Qeveria shqiptare saboton gazetën kritike
Qëllimi është i qartë, mënyra e realizimit brutale: Me mjete të dyshimta qeveria shqiptare kërkon që të pengojë botimin e mëtejshëm të gazetës kritike, “TemA”. Por kryeredaktori i saj deklaron se nuk do nënshtrohen
Me metoda brutale, krejt të papritura, qeveria shqiptare po synon që të pengojë botimin e gazetës kritike “TemA”: Makinës së kryeredaktorit, Mero Baze, iu vu flaka në fund të dhjetorit, klientët që mund të sillnin reklama u paralajmëruan dhe që nga e enjtja, ndërtesa e redaksisë është rrethuar me policë të armatosur. Mero Baze arriti që të hyjë me forcë në zyrën e tij duke mos përfillur urdhrin e tyre gojor, ndërsa në godinë nuk u lejuan të hyjnë deri vonë gazetarët. Ministri i Brendshëm i referohej për këtë veprim një vendimi të kryeministrit, Sali Berisha, dhe prishjes së njëanshme të kontratës së qirasë 20-vjeçare për godinën e redaksisë. “Berisha duhet të mësojë se përmes urrejtjes së egër nuk mund të nisë një betejë me medien, betejë që nuk mund ta fitojë, - tha Baze, - dhe lajmëroi se “TemA”, pavarësisht pengesave që po i hap qeveria, do vazhdojë të botohet.” Gazetari ka mbështetur pa kushte kryeministrin Berisha gjatë periudhës tetëvjeçare që ishte në opozitë, dhe pas fitores së tij, ishte një nga miqtë e afërt të shefit të qeverisë. Që kur ai pa kompromis, nisi të botojë dhe skandale të qeverisë së re, simpatia u kthye në armiqësi. Kryeministri me një popullaritet në rënie, po sulmon publikisht me metodat e vjetrat, për të cilat gjatë mandatit të parë ai ishte i njohur dhe i famshëm: shtypjen e medieve.