E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjejmë keqardhje që ministri Genc Ruli është i detyruar të gënjejë

Nga Tema

Reagim ndaj njoftimit të ministrit Genc Ruli

Ndjejmë keqardhje që ministri Genc Ruli është i detyruar të gënjejë

Së pari, pavarësia e gazetës “TemA” nuk varet nga vendi ku punon dhe nga raportet që ka me qeverinë. Zoti Ruli është duke fyer kështu gjithë median televizive shqiptare, e cila, përveç “Vizion Plus”-it, realisht ka kontrata afatgjate me qira në “lokale qeveritare”. Në krye të tyre qëndron TV “Klan”, pastaj vijnë me radhë gjithë televizionet shqiptare që nuk dua t’i përmend, pasi nuk duam t’i ndotim me insinuatat e zotit Ruli. Kur gazeta “TemA” ka marrë me ankand kontratën 20-vjeçare, ishte vendosur që në pjesë të atij territori do të bëheshin Kartat e Identitetit. Kjo nuk e pengoi Ministrinë e Brendshme ta nxirrte në ankand sipërfaqen prej 650 metrash dhe as zotin Ruli të na shpallte fitues dhe të lidhnim kontratën për 20 vjet. Situata ndryshoi dhe interesi publik u “prek”, kur u prek qeveria nga skandalet e botuara prej gazetës “TemA”.

Së dyti, lokali është shpallur objekt i rëndësisë së veçantë më 17 dhjetor, pasi zoti Ruli ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën më 16 dhjetor. Pra, zoti Ruli i ka hapur rrugë shpalljes “Objekt i rëndësisë së veçantë”. Nuk e kuptoj se, pse dy shtypshkronjat e tjera, ajo e letrave me vlerë dhe Tipografia Ushtarake, mund të punojnë aty dhe punëtorët e gazetës “TemA” nuk mund të punojnë vetëm për shkak të biografisë.

Së treti, nuk është e vërtetë se nga ky lokal janë “larguar 10 kompani të tjera private përfshirë dhe shtypshkronja private”. Ky është spekulim, pasi këto kanë qenë subjekte me qira nga drejtoria e ish-Tipografisë Ushtarake, kurse gazeta “TemA” është i vetmi subjekt që është pronar për 20 vjet, pasi ka kontratë enfiteoze me Ministrinë e Ekonomisë dhe është e barabartë në status me Tipografinë Ushtarake. Pra, në ato mjedise ka qenë vetëm gazeta “TemA” me kontratë 20-vjeçare nga Ministria e Ekonomisë. Zoti Ruli nuk ka pse jep shpjegime për gjithë qoftexhinjtë apo lojërat e fatit që jepte drejtori i kësaj ndërmarrjeje me qira.

Së katërti, zoti Ruli gënjen publikisht, kur thotë se nuk ka marrë asnjë vendim gjykate. Avokati i gazetës “TemA” ka qenë në zyrën e tij dhe ia ka komunikuar vendimin. Zoti Ruli ka thënë se është i pafuqishëm të veprojë, pasi gjithçka tashmë varej prej kryeministrit Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Nëse zoti Ruli tanimë është i zënë ngushtë dhe është i detyruar të bëjë deklarata të diktuara me telefon nga kryeministri ky është problem i personalitetit të tij të dyfishtë, por s’ka të bëjë me të vërtetën.

Gazeta Tema

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›