E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompania energjetike ruse “RusHydro” i shpreh Kryeministrit interesin për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti një delegacion të gjerë të kompanisë publike ruse në fushën e energjisë “RusHydro”, të kryesuar nga Presidenti i Bordit Drejtues Evgeniy Dod. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori rus në Shqipëri Leonid Abramov.

Zoti Dod, pasi prezantoi kompaninë “RusHydro”, tha se qëllimi i kësaj vizite është të identifikojë dhe propozojë projekte investuese të mëdha energjetike në Shqipëri. Kompania “RusHydro”, tha zoti Dod, e sheh Shqipërinë shumë tërheqëse për investime, nga potenciali i madh hidrik, nga klima shumë tërheqëse e biznesit dhe nga pozicioni gjeografik. Interesi i kësaj kompanie, tha zoti Dod, është për projekte që lidhen me prodhimin e energjisë elektrike, me shpërndarjen e saj dhe konsiderimin e Shqipërisë si një pikë e rëndësishme tranziti në Ballkan e më gjerë.  Ai shprehu gatishmërinë e kompanisë së tij për të hyrë në procese privatizimi, koncesionimi dhe rindërtimi të veprave energjetike. Kjo kompani shprehu interes konkret për të marrë pjesë në privatizimin e HEC-ve, në garën për kaskadën e Vjosës dhe Skavicës apo të tjera në vazhdimësi. Zoti Dod shprehu gjithashtu interes, për ndërtimin e një kabulli nënujor me Italinë.

Kryeministri Berisha i falenderoi për futjen e Shqipërisë në hartën e investimeve të tyre dhe që një kompani gjigande si “RusHydro” zgjedh Shqipërinë për të zgjeruar projektet investuese dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve. Kryeministri, pasi u bëri një prezantim të reformave të ndërmarra, theksoi se sektori energjetik, si sektor strategjik, ka qenë dhe është prioritar për modelin ekonomik, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike. Pasi shpalosi projektet energjetike, të mbaruara e në proces, Kryeministri Berisha prezantoi faktet konkrete në lidhje me projektet e Skavicës, Vjosës dhe hidrocentraleve të tjerë të mundshëm, në mbarë vendin.

Kryeministri i garantoi për mbështetjen e gjithanshme të qeverisë, në procesin e bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve dhe në realizimin e projekteve konkrete energjetike të propozuara prej tyre.


26/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›