëri, janë pronarët, jo gazetarët. Kryeministri e ka keqkuptimin me gazetarët, dhe fut dhe pronarët. E vërteta është krejt ndryshe, pronarët janë me kryeministrin, gazetarët janë ata që kritikojnë qeverinë. Gazeta “TemA” është një gazetë me pronar një gazetar dhe i shtron këto probleme. Gazeta të tjera që nuk vihen në radhën e denoncimit të skandaleve janë gazeta që favorizohen realisht nga kryeministri, marrin orientim nga ai dhe s’kanë asnjëherë probleme.

A keni ndërmend t’i drejtoheni përsëri organeve ligjore në lidhje me investimin?

Natyrisht, janë ngritur një sërë padish në adresë të prokurorisë. Janë ngritur padi për prishjen e kontratës, padi për dëm ekonomik që po shkaktohen ndaj këtij investimi, si dhe do ngremë një padi penale ndaj drejtuesve të policisë që po na pengojnë të ushtrojmë aktivitetin, ndërkohë që ne kemi një vendim gjykate që nuk lejon autoritetet të cenojnë investimin deri në përfundim të çështjes gjyqësore.

Zoti Baze, do i rikthehemi dhe njëherë incidentit që ndodhi natën e Vitit të Ri me makinën tuaj. Deri ku kanë shkuar hetimet në lidhje me këtë çështje?

Më ka thirrur prokuroria tri ditë më parë dhe më ka vënë përpara akt-ekspertizën e nxituar të policisë, e cila thoshte se makina ime nuk ishte djegur nga faktorë atmosferikë, p.sh., nga rrufeja, por është djegur nga një fals kontakt, një ekspertizë qesharake. Prokuroria e hodhi poshtë këtë akt-ekspertizë qesharake dhe ngriti një grup ekspertësh për të gjetur shkakun e zjarrit, dhe më pas për të hetuar për autorët e tyre. Shpresoj se prokuroria do të bëjë një punë serioze, sepse policia ka zhdukur provat nga vendngjarja, pra ka bërë një krim për mënyrën se si ka vepruar në vendin e ngjarjes. Mendoj se një nga drejtuesit e zjarrfikëseve të Tiranës ka qenë i përfshirë në lojën e fshehjes së gjurmëve, pasi janë ata që e dogjën tërësisht makinën dhe shkatërruan të gjitha provat. Por shpresoj se prokuroria së paku do të zbulojë se pari shkakun e zjarrit dhe më pas do e çojë dhe të autorët. E vetmja rrethanë është e qartë, se kryeministri u ndje shumë i gëzuar dhe në vend që të dënonte aktin, foli keq për viktimën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›