Kryeministri Berisha në inaugurimin e gjimnazit të ri në Ballsh: Shkolla është tempulli ku ju çdo ditë pasuroni, lartësoni dhe ndriçoni mendjet tuaja

Kryeministri Berisha mori pjesë mëngjesin e sotëm në inaugurimin e shkollës së mesme “Dervish Hekali” në Ballsh, Fier. Shkolla e re, e cila ofron për 1200 nxënës të zonës, standardet dhe kushtet më optimale për arsimim, është një investim prej 170 milion lekësh dhe ka 25 klasa, 4 laboratorë, 2 kabinete, një sallë multifunksionale, bibliotekë, palestër e mjedise sportive.
Pasi vizitoi ambientet e brendshme të gjimnazit dhe përgëzoi për punën e bërë, kryeministri Berisha i shoqëruar nga drejtues të pushtetit vendor, ministra e deputetë, u takua me nxënës, mësues e prindër të mbledhur më këtë rast. Kryeministri iu uroi atyre shkollën e re dhe shprehu kënaqësinë që ajo mund të renditej, përsa i përket standardeve të larta, përkrah shkollave më të mira të vendeve të zhvilluara.
Me premtimin se në mandatin e ardhshëm, qeveria do të ndërtojë dhe rindërtojë çdo shkollë, në të katër anët e vendit, Kryeministri tha se shkollimi i fëmijëve është dhe mbetet çështja më serioze dhe më kryesore për shtetin dhe shoqërinë në tërësi.
Kryeministri ftoi nxënësit që duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e ofruara për shkollim, të mësojnë sa më shumë, në mënyrë që nëpërmjet dijes të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre. “Shkolla është tempulli ku ju çdo ditë pasuroni, lartësoni dhe ndriçoni mendjet tuaja. Shkolla është tempulli në të cilin ju merrni dije universale, por mbi të gjitha, para së gjithash familja dhe shkolla janë vatrat ku ju edukoheni si njerëz të qytetëruar, ku ju edukoheni si qytetarë të denjë të familjes, shoqërisë dhe vendit tuaj. Ndaj dhe ju bëj thirrje të shfrytëzoni të gjitha mundësitë për të mësuar sa më mirë. Sa më shumë të mësoni ju sot, sa më të dijshëm të bëheni ju, aq më e ndritur do të jetë e ardhmja juaj, e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja që meritoni. “, u shpreh kryeministri.
Kryeministri premtoi se investimet në qarkun e Fierit do të vijnë duke u shtuar në të ardhmen, në sektorë të rëndësishëm si infrastrukturë, arsim, bujqësi, etj, për ti dhënë këtij qyteti dhe jo vetëm, standardet evropiane të jetesës.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur nxënës dhe nxënëse, prindër dhe mësues të shkollës “Dervish Hekali” në Ballsh,
Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju nxënësit dhe nxënëset e Ballshit, familjarët tuaj, mësuesit dhe mësueset tuaja, gëzimin e inaugurimit të kësaj shkolle të bukur, njërës prej shkollave më të mëdha të vendit, njërës prej shkollave më të reja të vendit, shkollë e cila me të gjitha standardet është e njëjtë me shkollat më të mirë të vendeve më të zhvilluara. Edhe njëherë gëzuar këtë shkollë!
Gjithashtu, shkolla e mesme “Dervish Hekali” ka rreth 25 klasa, 4 laboratorë, 2 kabinete dhe një sallë multifunskionale, ka palestrën, bibliotekën moderne, mjedise sportive, mjedise ndihmëse. Shkolla ka një kapacitet prej rreth 1200 nxënës, ajo është një investim prej 170 milion lekë. Kjo shkollë i jep përgjigjen më të shkëlqyer, përgjigjen me standardet më të mira shkollimit të fëmijëve të Ballshit, në kushtet më optimale.
Zonja dhe zotërinj,
Gjatë këtyre viteve, nga viti 2006 deri më sot, ne kemi patur, do të kemi në qendër të vëmendjes, do të kemi përparësi të të gjitha përparësive fëmijët tanë, shkollimin e tyre, kushtet më optimale për shkollimin e tyre. Në këtë kontekst, nga viti 2006 deri më sot ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 1300 shkolla në mbarë vendin më shumë se 71 % e të gjitha shkollave ekzistuese. Ne do të bëjmë gjithçka që gjatë mandatit të ardhshëm të ndërtojmë dhe të rindërtojmë çdo shkollë në të katër anët e Shqipërisë. Vetëm në qarkun e Fierit ne kemi ndërtuar 97 shkolla, nga të cilat 26 janë ngritur nga themelet. Për ne arsimi , edukimi , shkollimi i fëmijëve tanë është dhe mbetet çështja më serioze, është dhe mbetet çështja më kryesore për prindërit tuaj, për shtetin tuaj, për shoqërinë tuaj.
Të dashur nxënës dhe nxënëse,
Shkolla është tempulli ku ju çdo ditë pasuroni, lartësoni dhe ndriçoni mendjet tuaja. Shkolla është tempulli në të cilin ju merrni dje universale, por mbi të gjitha , para së gjithash familja dhe shkolla janë vatrat ku ju edukoheni si njerëz të qytetëruar, ku ju edukoheni si qytetarë të denjë të familjes, shoqërisë dhe vendit tuaj. Ndaj dhe ju bëj thirrje të shfrytëzoni të gjitha mundësitë për të mësuar sa më mirë. Sa më shumë të mësoni ju sot, sa më të dijshëm të bëheni jua, aq më e ndritur do të jetë e ardhmja juaj, e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja që meritoni.
Për ne arsimi është dhe mbetet detyra më themelore, përparësia më madhore. Ndaj dhe sot pas 6 vitesh arsimi është sektori i vetëm në të cilin financimet shtetërore, publike dhe private janë dyfishuar nga 26 milion lekë që ishin në vitin 2005, sot janë rreth 50 milion lekë buxhet vjetor për arsimin.
Sot në një hark kohor 6 vjeçar ne kemi realizuar një ndryshim rrënjësor në qëndrimin ndaj mësuesit dhe mësuesve, të këtyre misionarëve të vërtetë të shoqërisë shqiptarë, këtyre misionarëve që ndikojnë çdo ditë me dije në mendjet tuaja, që ndikojnë aq fuqishëm tek ju në formimin tuaj qytetar. Mësuesi dhe mësuesja për ne janë dhe do të mbetet leva, figura qendrore e arsimit , me të cilin ne jemi të bindur do të arrijmë të gjitha objektivat tona. Kështu në një hark kohor 6 vjeçar, sa në asnjë vend tjetër të Evropës apo gjetiu rrogat e arsimtarëve janë rritur nga 227 mijë lekë për arsimtarët e shkollave 9 vjeçare që ishin në vitin 2005, janë 505 mijë lekë sot në vitin 2012. Rrogat e mësuesve të shkollave të mesme nga 279 mijë lekë, janë sot 590 mijë lekë. Diferenca midis rrogës së mësuesve dhe rrogës së kryeministrit është ngushtuar nga 9 herë, në 4.5 herë dhe do e sjellim gjithnjë duke e ngushtuar sepse do të rrisim çdo vit e më shumë rrogat e mësuesve, në mënyrë që ato të përmbushin sa më mirë misionin e tyre fisnik.
Të dashur nxënës dhe nxënëse,
Shkolla juaj mban emrin e një burri të madh të kombit shqiptar, të një mallakastrioti të shquar, mban emrin e Dervish Hekalit. Sot ne ndodhemi në një vit historik, ky është viti i 100 vjetorit të pavarësisë. Këto 100 vite kanë qenë vite sakrificash mbinjerëzore të shqiptarëve, këto 100 vite kanë qenë vite luftërash të mëdha, përpjekjesh të jashtëzakonshme të shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo, për liri dhe dinjitet kombëtar. Ne sot përulemi me dinjitet të madh para atyre burrave, të cilët në të gjitha kohërat u shkrinë, flijuan jetën dhe të gjithë veprimtarinë e tyre në mënyrë që ju të dashur fëmijë të pranishëm, në mënyrë që sot të gjithë shqiptarët të jenë qytetarë të lirë, Shqipëria të jetë një vend i lirë. Ndaj dhe ne le të shprehim sot, nderimin tonë ndaj tyre dhe ju garantoj ju se nuk ka mënyrë më fisnike për të nderuar ata burra se sa të ndërtojmë shkolla të reja, se sa të angazhohemi të gjithë së bashku në garën e dijes, garën e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë.
Vëllezër dhe motra,
Shqipëria sot nuk është vend i zhvilluar, por Shqipëria po ecën fluturimthi, më shpejt se çdo vend tjetër drejt horizonteve të vendeve të zhvilluara. Sot në bankat e shkollave të mesme ulen rreth 92 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë shkollat 9 vjeçare, dhe ky tregues është ndër më të lartit në vendet e zhvilluara. Sot në bankat e universiteteve ulen mbi 71 % e maturantëve tanë dhe ky është një nga treguesit më të lartë që ekziston në Evropë dhe më gjerë. Në qoftë se mesatarja në Evropë për 1000 banorë është rreth 43-45 studentë, kjo mesatare në Shqipëri ka tejkaluar 53 studentë për 1000 banorë. Nga 52 mijë studentë që ne kishim në vitin 2005, sot në shkollat dhe universitetet e vendit mësojnë, studiojnë 164 mije studentë. Sot ne Shqipëri ecën më shpejt se kudo sektori privat i arsimit , i cili në arsimin e lartë shkollon rreth 31 mijë studentë, aq sa kishte Shqipëria studentë në vitin 2001, ndërsa në arsimin parauniversitar në këto shkolla mësojnë rreth 9 % e fëmijëve shqiptarë. Unë jam këtu për tu zotuar para jush se gjithçka që fondet më të mëdha, shpenzimet më të mëdha, qeveria shqiptare, shteti shqiptar ti bëjë për shkollimin e fëmijëve tanë.
Në përpjekjen tonë, Shqipëria vend i zhvilluar, ne po bëjmë gjithçka që të urbanizojmë Shqipërinë. Vetëm ne rrethin tuaj të Mallakastrës gjatë këtyre viteve janë asfaltuar 123 km rrugë, kurse në qarkun e Fierit janë investuar mbi 700 milion euro. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi inauguruar në qarkun e Fierit dy nga rrugët më të bukura të vendit, autostradën Levan-Vlorë, autostradën Levan-Dams dhe së shpejti do të ecim drejt Tepelenës. Ne do të lidhim të gjithë fshatrat e Mallakastrës, të krahut jugperëndimor me autostradën Levan-Tepelenë. Ne do të investojmë, do të ndërtojmë çdo rrugë në këtë rreth. Unë ju garantoj ju, se Mallakastra do të njohë një urbanizim të plotë. Në Mallakastër dhe në zonat rurale të vendit ne do të ndërtojmë atë infrastrukturë që ndërtojmë në qytetet e vendit. Ne kemi investuar në bujqësi në këtë rreth, kemi subvencionuar rreth 500 ha ullinj , sera, vreshtari, ndërsa në rrang qarku janë investuar për pemëtari, financuar mbjellje ullinjsh, drurë frutorë, 1500 ha.
Qytetarë dhe qytetare të Fierit,
Ne jemi në prag të një vendimi të madh, vendim i cili do ta afrojë Shqipërinë më tej me BE. Por në prag të këtij vendimi, përsëri përpiqen në mënyrën më të papranueshme, me karrige bosh që ta pengojnë atë. Unë ju jap fjalën ju, se qeveria do të përmbushë çdo detyrim në mënyrë që ëndrra evropiane e qytetarëve shqiptarë të bëhet realitet. Qeveria do të përmbushe çdo detyrim, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të ndihen çdo ditë e më shumë qytetarë të një vendi të zhvilluar.
Zoti kryetar i bashkisë, jam këtu për tu premtuar ju se siç ndërtuam këtë shkollë së bashku do të kemi mbështetje të plotë për të gjitha projekte që ndryshojnë për mbarë jetën e qytetarëve të bashkisë së Fierit, komunave përreth,
Gëzuar dhe faleminderit!
26/09/2012