E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina ‘zbut’ qëndrimin për Protokollin EULEX-Serbi

 

Qëndrimi i autoriteteve të Prishtinës mbi zbatimin e protokollit që do të nënshkruhet mes serbëve e EULEX-it duket se ka nisur të lëkundet. Presidenti Fatmir Sejdiu ka përsëritur qëndrimin kundër një marrëveshjeje të tillë, por ka shtuar se EULEX do ta ketë gjithmonë mbështetjen dhe bashkëpunimin e Prishtinës, duke lënë dyshime mbi deklaratën e tij të mëparshme. Sejdiu tha se debati rreth Protokollit është mbyllur, por theksoi se institucionet vazhdojnë të shprehin gatishmërinë për bashkëpunim me EULEX-in për të mirën e Kosovës. “Ne e kemi mbyllur debatin rreth tij dhe e kemi dhënë fjalën tonë, ne e kemi partner të mirë të bashkëpunimit për interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës EULEX-in, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Sejdiu. Deklarata e Sejdiut erdhi një ditë pas vendimit të Brukselit për miratimin e protokollit policor me Serbinë. Në lidhje me mundësinë që të nënshkruhen edhe dy protokolle të tjera me Serbinë, pasi EULEX-i ka përgjegjësi për doganat dhe gjyqësorin, Sejdiu tha se: “EULEX-i ka pozitën e tij mbështetëse në ushtrimin e funksioneve më të mira në kuptimin e realizimit të Paketës së Presidentit Ahtisari, atë që Kosova e ka pranuar dhe ne e konsiderojmë partner të mirë në bashkëpunim”. Nga ana tjetër, ish-zëvendësi i Marti Ahtisarit që ka përpiluar me të paketën e ligjeve që zbaton Kosova, Albert Rohan, është shprehur për BBC-në se EULEX nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje me asnjë nga vendet e rajonit në rast se Qeveria e Kosovës nuk bie dakord për këtë. “EULEX-i është krijuar që të ndihmojë autoritetet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, por është e qartë se nuk mund të marrë përsipër pjesë të sovranitetit të tyre. Është e vërtetë se ka disa fuqi ekzekutive, por sovraniteti i Qeverisë së Prishtinës dhe autoriteteve atje nuk vihet në dyshim”, tha Rohan duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në hartimin e të gjitha marrëdhënieve dhe duhet të pajtohet plotësisht rreth substancës së bashkëpunimit me vendet e rajonit. Ai tha se EULEX-i nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të nënshkruajë asgjë, por duhet të bëjë përpjekje që ta bindë atë për dobinë e këtyre marrëveshjeve dhe së bashku të gjejnë mënyrën se si t’i zbatojë ato. Ndërsa kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu bindjen se protokolli do të miratohet pasi ai ka marrë bekimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë sipas tij, situata e krijuar është pasojë nëse jo e mungesës së një komunikimi të mirëfilltë, është pasojë e një menaxhimi jo të mirë, ndoshta të dyanshëm, edhe nga institucionet e Kosovës. “Realisht, protokolli që pretendohet të nënshkruhet dhe sigurisht se do të nënshkruhet pasi ka marrë vizën nga Bashkimi Evropian, nuk është problem për fushat ku EULEX-i do që të luftojë krimin e organizuar politik dhe ekonomik, do që të luftojë kontrabandën, trafiqet e ndaluara”, tha Krasniqi.

Rinisin ndërtimet në “Kroin e Vitakut”
EULEX-i u ka mundësuar banorëve shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut” që të rinisin punimet në ndërtimin e shtëpive të tyre. Sipas zyrtarët komunalë të Mitrovicës thonë se punimet e kontestueshme, tani kanë nisur dhe po vazhdojnë pa probleme. Punimet po kryhen nën praninë e madhe të forcave të policisë së EULEX dhe KFOR-it. Zëdhënësi i EULEX-it për rajonin e Mitrovicës, Hans Kristjan Klasin, pohon se Policia e EULEX-it po vëzhgon punimet dhe po ruan situatën nga ndonjë provokim i mundshëm. Ndërkohë, Nebojsha Miniç, përfaqësuesi i serbëve të lagjes “Kroi i Vitakut” e ka komentuar fillimin e punimeve nga shqiptarët si një sulm klasik ndaj serbëve për t’u larguar. “Shqiptarët kanë ndërtuar 18 shtëpi pa e pyetur as UNMIK-un, pa kurrfarë leje”, tha Miniç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›