E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë greke: Të shtyhet afati për depozitat e naftës

Sërish kompanitë e karburanteve që kanë depozita në Portin e Durrësit janë shprehur kundër zhvendosjes në zonën e Porto Romanos. Të pesta shoqëritë, kryesisht greke, vazhdojnë t‘i qëndrojnë kontratës që kanë me qeverinë, firmosur në 2001-shin, ku u jepet e drejta ta ushtrojnë aktivitetin për dhjetë vjet dhe mundësi shtyrjeje të afatit për dhjetë vjet të tjera. Odiseja e heqjes së depozitave të naftës dhe gazit në Portin e Durrësit duket se do të vazhdojë për ca kohë të tjera, ndërsa nga kompanitë që kanë kontratë 10-vjeçare me shtetin nuk duket ndonjë lëvizje për ndërtimin e impianteve të reja në zonën energjetike të Porto Romanos. Nga ana e saj, qeveria nuk duket se do të lëshojë pe, kur jo më larg se një javë më parë fuqizoi vendimin për kthimin e Portit të Porto Romanos dhe Petroliferës në Vlorë, në zona të ligjëruara për transportimin, furnizimin dhe tregtimin e naftës. Data 17 korrik 2007 ishte periudha kur qeveria ndërmori vendimin për të mos lejuar futjen e naftës dhe gazit përmes porteve të Durrësit dhe Shëngjinit, pavarësisht investimit që kishin kryer shoqëritë private. Afati skadonte në janar 2009, por qeveria e shtyu për gjashtë muaj të tjerë, nisur nga fakti se pontili në Porto Romano nuk ishte gati, ndërsa punimet vijonin ende për ngritjen e një dallgëthyeseje. Sa i takon kompanive të tjera, pjesa dërrmuese i kanë ngritur depozitat e karburanteve në Porto Romano, kurse kompanitë greke në Portin e Durrësit nuk kanë bërë asnjë lëvizje, duke iu përmbajtur kontratës me shtetin. Në të kundërt, ato kërkojnë dëmshpërblim që shkon deri në 50 milionë dollarë për zhvendosjen e gjashtë depozitave.

Argumentimi

Disa nga shoqëritë që kanë depozita në Portin e Durrësit kanë nisur me kohë kontaktet me zyrtarë të lartë të qeverisë, në tentativë për t‘i bindur rreth shtyrjes së afatit. Shoqata e Hidrokarbureve nuk është njohur ende me këto lëvizje, madje sqaron se nuk ka një kërkesë zyrtare për shtyrje të afatit. Duke u ndalur tek argumentet që paraqesin importuesit grekë të naftës, mësohet se do të veprojnë me të gjitha mjetet ligjore për të arritur të drejtën që u takon sipas kontratës. Njëra prej tyre thotë për gazetën se, "edhe në rast se vendoset për zhvendosjen e depozitave nga Porti i Durrësit, për në Porto Romano, ka një sërë arsyesh që e pengojnë një gjë të tillë". E para, sipas kompanisë, lidhet me infrastrukturën, e cila nuk është ngritur ende, siç është rruga që të çon në pontil apo energjia elektrike. Edhe për Petroliferën që ndodhet në Vlorë, e cila i ka të plotësuara të gjitha standardet, kompanitë thonë se ka kosto të lartë, si transporti, por edhe takse. Edhe në rast se bihet dakord, kompanitë thonë se u nevojitet një tjetër afat, deri më 31 dhjetor 2009, në mënyrë që zhvendosja e depozitave të jetë brenda standardeve. Megjithatë, si investitorë të huaj dhe me kapacitete të mëdha pune, kompanitë greke duket se do t‘i përdorin të gjitha mundësitë ligjore për të fituar të drejtën, që vite më parë ia ka dhënë vet qeveria shqiptare. Një pikë strategjike për ta do të jetë marrëveshja për mbrojtjen e investimeve të huaja që Kryeministri Sali Berisha ka firmosur me homologun grek, Kosta Karamanlis.

Depozitat e kompanive

Aktualisht në Portin e Shëngjinit operojnë tri shoqëri me depozita nafte, të cilat vetëm dy kanë nisur punën për ndërtimin e depozitave në Porto Romano. Sa i përket kompanive që veprojnë në Portin e Durrësit, duket se gjendja për zhvendosjen e depozitave me 25 mijë tonë karburant nuk paraqitet dhe aq optimiste. Në një letër të dërguar nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në muajin shkurt 2008, ku i kërkohej kompanive në Durrës një përgjigje sesi do të veprojnë për zhvendosjen e impianteve, këto të fundit mësohet se i kanë kthyer përgjigje negative. Në Portin e Durrësit janë të instaluara depozitat e pesë shoqërive, kryesisht greke, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh, ku edhe pse e kanë rritur masën e sigurisë, prania e tyre fare pranë qendrës së banimit, përbën rrezik për rreth 120 mijë banorë. Në zonën e Porto Romanos, për kompanitë e karburanteve që operojnë në Portin e Durrësit, METE vuri në dispozicion rreth 57 hektarë tokë, por këto të fundit kanë hezituar t‘i ngrenë depozitat, për shkak të mungesës së garancisë së pronësisë së tokës, por edhe për kushte të tjera.

Ruli:

Porto Romano, standarde të larta

Ministria e Energjetikës nuk ka ndërmend ta shtyjë afatin për zhvendosjen e depozitave me naftë dhe gaz në Portin e Durrësit. Jo vetëm vendimi i një jave më parë, por edhe procesi i investimit që po kryhet në Porto Romano, duket se nuk lë shteg për tërheqje nga plani. Përkundër pretendimit të kompanive greke, ministri Ruli e cilëson projektin e Porto Romanos të një standardi të lartë. "Këto depozita do të jenë të një cilësie dhe standardi të lartë sigurie, shumë herë më të lartë se ato që ka sot vendi", u shpreh pak kohë më parë ministri Ruli. Ministria sqaron se kompanitë duhet t‘i rialokojnë investimet e tyre në zonën e parkut energjetik të Porto Romanos. Është pikërisht vendi në të cilin faktikisht ka filluar ngritja e depozitës, të cilat do të jenë së paku rreth 50 herë më të larta se depozitat ekzistuese. Pas fillimit të punës në parqet e depozitave të naftës në Porto Romano dhe në Vlorë nga Petrolifera parashikohet që, me futjen në punë të këtyre depozitave të mëdha, të ketë një ulje 20 për qind të kostove të transportit dhe stokazheve të nënprodukteve të naftës.

Vendimi
Qeveria, më datë 25 korrik 2007, duke iu referuar ligjit "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre", të ndryshuar, me propozimin e ministrit Ruli, mori vendimin për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve, që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, në Portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i cili tani është shtyrë deri në mars.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›