E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, drejt një konsensusi të ri për anëtarësimin në BE

Viti 2009, ashtu si viti që lamë pas, do ketë sërish konsensuse të mëdha politike. Këtë radhë duket se do të përsëritet bashkëpunimi që u vu re në fillim të vitit 2008 për hir të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është sfida e radhës e politikës shqiptare, ku mazhoranca në pushtet nuk e ka parë veten të ndarë nga opozita, duke kërkuar prej saj konsensusin politik para se të bëjë aplikimin për vend kandidat në Bruksel. Rezoluta e paraqitur dje nga mazhoranca në Kuvend nuk ka hasur në kundërshtimin e opozitës. Ajo thjesht ka kërkuar pak kohë për të shqyrtuar këtë rezolutë, ndërkohë që dihet qëndrimi i PS-së dhe kreut të saj, Edi Rama, që kanë kërkuar nga qeveria që të përshpejtojë këtë aplikim. "Rezoluta duhet të diskutohet në Komisionin e Jashtëm. Kjo do të bëjë të mundur, që kjo rezolutë të quhet e plotë", - tha Arta Dade, deputetë e PS-së dhe nënkryetare e Komisionit të Jashtëm. Ndërkohë iniciuesi i kësaj rezolute, kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Preç Zogaj, ka bindjen e plotë se BE do të përshpejtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Sipas tij, Shqipëria është në rrugën e mbarë të integrimit, ndërkohë që pritet që Parlamenti shqiptar të miratojë një rezolutë që nxit qeverinë shqiptare, për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE, brenda një kohe të shkurtër. Nisma në fjalë ka dhe mbështetjen e opozitës, e cila dje kërkoi shtyrjen e saj deri në mbledhjen e ditës së hënë të Komisionit të Jashtëm parlamentar. Deputeti demokrat, njëherësh dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm kuvendor, Preç Zogaj, shpjegoi dje më konkretisht nismën e marrë nga mazhoranca qeverisëse. "Në thelb kjo rezolutë nxit qeverinë shqiptare që të aplikojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Është një etapë në rrugën e gjatë të integrimit, është një akt që duhet bërë. Vetë opozita është shprehur në favor të kësaj nisme në kohë dhe ka ardhur tamam çasti që Kuvendi solemnisht të nxisë qeverinë që të japë dhe një mesazh për partnerët tanë evropianë për këtë dëshire", - u shpreh Zogaj, deputet i PD-së. Kryeministri Berisha ka bërë me dije se ka në plan që të aplikojë së shpejti për statusin e vendit kandidat brenda Presidencës së radhës së BE-së, që mbahet nga çekët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›