Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve vendos për disbursimin e fondeve për 420 projekte të qeverive vendore
- Në mbledhjen e ardhshme, Komiteti shqyrton projektet e reja, me përqendrim të veçantë në njësitë vendore që nuk kanë marrë financime dy vitet e fundit.
- Financimet për qeveritë vendore rritjen me 5 deri në 7 herë, krahasuar me vitin 2005, nga 7 miliardë lekë në total, për të gjitha qeveritë vendore së bashku, në rreth 35 miliardë lekë.
Kryeministri Berisha drejtoi sot, mbledhjen e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, i cili vendosi për financimin dhe disbursimin e fondeve për 420 projekte në njësitë e qeverisjes vendore, me vlerë disbursimi 5.6 miliardë lekë. Këto projekte shtrihen në infrastrukturën rrugore, ujësjellës-kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore, vaditje etj.. Komiteti vendosi likuidimin e gjitha projekteve të përfunduara, të financohen në shumën totale projektet që kanë përfunduar mbi 80 përqind të punimeve, të financohen në koston respektive të punimeve të gjitha projektet e tjera, të hapura deri më sot.
“Kjo qeveri – tha Kryeministri - do të bëjë gjithçka për t’ju ofruar qytetarëve infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit, çka do të thotë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollë, qendër shëndetësore, energji.”
Kryeministri Berisha njoftoi se në mbledhjen e ardhshme do të shqyrtohen projektet e reja, me përqendrim të veçantë në njësitë vendore që nuk kanë marrë financime dy vitet e fundit. Kryeministri tha se "nuk do të braktisim as edhe një zonë a komunë të vetme".
“Në rast se ka ndodhur - tha Kryeministri - që ka komuna që nuk kanë marrë financime nga ky grand i Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, kjo, së pari, për përgjegjësi të tyre. Në ndonjë rast të caktuar, por që është ekzotik, kryetari, në një verbëri politike, u ka deklaruar qytetarëve se nuk marr fonde nga kjo qeveri. Ky është një qëndrim fanatik, primitiv, që nuk besoj të jetë e nuk ka qenë direktivë e kryetarit të Partisë Socialiste, i cili, sa ishte kryetar bashkie ka marrë nga kjo qeveri tre herë më shumë fonde, sesa nga qeveria e tij, por është tjetër problem se si janë menaxhuar ato.”
Kryeministri njoftoi gjithashtu se Sekretariati Teknik i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve do të bëjë transparente të gjitha projektet e financuare, masën dhe shpërndarjen e tyre. “Kjo ka rëndësi të madhe, në mënyrë që veprimtaria të jetë tërësisht e kontrollueshme,” theksoi Kryeministri.
Në vijim fjala e Kryeministrit në hapje në mbledhjes së Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve:
“Thirra mbledhjen e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, për të vendosur për financimin dhe disbursimin e fondeve për 420 projekte, në bashkitë e komunat e vendit. Këto përfshinë: 124 projekte në infrastrukturën rrugore të bashkive e komunave; 73 projekte në ujësjellës e kanalizime; 75 projekte për qendra shëndetësore; 128 projekte për shkolla në arsimin para universitar e universitar; 21 projekte në ujitje dhe kullim dhe në fushën e kulturës alokohet një fond prej 28 milionë lekë. Në tërësi, ne shpërndajmë sot, rreth 5.6 miliardë lekë. Do të likuidohen të gjitha projektet e përfunduara, sipas vendimit të sotëm do të financohen në shumën totale projektet që kanë përfunduar mbi 80 përqind të punimeve, do të financohen në koston respektive të punimeve të gjitha projektet e tjera, të hapura gjer më sot.
Zonja dhe zotërinj,
Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj ka bërë një punë serioze, duke shqyrtuar së bashku me agjenci të tjera, të gjitha projektet e gjendjen e tyre. Kjo është një punë me përgjegjësi e jashtëzakonisht e rëndësishme për vendimet që marrim. Komiteti do të mblidhet së shpejti për të vendosur për projektet e reja, në të cilat përparësi, krahas kritereve të shpërndarjes, të cilat janë miratuar e kanë funksionuar, do të kenë ato njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë marrë financime. Është në praktikën tonë të financojmë projekte fizibël në të gjitha komunat e bashkitë e vendit. Në rast se ka ndodhur që ka komuna që nuk kanë marrë financime nga ky grand i Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, kjo, së pari, për përgjegjësi të tyre. Në ndonjë rast të caktuar, por që është ekzotik, kryetari, në një verbëri politike, u ka deklaruar qytetarëve se nuk marr fonde nga kjo qeveri. Ky është një qëndrim fanatik, primitiv, që nuk besoj të jetë e nuk ka qenë direktivë e kryetarit të Partisë Socialiste, i cili, sa ishte kryetar bashkie ka marrë nga kjo qeveri tre herë më shumë fonde, sesa nga qeveria e tij, por është tjetër problem se si janë menaxhuar ato. Pavarësisht nga kjo, Sekretariati Teknik do shqyrtojë dhe të identifikojë ato njësi vendore që nuk kanë marrë financime, projekte dy vitet e fundit dhe do t’i avancojmë. Qytetarët duhet ta dinë se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për t’ju ofruar atyre infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit, çka do të thotë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollë, qendër shëndetësore, energji. Të tjerat, sigurisht, i krijojnë vetë. Por infrastruktura bazë do t’u garantohet pa dallim, në përpjekjen tonë në të katër anët e vendit.
Ndaj, në mbledhjen tjetër të shqyrtojmë projektet që do të hapim për rrugë të reja, ujësjellës-kanalizime, për shkolla, kopshte e kampuse universitare, për vepra vaditjeje e kullimi, për trashëgiminë kulturore, për dy projektet madhore kombëtare: arrorët e drurët frutorë. Ne e kemi dyfishuar këtë fond, por e vërteta është se aplikimet vitin e kaluar kanë qenë jashtë të gjitha parashikimeve, kështu që do të detyrohemi siç jemi shprehur, që projektet që kanë fituar vjet, të marrin mbështetjen financiare të premtuar, këtë vit. Sërish ne i qëndrojmë këtyre dy projekteve si dy ndër projektet më të rëndësishme në zhvillimin e vendit.
Sekretariati Teknik i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve ka përpunuar softin dhe do mund të bëjë publike, transparente të gjithë veprimtarinë e këtij Komitetit, të gjitha projektet e financuare, masën dhe shpërndarjen e tyre. Kjo ka rëndësi të madhe, në mënyrë që veprimtaria të jetë tërësisht e kontrollueshme.
Zotërinj përfaqësues të bashkive dhe komunave, ne mendojmë se është e domosdoshme të krijojmë edhe komitetet respektive në nivel qarku apo prefekture, ku ju, para se të vini këtu, t’i keni diskutuar dhe të jeni ju që përcaktoni përparësitë dhe shpërndarjen. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet të bëjmë shpërndarjen sa më transparente.
Në filozofinë tonë, ne nuk braktisim as edhe një zonë a komunë të vetme. Sigurisht, nuk mund të mohohet se kriter kryesor do të ketë financimi për frymë, por në raste të caktuara, për qëllime nga më të ndryshmet, ky parim do të tejkalohet. Marrim për shembull investimin në rrugën Hani i Hotit-Vermosh, një rrugë që kalon pothuaj në një komunë, por nuk mund ta lësh Shqipërinë të shkëputur, përveçse nga kjo rrugë përfitojnë shumë edhe banorët e Plavës e të Gucisë. Pra, edhe pse kalon në një komunë, prapëseprapë, ai është një territor i gjerë i vendit, edhe pse dendësia e banorëve nuk është e madhe, potenciali turistik i zonës është shumë i madh. Ndaj rruga do të ndërtohet. Në tërësi, ne kemi kriter kryesor: investimet sipas numrit të banorëve, por një kriter tjetër, i cili ka rëndësi shumë të madhe, është edhe nxjerrja nga izolimi i zonave të vendit, që nuk janë të pakta, për shkak të gjeografisë së veçantë të këtij vendi, ku 80 përqind e territorit janë male e kodra të larta dhe 20 përqind fushë. Ndaj do t’i përshtatemi këtij realiteti dhe do të investojmë në çdo njësi të qeverisjes vendore, në mënyrë që të realizojmë premtimin tonë ndaj qytetarëve shqiptarë.
Mbledhja tjetër do të jetë e shpejtë. Është bërë një punë serioze në shqyrtimin e projekteve të paraqitura, por tani do të diskutohet bashkë me përfaqësuesit e qeverive vendore, për nisjen e projekteve të reja, që do jenë të shumta. Janë qindra projekte të reja që do të hapen dhe unë i garantoj qeveritë vendore se do të jenë ata që do të përcaktojnë përparësitë në njësitë e tyre të qeverisjes vendore. Shumë shpejt këto komitete do të funksionojnë në nivel qarku, për transparencë dhe për ta institucionalizuar këtë formë punë të shpërndarjes, që ka lejuar e lejon rritjen me 5 gjer në 7 herë të financimit për qeveritë vendore, krahasuar kjo me vitin 2005, kur të gjitha qeveritë vendore të marra së bashku merrnin në total 7 miliardë lekë. Qeveritë vendore të marra së bashku do të marrin në të gjitha projektet rreth 35 miliardë lekë. Ky është realiteti."
24/02/2012