Një “shtëpi” bosh në Shqipëri...
“Ajo që më pëlqen jashtë mase në këtë formacion është dëshira e madhe e të rinjve, të cilët janë në kërkim të eksplorimit të risisë. Më ka bërë shumë përshtypje me këtë orkestër edhe shkathtësia e tyre, për të thithur dhe mësuar shumë shpejt gjithçka që u parashtrohet”, - shprehet artisti francez, Jean Michel Ferran, mbi orkestrën “Camerata e Tiranës”, i cili është dirigjenti permanent i këtij formacioni. Ky koncert, që pritet të organizohet më 24 janar në Akademinë e Arteve, na fton në një “udhëtim në Pragë”
Një “shtëpi” bosh në Shqipëri...
Intervistoi: Suela Furriku
Edhe pse në një vend të panjohur e jo shumë të dëgjuar në rrethin global, siç na cilëson ai, vendos të nënshkruajë një kontratë artistike që mban firmën shqiptare. Nuk zhgënjehet. Jo vetëm që përballet me një realitet krejtësisht të kundërt, siç e kishte imagjinuar, por në një kohë shumë të shkurt pa frikë jep edhe përshtypjet e para për “duart e njoma”. “Ajo që më pëlqen jashtë mase në këtë formacion është dëshira e madhe e të rinjve, të cilët janë në kërkim të eksplorimit të risisë. Më ka bërë shumë përshtypje me këtë orkestër edhe shkathtësia e tyre për të thithur dhe mësuar shumë shpejt gjithçka që u parashtrohet”, - shprehet artisti francez Jean Michel Ferran, mbi orkestrën “Camerata e Tiranës”, i cili është dirigjenti permanent i këtij formacioni. Ky koncert, që pritet të organizohet më 24 janar në Akademinë e Arteve, na fton në një “udhëtim në Pragë”, me dy nga serenatat më të njohura të literaturës botërore, duke vënë ballë për ballë ndjeshmërinë muzikore të dy kompozitorëve romantik çekë, serenatat e Josef Suk dhe Antonin Dvorak. Në një intervistë për “standard”, Jean Michel Ferran nuk tregon vetëm “udhëtimin” e tij drejt Pragës, por edhe atë në Shqipëri...
Jeni përcaktuar si dirigjenti që do të luajë në aktivitetin e çeljes së sezonit artistik të “Camerata e Tiranës”, si ndiheni?
Unë kam punuar shumë herë me drejtorin artistik të “Camerata e Tiranës”, Arben Skënderi, prej disa vitesh në Paris, aty ku ai ka edhe shtrirjen e aktiviteteve artistike. Ai e njeh shumë mirë punën time, sepse në të njëjtën kohë jemi edhe koleg me njëri-tjetrin. Pra, ishte Skënderi ai që hodhi propozimin e këtij bashkëpunimi dhe unë e pranova me kënaqësi ftesën e tij. Për mua kjo është një ftesë simbolike, shumë interesante, duke qenë se unë kam nënshkruar një kontratë si dirigjenti permanent i këtij aktiviteti, ku pjesa më e madhe e koncerteve do të vijnë nën drejtimin tim. Ajo çfarë më intereson më tepër është se energjitë pozitive të muzikantëve të orkestrës dhe meje janë tashmë duke funksionuar mjaft mirë. Kjo është arsyeja që më bën optimist për të vazhduar. Kontakti human dhe artistik, tashmë është prezent.
Më thatë që u janë besuar një pjesë e mirë e aktiviteteve artistike në “Camerata e Tiranës”. Cili do të ishte vlerësimi juaj në këtë rast?
Në rolin e një dirigjenti puna që bëhet në një orkestër dhome është shumë esenciale dhe e rëndësishme. Për mua ka një domethënie të madhe që të punoj me një orkestër dhome, dhe ky është një lloj akti që më dhuron një kënaqësi profesionale të veçantë, sepse shumë dirigjentë e kanë të nevojshme profesionalisht të punojnë me një formacion të tillë të një orkestre dhome. Kjo është shumë pozitive për ta, duke qenë se është diçka shumë specifike, por njëkohësisht edhe e vështirë. Më pak fjalë, unë e vlerësoj shumë faktin që jam pjesë në “Camerata e Tiranës”, duke mos harruar që kjo është një orkestër që ka pak kohë që është themeluar. Bën një punë shumë interesante dhe avantazhi në këtë rast është se nuk ka të kaluar, kështu që çdo gjë është për t’u rindërtuar. Ne jemi duke vendosur baza të përbashkëta pune dhe ky është shumë pasionant si aktivitet.
Edhe pse “Camerata e Tiranës” është në hapat e saj të para të krijimit, e ndërkohë që edhe ju keni pak kohë që jeni bërë pjesë e saj, a keni strukturuar një opinion specifik lidhur me këtë formacion?
Ajo që më pëlqen jashtë mase në këtë formacion është dëshira e madhe e të rinjve, të cilët janë në kërkim të eksplorimit të risisë. Puna që bëhet në gjirin e “Camerata e Tiranës” është tepër serioze dhe kjo më pëlqen shumë, kualifikimi i dëgjimit që ato kanë në raport me atë çka thuhet, për të mësuar dhe avancuar mendimet e tyre. Dua të theksoj se pjesa më e madhe e tyre janë muzikantë të aftë individualisht dhe për këtë unë ndjej një potencial jashtë mase të madh, sepse janë vërtet të mirë. Për këtë ne po punojmë në një punë grupi të gjithë së bashku, ku efikasiteti do të jetë edhe më i prekshëm.
Çfarë ju ka bërë përshtypje gjatë kohës që ju keni punuar me orkestrën?
Ajo çfarë më ka bërë shumë përshtypje me këtë orkestër është shkathtësia e tyre për të thithur dhe mësuar shumë shpejt gjithçka që u parashtrohet. Ky është një fakt që e kam evidentuar që në momentet e para të bashkëpunimit dhe kjo një e veçantë e bukur. Adaptimi i një informacioni apo kur diçka nuk funksionon mirë është shumë i lartë tek ata. Kam pasur raste që nëpër formacione të tjera të punoja me një ritëm më të ngadaltë, sepse të tillë ishin edhe ata, dhe për këtë është e vështirë të sjellësh të reja nëpërmjet tyre, ndërkohë që këtu nuk ekziston ky nivel. Orkestra është si puna e një shtëpie, që kur hyjmë për herë të parë fillimisht mund të na pëlqejë, por paralelisht na duhet të rregullojmë shumë gjëra të reja, por gjithashtu edhe të gjitha orenditë e saj nuk mund t’i ndërrosh menjëherë. Këtu në Shqipëri unë e kam gjetur “shtëpinë” bosh dhe bashkë me formacionin po e “mobilojmë” përpara se të banojmë.
Gjatë dirigjimit, a mendoni se më shumë do të merrni apo do të jepni kundrejt orkestrës?
Gjatë gjithë kohës jam nën procesin dhënie-marrje dhe nuk mund të dalloj ndonjë moment për të treguar se ku dhashë më shumë apo mora më tepër. Jam gjithnjë në lëvizje dhe kjo më pëlqen. P.sh., fundi i koncertit që bëmë për Krishtlindje në muajin dhjetor të 2008-s, në Teatrin Kombëtar për mua ishte shumë emocionues, sepse të gjithë spektatorët dhe pjesëmarrësit ishin të kënaqur nga puna jonë. Ky ishte një nga ato momente që mendoj se më shumë kam marrë më tepër seç kam dhënë.
Kjo është hera e parë që vjen në Shqipëri?
Po, është hera e parë që vij në Shqipëri, pas kontaktit të para gjashtë muajve me “Camerata e Tiranës”. Por mund të them se kam pasur kontakte të shumta me artistë dhe personalitete të ndryshme shqiptare, si me violinisten Klodiana Skënderi, por Shqipëria ishte krejtësisht e panjohur për mua.
Sa e njihnit më parë Shqipërinë?
Si në Evropë ne e njohim shumë pak Shqipërinë dhe nuk dëgjojmë çdo ditë për të. Për mua ka qenë gjithnjë një vend misterioz, edhe pse gjeografikisht nuk është shumë larg Francës.
Si e kishit imagjinuar atë dhe si e gjetët në të vërtetë?
Dikur kisha idenë e një shteti shumë të mbyllur dhe “hermetik”, por në fakt është krejt e kundërta. Pasi ka ardhur dhe kam parë gjithçka vetë, në mënyrë ekstreme kam ndryshuar mendim. Kudo ka shumë gjallëri, shumë ngjyra e detaje të tjera.
Duke qenë se axhenda tuaj artistike është shumë e ngjeshur me aktivitete të ndryshme, si e gjeni kohën për t’i kushtuar vëmendjen edhe fondacionit tonë?
Më pëlqen iniciativa ime, sepse në vendin tim është shumë e rrallë që të jesh prezent në ndërtimin e një orkestre. Kjo gjë më pëlqen, sepse nuk ka në Evropë gjëra të tillë. Ajo që më intereson është se “Camerata” do të ketë edhe shumë turne nëpër skena të ndryshme dhe shkëmbime kulturore jashtë vendit.
Ku qëndrojnë anët pozitive të këtij bashkëpunimi?
Nëse do të marrim dy ekstremet, shkolla e harqeve në Shqipëri është në mënyrë absolute ekselente, ndërsa tek ne në Francë është shkolla e frymës në nivele të tilla të larta. Në këtë mënyrë, ne do t’i ndërthurim të dyja në gjirin e “Camerata”-s për të sjellë udhëtimin tonë për në Pragë.