Kompania ZUMAX i prezanton Kryeministrit Berisha projekt-idenë për ndërtimin e një porti kontenierësh në Vlorë
Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësues të kompanisë zviceriano-angleze ZUMAX. Drejtuesit e kësaj kompanie i prezantuan Kryeministrit Berisha projekt-idenë për zhvillimin e një porti të madh kontenierësh në Vlorë me perspektivën për ta zgjeruar atë edhe me zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Vlera e këtij projekti arrin në shumën 500 milionë euro.
Gjithashtu përfaqësuesit ekompanisë ZUMAX i prezantuan Kryeministrit Berisha projektin për ndërtimin e një parku industrial në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i falenderoi përfaqësuesit e kompanisë ZUMAX për zgjedhjen e Shqipërisë për zhvillimin e këtyre projekteve.
Duke i njohur përfaqësuesit e kësaj kompanie me kushtet dhe legjislacionin për zhvillimin dhe implementimin e projekteve të këtij lloji, mbi bazën e ligjit të konçesioneve, Kryeministri Berisha i garantoi përfaqësuesit e kompanisë ZUMAX, se qeveria dhe strukturat përkatëse do të punojnë me përkushtim dhe transparencë, në përputhje me ligjet në fuqi, për të kontribuar në suksesin e këtij projekti të madh.
Kryeministri sqaroi se në këtë fushë ka edhe projekte dhe propozime të tjera , gjë që garanton cilësi në përzgjedhjen e variantit më të mirë.