Bumçi: PS të çlirohet nga kapja e mafies
Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh kreu i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi, reagoi dje ndaj qëndrimeve të kryetarit të PS-së, Edi Rama, lidhur me qëndrimin e tij ndaj ndërkombëtarëve. Gjatë një deklarate për mediat, Bumçi tha se “sot, ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë, por interesat e ngushta mafioze”. Sipas deputetit të PD-së, opozita duhet të hyjë në Kuvend. Bumçi përmendi deklaratën dhe rezolutën e Parlamentit Evropian, që sipas tij, i kërkon opozitës shqiptare të zërë vendet në Kuvend. “I bëjmë thirrje PS-së dhe kryetarit të saj që të çlirohen nga kapja e mafies e të vijnë në Kuvend, që të përfaqësojnë votuesit dhe qytetarët shqiptarë. Sikurse deklaroi dhe Parlamenti Evropian në rezolutën drejtuar opozitës shqiptare, PS të hyjë në Kuvend që t'i shërbejë interesave të vendit”, - tha deputeti Bumçi.