Kompania CEZ në hetim nga KE për kufizim të konkurrencës
TIRANE - Kompania çeke, CEZ e cila ka blerë operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në vendin tonë është nën hetim nga Komisioni Europian. Kjo kompani dyshohet se ka përdorur praktika ilegale dhe kufizim të konkurrencës në treg.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat e huaja dhe publikohet edhe në faqen zyrtare të kompanisë.
Mësohet se hetimi bëhet pasi dyshohet se CEZ ka përdorur fuqinë e saj financiare për të nxjerrë nga tregu konkurrentet e tjerë dhe ka rritur në mënyrë artificiale çmimet e energjisë në tregun çek.
Hetuesit e KE-së kanë kryer një inspektim surprizë në ambientet e firmës çeke CEZ për të verifikuar dyshimet e veprimtarive anti-konkurruese.
"Zyrtarët e Komisionit kryen inspektime pa paralajmërim në objektet e CEZ SI dhe ndërmarrjet e tjera të vendosura në Republikën Çeke," tha Xhonathan Todd, zëdhënës i Komisionit të Konkurrencës në BE. Sipas tij, rregullatori BE kishte arsye për të besuar se veprimet e kryera nga vetë CEZ, ose së bashku me lojtarë të tjerë, mund të ketë çuar në shtrembërim të konkurrencës dhe pozitën dominuese të kompanisë për të rritur çmimin e energjisë në tregun çek.
"Nëse këto veprime vërtetohen atëherë kjo përbën shkelje të ligjeve të konkurrencës në BE dhe kompania do të përballet me sanksione"- tha Todd.
Rritja e energjisë, Prifti kunder
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti e ka quajtur kërkesën e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë me 44.2% si jo normale dhe të ekzagjeruar.
Duke pranuar se ai nuk mund të ndërhyjë në një çështje të tillë, kur bëhet fjalë për një marrëdhënie mes kompanisë dhe Entit Rregullator, por gjithsesi Prifti i ka bërë thirrje ERE-s që ta shqyrtojë me kujdes këtë kërkesë.
"Unë nuk kam më të drejtë të ndërhyj në një çështje të tillë, por i bëj thirrje ERE-s që ta rishikojë edhe njëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Mendoj se për çdo ent rregullator nuk do të ishte normale që të pranonte kërkesën për një rritje të tillë"- ka thënë Prifti.
Deklarata vjen pak ditë pasi OSSH kërkoi që të rrisë çmimin e energjisë me 44.2%, rritje e shtrirë gjatë dy viteve, e që do të thotë rëndim i madh për buxhetin e konsumatorit familjar.
OSSH, çekët: Çmimi i energjisë të rritet 44.2%
Pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompania CEZ parashikon rritjen e çmimit të energjisë me 44.2%. Rritje rekord, që sipas kompanisë shtrihet përgjatë dy viteve; 23.1% në vitin 2010 dhe pjesa tjetër do të rritet në 2011-n.
Duket se rritja do të godasë fort konsumatorin familjar, kategoritë e atyre që konsumojnë deri në 300 kilovat.
Aktualisht çmimi është 7 lekë për ata që konsumojnë 300 kv dhe 12 lekë për ata që e kalojnë këtë kufi. Pas aplikimit të çmimit të ri, sipas OSSH-së, konsumatori familjar do ta paguajnë energjinë me 9.15 lekë kilovatin.
Propozimi është bërë sot gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar nga Enti Rregullator i Energjisë, ku drejtuesit e CEZ e kanë argumentuar kërkesën për rritjen e çmimit me nivelin e lartë të humbjeve, borxhet e shumta që ka OSSH, si dhe gjendjen e vështirë financiare të kompanisë.
Sipas tyre, CEZ duhet që brenda vitit 2010 të ketë 44.5 miliardë lekë të ardhura në arkë, gjë që është e pamundur. Për këtë, nevojitet rritja në masën 44.2% e çmimit të energjisë.
Pritet që Enti Rregullator i Energjisë të marrë një vendim brenda datës 17 dhjetor.