Kryeministri Berisha pret Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së Lionit
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së Lionit, të kryesuar nga Presidenti i kësaj Dhome ,Guy Mathiolon.
Gjatë takimit ata e përgëzuan Kryeministrin Berisha për suksesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe shprehën interesin e tyre të madh për hapjen e degës së Dhomës së Tregtisë së Lionit në Shqipëri.
Përfaqësuesit e delegacionit të Dhomës së Tregtisë së Lionit theksuan se kanë filluar takimet paraprake për këtë projekt dhe rreth 40 kompani franceze kanë shprehur interesin e tyre për t`u përfshirë në këtë projekt.
Jemi optimistë për ecurinë e këtij projekti, vijuan ata, dhe kërkojmë që të vendosim një marrëdhënie të ngushtë mes biznesit francez dhe atij shqiptar.
Përfaqësuesit e delegacionit të Dhomës së Tregtisë së Lionit shprehën interesin e biznesit francez për investime në infrastrukturë, energjetikë dhe turizëm, dhe evidentuan dëshirën për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ata u shprehën se kapacitetet e rajonit të Lionit i përgjigjen më së miri nevojave të tregut shqiptar dhe shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të jetë mjaft i frytshëm.
Kryeministri Berisha pasi falenderoi përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë së Lionit shprehu mbështetjen e Tij dhe të qeverisë për projektetet e tyre në Shqipëri.
Do të isha shumë i lumtur të shikoja investime të biznesit francez në Shqipëri, tha Kryeministri, duke i njohur përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë së Lionit me avantazhet që ofron vendi ynë për investime.
Kryeministri evidentoi veçanërisht potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investime në fusha si infrastruktura, turizmi dhe energjia.
Shqipëria ka tregun më të favorshëm në Europë, vijoi Kryeministri duke e vënë theksin dhe në pozitën gjeografike të vendit tonë mes tregjeve të rajonit dhe Europës.