E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dy raste të dyshuara me grip derri

Dy fëmijë, të cilët janë paraqitur në spitalin e Vlorës, dyshohen të jenë prekur nga gripi i derrave, virusi AH1N1.

Shenjat e para kanë qenë të një viroze të zakonshme, ndërkohë që mjekët e spitalit të Vlorës kanë dërguar për ekzaminime specifike kampionët e dy të dyshuarve. Dy fëmijët e dyshuar janë shqiptarë që banojnë me familjarët jashtë vendit, ndërkohë që i dyshuari i tretë është me nënshtetësi maqedonase. Shefi i shërbimit të pediatrisë, Fatmir Brahimi, sqaroi se në këtë pavijon të spitalit të Vlorës janë paraqitur dy fëmijë të sëmurë. Ata vijnë nga Italia dhe Greqia. Shenjat e para që shfaqën pacientët e vegjël ishin ato të gripit të zakonshëm, por të një viroze të rënduar. "Për ta vërtetuar kemi dërguar për ekzaminimin kampionët në laborator dhe presim konfirmim për të dhënë një përgjigje të saktë, nëse kemi të bëjmë me virusin e gripit të derrit apo thjesht të virozës së stinës", ka sqaruar mjeku.

Dyshimi

Veç virozës, një tjetër faktor që ka shtyrë mjekët për të dërguar kampionë për ekzaminim, ka qenë fakti se ata vijnë nga vendet e prekura prej gripit të derrit, Itali dhe Greqi. Veç rasteve të dy fëmijëve të dyshuar, një tjetër kampion është marrë nga spitali i Vlorës për ekzaminim. Bëhet fjalë për një shtetas maqedonas, të cilit i janë bërë të gjitha analizat e nevojshme. Maqedonasi u dyshua të ishte prekur nga AH1N1, por në fakt përgjigjet përfundimtare të analizave kanë dhënë rezultatin se pacienti ishte i prekur vetëm nga një virozë e zakonshme e stinës dhe jo nga gripi i derrit. Me ardhjen e emigrantëve, shtimi i rasteve që vizitohen për shqetësime nga viroza e stinës çdo ditë po rritet edhe më shumë. Por, sipas mjekëve të spitalit të Vlorës, ata që shihen me më shumë vëmendje janë fëmijët me probleme të mëdha, si dhe ata që vijnë nga vendet e prekura prej virusit AH1N1.

Kontrolli

Në Portin e Vlorës vazhdon të bëhet kontroll nga punonjësit e Drejtorisë së Shëndetit Publik për të kontrolluar nëse ka të infektuar nga virusi i shumëpërfolur këta muajt e fundit.

Nga katër punonjës të Shëndetit Publik që kishte para tri javësh Porti i Vlorës, tani numri ka shkuar në gjashtë.

"Nuk kemi evidentuar asnjë rast me këtë virus, kontrollojmë ata persona që shfaqin shenja të forta të gripit, ndërkohë që inspektimi nuk bëhet te të gjithë pasagjerët", tha Mariglen Jaupi. Me rritjen e temperaturave ditët e fundit është rritur edhe fluksi i pacientëve që duan të vizitohen apo të shtrohen për mjekim të avancuar. Çdo ditë vizitohen rreth 50 persona me virozë të stinës. Ndërkohë që brenda 24 orëve në pavijonin e pediatrisë paraqiten për t‘u vizituar rreth 80 fëmijë të vegjël.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›