E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha po spastron politikisht një ndërmarrje publike”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaron se administrata po spastrohet në mënyrë politike. Sipas tij, ditët e fundit Berisha po u heq të drejtën specialistëve të punojnë, ndërsa shtoi se rasti flagrant është ai i punonjësve të Ballshit. “Berisha ka materializuar përmes një akti qeverie një listë që u ngjan skenave që përshkruhen fare mirë tek “lista e Shindlerit” duke iu hequr të drejtën e punës të 1700 specialistëve, punonjësve të specializuar dhe me përvojë të gjatë pune të sektorit të naftës. Të nxjerrjes dhe përpunimit të saj në Ballsh, në Patos dhe së fundi edhe në Kuçovë’, - tha dje Braçe. Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në disa nene të saj, përcakton qartë nënkapitujt liritë dhe të drejtat socialkulturore si dhe objektivat socialë. Duke lexuar nenin 49, ai tha se “secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës. Sipas Braçes, kjo është Kushtetua e Shqipërisë për të cilën apo mbi të cilën Sali Berisha si kryeministër apo edhe si kryetar partie është betuar se do ta zbatojë. Braçe theksoi se kufizimi i kësaj të drejte sot veçanërisht në Ballsh, Fier, Patos, Kuçovë është jo vetëm antikushtetues dhe antiligjor, por edhe krim me motive të qarta korruptive në prag të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje si dhe e qëllimtë e mirëfilltë politike në prag të zgjedhjeve të reja politike parlamentare. “Këtë e provojnë drejtues të ndërmarrjeve respektive, të cilët pohojnë se kanë larguar punonjësit me vjetërsi pune dhe kanë mbajtur në punë ata që kanë punësuar politikisht, jashtë çdo kriteri profesional dhe të organigramave gjatë dy viteve të fundit në këto ndërmarrje, - tha ai. Numri dy i deputetëve socialistë theksoi se Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, po e përdor këtë rast jo vetëm për të spastruar politikisht një ndërmarrje të mirëfilltë publike, një aset të çmuar të të gjithë shqiptarëve, por edhe për të pronësuar padrejtësisht në prag të privatizimit militantët e tij duke ndërhyrë në procesin e privatizimit me të njëjtat procedura njësoj siç ndërhyri në procesin e Albtelekomit muaj më parë. Dje punëtorët e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh kanë protrestuar kundër reformës së shkarkimeve në këtë sektor.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›