E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës nis dialogun me qytetarët

Autori i Lajmit: Suela Topi
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, i përbërë nga pjesëtarë të shoqërisë civile dhe të disa partive politike ka nisur zyrtarisht turin e tij nëpër Shqipëri për të siguruar mbështetjen e dhe mbledhjen e 50 mijë firmave për referendum në lidhje me ndryshimet kushtetuese të bërë në 21 prill. Kryetari i këtij komiteti, Artur Zheji, gjatë takimit të zhvilluar në Elbasan, qyteti nga nis dhe turi i takimeve, kundërshtoi përqendrimin e pushtetit në duart e një grupi, i cili sipas tij, është një grup bipolar, i kryesuar nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Kjo qeveri, tha Zheji, mori mandatin e saj qeverisës në emër të reformave të mëdha, luftës kundër korrupsionit, rritjen e mirëqenies sociale etj, por tashmë ajo ka dështuar përfundimisht. Ndërkohë gjatë fjalës së tij, lideri i LSI-së, Ilir Meta shprehu vullnetin e LSI-së për realizimin e referendumit, në mënyrë që të njihet e drejta e popullit që të shprehet për Kushtetutën. Meta tha se Kushtetuta për LSI mbetet në plan të parë jo si një çështje e një partie, apo disa partive, por si një çështje e gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse për miratimin e saj janë shprehur gjithë shqiptarët.
Takimi
Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës zhvilloi një takim në formë dialogu me qytetarët e Elbasanit në teatrin “Skampa”. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, analisti i njohur dhe anëtar i këtij Komiteti, Andrea Stefani, Kryetari i LSI- së, Ilir Meta, Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka dhe sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari. Në takim merrnin pjesë edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Elbasanit. Në këtë takim që mund të konsiderohet si nisja e një dialogu mbarëkombëtar për Kushtetutën dhe Referendumin, foli kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji. Ai kundërshtoi përqendrimin e pushtetit në duart e një grupi, i cili sipas tij, çuditërisht është një grup bipolar, i kryesuar nga njëra anë nga Sali Berisha dhe një grup tjetër surprizë, i kryesuar nga Edi Rama dhe ca të tjerë, të cilët po bëjnë ca marrëveshje që na çuan në këto ndryshime kushtetutore, që u votuan prej një mazhorance të sforcuar parlamentare. Kjo qeveri, tha Zheji, mori mandatin e saj qeverisës në emër të reformave të mëdha, luftës kundër korrupsionit, rritjen e mirëqenies sociale etj, por tashmë kjo Qeveri ka dështuar përfundimisht. “Dështimi i kësaj qeverie ndodhi në Gërdec, në një tragjedi të frikshme ku në mënyrë ilegale gjithë rezervat e ushtrisë shqiptare u përqendruan në një fshat jo shumë larg Tiranës. Kjo është një situatë anormale, sepse Kushtetuta është dëmtuar në pjesën më jetike të saj. Ndaj ne themi se e vetmja mënyrë për të korrigjuar këtë krim të madh kundër Kushtetutës është nëpërmjet sovranitetit që ka populli për t’u shprehur”, - tha ai. Ndërkaq, duke marrë fjalën në këtë takim dialogues me popullin, Andrea Stefani u shpreh se Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk është ashtu sikurse përflitet në media të ndryshme apo në qarqet e mbyllura të politikës sonë, por ky Komitet është një bashkim qytetarësh, gazetarësh, politikanësh, juristësh, njerëz të profesioneve të ndryshme, të gjithë në pozicionin qytetar dhe me shqetësimin qytetar për rrezikimin e demokracisë nga një ndryshim i beftë, jotransparent dhe i errët i dokumentit më të shenjtë të qytetarëve dhe demokracisë, Kushtetutës së Republikës. “Eshtë për ta ardhur keq që nuk është Partia Demokratike sot që mbron këto ndryshime, por e kundërta ndodh, sepse janë deputetët e kapur të Partisë Socialiste, të cilët, të vënë nën presion, dalin sot para opinionit publik duke mbrojtur këto ndryshime kushtetuese”, - tha ai. Ndërkaq Meta shprehu dhe një herë vullnetin e LSI për realizimin e referendumit, në mënyrë që të njihet e drejta e popullit që të shprehet për Kushtetutën. “Ne nuk mund të pranojmë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës”, - pohoi më tej Kryetari i PAD-së, Ceka. Ai theksoi se nuk mund të pranohet që Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti si përfaqësues i unitetit të popullit, gjykatat dhe institucionet kushtetuese, të kontrollohen rreptësisht nga Kryeministri, sikurse ai bën me partinë e tij. 

Ky lajm është publikuar: 15/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›