Kompania “SGS” do të kryejë shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve. Sot u nënshkrua kontrata

Kompania zvicerane "Societe Generale de Surveilance" (SGS) do të kryejë për 10 vjet në Shqipëri shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio, kundrejt pagesës prej 5 % të të ardhurave në llogari të buxhetit të shtetit shqiptar. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe zv.presidenti i kompanisë "SGS", Jacques Vollenëeider, nënshkruan sot marrëveshjen koncensionare, përmes së cilës kompania zvicerane angazhohet për një shërbim me standarde evropianë dhe rritjen e sigurisë së automjeteve në rrugë. Ministri Olldashi tha se "dhënia me koncension e këtij shërbimi do të jetë pionier jo vetëm për përafrimin e shërbimit me cilësi dhe standarde me shërbimin e kontrollit teknik në vendet e Bashkimit Evropian, por dhe në përmirësimin e ndjeshëm të sigurisë së qarkullimit rrugor të mjeteve". Olldashi nënvizoi faktin se "duke nisur nga dita e nesërme, Shërbimi i Kontrollit teknik të automjeteve rrugore do të kryhet nga kompania "SGS". Ndërkohë zv.presidenti i kompanisë "SGS", Vollenëeider theksoi se synohet përmirësimi i standarteve, rritja e sigurisë në rrugë dhe mbrojtja e ambjentit, realizuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. "Në një kohë të shkurtër, programi do të përputhet me te gjitha direktivat e Bashkimit Europian në fushën përkatëse", tha ai. Në këtë drejtim, Jacques Vollenëeider shtoi se, "SGS" do të realizojë edhe rinovimin e qendrave aktuale të kontrollit teknik dhe ngritjen e një rrjeti të mirëintegruar të qendrave në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, "sistemi i ri i kontollit do të jetë elektronik, i automatizuar dhe do të ofrojë siguri dhe saktësi maksimale testimi". “ SGS" u shpall fituese e tenderit për marrjen me koncension të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkio në muajin dhjetor, 2008, dhe më pas, vijuan negociatat për kontratën koncensionare. Në tender u paraqiten dy kompani. kompania franceze "Sas Sakar" dhe ajo zviceriane "SGS".
...