E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vapa pezullon operacionet e planifikuara te "Nënë Tereza"

Temperaturat e larta nuk janë aspak të favorshme për të kryer operacione të thjeshta, apo edhe ndërhyrje të vështira kirurgjikale. Drejtoria e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza", ka njoftuar dje se për javën e ardhshme, ku temperaturat pritet të jenë 40 gradë Celsius, do të ketë reduktim të operacioneve me planifikim. Kjo do të thotë se do të priten të gjitha rastet e urgjencave kirurgjikale, do të operohen të gjithë ata pacientë që e kanë të pamundur të shtyjnë ndërhyrjen në një kohë tjetër, si edhe të gjithë ata që rrezikojnë shëndetin në rast se nuk operohen. Temperaturat e larta në përgjithësi dhe ato 39-40 gradë Celsius që do të shënojë termometri në javën në vazhdim, kanë efekt negativ mbi pacientët, sidomos ata që operohen dhe kanë nevojë për kushte të mira regjimi, deri në mbylljen e plagës dhe rehabilitim të plotë shëndetësor.

Kushtet

Sipas drejtorisë spitalore "Nënë Tereza", kushtet e sallave operatore i plotësojnë të gjitha standardet për të kryer ndërhyrje kirurgjikale. Madje edhe ato të niveleve të larta, siç është transplanti i veshkave. Në sallat kryesore sigurohet higjienë, pastërti, ajër i kondicionuar, edhe në një kohë kur temperaturat shënojnë vlera tepër të larta. Por problem mbeten kushtet në pavijonet e shtrimit, dhomat ku qëndrojnë të sëmurët. Shpesh në këto dhoma qëndrojnë nga 2 deri në 4 persona. Ndonjëherë edhe më shumë. Në një mjedis të tillë, pa freskues, pa ventilim, me fluks të sëmurësh dhe nën trysninë e temperaturave 40 gradë Celsius, infeksioni në spital është pothuajse i paevitueshëm. Kështu, për të mos rrezikuar gjendjen e pacientëve, për të mos sjellë probleme më të mëdha, është vendosur që nga e hëna e deri në ulje të konsiderueshme të temperaturave, në spitalin "Nënë Tereza" të ketë reduktim të operacioneve me planifikim. Përjashtim do të bëjnë emergjencat dhe rastet që duhet të futen urgjent në sallë, sepse nuk kanë mundësi pritjeje.

Operacionet dhe infeksionet

Operacionet e planifikuara janë ato ndërhyrje kirurgjikale të paracaktuara sipas një rendi dhe disiplinës në spital.

Mjeku i cili do të kryejë operacionin vendos datën, orën dhe njofton shefin e shërbimit për numrin e operacioneve që ka të planifikuar në axhendën e tij. Më pas shërbimi bën me dije drejtorinë e qendrës për operacionet që do të kryhen rreth një harku të caktuar kohor.

Një vit më parë, në stinën e verës, kur temperaturat ishin tepër të larta, në sallën e kardiokirurgjisë u evidentuan infeksione të rënda. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se në këtë sallë ishin të pranishme infeksionet nozokomiale, si stafilokoku dhe psedudomonas. Njëri nga pacientët e operuar, pasi pësoi përkeqësim të gjendjes shëndetësore, u infektua me virusin dhe humbi jetën në spital. Pas evidentimit të gjendjes, higjiena pezulloi operacionet, pastroi, dhe klorinoi ambientet deri në përmirësim të gjendjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›