E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthim bombe pranë bursës së Athinës



Policia greke thotë se një bombë shpërtheu jashtë bursës së Athinës duke shkaktuar dëme të vogla të ndërtesës dhe makinave të parkuara në atë zonë. Zyrtarët thonë se shpërthimi që ndodhi, dëmtoi rëndë të paktën 6 automjete, por shkaktoi dëme vetëm në pjesën e përparme të ndërtesës së bursës. Një kalimtar i rastit u plagos lehtë. Një telefonatë paralajmëruese në një gazetë të Athinës bëri që policia të bllokonte zonën para se të ndodhte shpërthimi. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Moldavi
Presidenti Voronjin do të dorëhiqet

Raportohet se presidenti aktual i Moldavisë, Vlladimir Voronjin, nga Partia Komuniste e këtij vendi, do të japë dorëheqjen javën e ardhshme. Kjo dorëheqje po bëhet pasi partitë me pikëpamje properëndimore fituan në zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën në korrik. Por, Partia Komuniste e Moldavisë dy ditë më parë i kontestoi rezultatet zgjedhore dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Partia Komuniste tha se nuk do ta konfirmojë dorëheqjen e presidentit Voronjini.

Afganistan
Bie ndjeshëm prodhimi i opiumit

Kombet e Bashkuara thonë se prodhimi i opiumit në Afganistan ka shënuar rënie të ndjeshme. Zyra e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër Drogës dhe Krimit vlerëson se brenda një viti ka pasur rënie prej 22 përqindësh në kultivimin e opiumit ndërsa rënie prej 10 përqindësh ka shënuar edhe prodhimi i narkotikëve. Rënia më e madhe në kultivimin e narkotikëve, në masën 33 për qind, është shënuar në Helmand, megjithëse shifrat mbeten më të larta se në vitin 2005, kur atje u vendosën trupat britanike.

Kinë
Shpërthim në një depo me lëndë kimike

Një depo me lëndë kimike ka shpërthyer në lindje të Kinës duke shkaktuar vdekjen e 18 personave dhe plagosjen e 10 të tjerëve.
Shpërthimi ndodhi kur një kamion që përmbante lëndët kimike po shkarkohej tek depoja në provincën e Shandongut, bëjne të ditur agjencitë lokale të lajmeve. Rreth 26 makina zjarrfikëse punuan për shuarjen e flakëve, të cilat kanë përmasa të mëdha. Nga 18 viktimat, shtatë humbën jetën ne vendin e ngjarjes, ndërsa 11 të tjerë ndërruan jetë në spital për shkak të plagëve.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›