Kompania SGS përzgjidhet fituese për kolaudimin e makinave
Kompania SGS do të vijojë negociatat me qeverinë shqiptare për marrjen me koncesion të "Shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove".
Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i ngritur “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”, përzgjodhi kompaninë SGS, i cila do të vijojë negocimin e kushteve të kontratës me qëllim maksimalizimin e interesit publik në këtë sektor. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit njoftoi dje se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, të Procedurës Konkurruese “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”, në përputhje me afatin ligjor të përcaktuar në ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet’’, të ndryshuar, dhe VKM nr. 27, datë 19.1.2007, “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies se koncesioneve’’, kreut IX pika 2, shkronja ‘c’, përfundoi më datë 16.01.2009, vlerësimin e ofertave të paraqitura nga subjektet SAS SAKAR, Francë, dhe SGS, Zvicër. Dy ofertat e subjekteve të lartpërmendura janë dorëzuar më datë 18.12.2008, ora 12:00, dhe lexuar në prani të mediave, në një proces të qetë dhe transparent. Sipas komisionit, pas shqyrtimit të detajuar të dokumentacionit ligjor, ekonomik dhe teknik për çdo ofertë rezultoi se dokumentacioni i subjektit SAS SAKAR nuk përmbush kriteret ligjore të përcaktuara në dokumentet standard të tenderit për t’u kualifikuar. Për këtë qëllim, Autoriteti Kontraktues vendosi të dërgojë njoftimin e skualifikimit këtij subjekti. Nga shqyrtimi i detajuar i dokumentacionit ligjor, ekonomik dhe teknik për çdo ofertë rezultoi se dokumentacionin e subjektit SGS, Autoriteti Kontraktues e gjen në përputhje me ligjin dhe se oferta ka interes publik. Për këtë qëllim, Autoriteti Kontraktues vendosi t’i dërgojë njoftimin këtij subjekti. Në çdo rast, Autoriteti Kontraktues njofton se me subjektin SGS, në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet’’, të ndryshuar, do të vijojë negocimin e kushteve të kontratës me qëllim maksimalizimin e interesit publik në këtë sektor.