Kompania çeke Cez, blen 76% të aksioneve të OSSH
Qeveria shqiptare firmosi kontratën për shitjen e 76 % të aksioneve të OSSH, me kompaninë energjetike çeke Cez, proçes i cili është mbështetur nga IFC, pjesë e grupit të Bankës Botërore. Ministri i Energjitikës, Genc Ruli dhe përfaqësuesit e kompanisë çeke "Cez" firmos marrëveshjen, e cila shënon edhe fundin e privatizimit të gjatë dhe delikatë të Operatorit të Shpërndarjes. Marrëveshja hyn në fuqi pas 3 muajsh, kohe gjatë të cilës pritet të merret aprovimi në Kuvend, si dhe të zyrtarizohet garancia financiare e Bankës Botërore, që siguron pronarët e rinj nga devijimet e mundshme kontraktuale të palës shqiptare.
Banka Botërore e quajti privatizimin një hap shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm, por tërheq vëmendjen se ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë me sfida mjaft të mëdha për disiplinimin e sektorit energjitik shqiptar. Jemi të sigurt që Cez do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve. Zgjedhja e Cez-it dhe procesi i tenderimit u zhvillua bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin tonë me IFC-në, u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës. Duke përmendur pagesat e muajit janar, që sipas ministrit janë më pas se 50 për qind e energjisë ne rrjet, Ruli ka theksuar se ky rezultat ka sjellë ndërprerje të energjisë por edhe probleme fiskale duke konsumuar fonde të mëdha. Ministri Ruli, duke e cilësuar të rëndësishme marrëveshjen e arritur me çekët, ka theksuar se ajo përmban garancitë e mjaftueshme për të mbrojtur qytetarët nga rritjet e pajustifikueshme të çmimit të energjisë. Ndërsa Shahbaz Mavaddat, Drejtori për Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, nënvizoi se privatizimi i OSSH-së është rezultat i përpjekjeve këshillimore për të siguruar një proces të drejtë, të hapur dhe transparent, duke u mbështetur edhe në bashkëpunimin e mëparshëm konstruktiv me Qeverinë shqiptare. Në tetor 2008, Cez, u zgjodh si kompania fituese e tenderit. Pas konsultimeve të mëtejshme, ky vendim u konfirmua nga Qeveria. Vlera e kontratës është 102 milion Euro. Qeveria shqiptare dhe IFC-ja kanë punuar së bashku në përmirësimin e infrastrukturës së vendit që nga viti 2006, duke filluar me përgatitjen dhe aprovimin e ligjit të ri të koncesionit. "Cez" është një ndër kompanitë energjetike, që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MË. Grupi "Cez", renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, grupi "Cez" operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.