E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e Sigurimeve- Beteja për drejtësi dhe me drejtësinë vazhdon

Tiranë- Gjykata e Tiranës shqyrton çdo ditë dhjetra padi shkaktim dëmi, pjesa më e madhe e të cilave rezultojnë të mbyllura me vendim rrëzimin ose pushimin e tyre. Gazeta IDEA bën sot publike një nga çështjet që ka patur këtë fat.

Hulumtimi i historive njerëzore që fshihen pas padive të dëmshpërblimit që qytetarët depozitojnë pranë Gjykates së Tiranës e çoi këtë herë gazetën IDEA, në risjelljen në vëmendje të një rasti të njohur për lexuesin tonë. Ne botuam disa javë më parë kalvarin e gjatë të çështjes gjyqsore të familjes Gjoka, e cila kishte paditur Byronë Shqiptare të Sigurimeve.

Ajo që na bëri ta rikthejmë në fokus këtë histori është dhënia e verdiktit final nga gjykata. Më në fund çështja gjyqësore, ndër më të vjetrat në Gjykatën e Tiranës, është zgjidhur. Vendimi i gjykatës, për të cilin familja Gjoka priti plot 1036, ishte: Rrëzimi i kërkesë padisë.

Cila është kjo çështje që i  kushtoi  familjes Gjoka tre vjet dhe që iu deshën gjykatës 44 seanca për ta zgjidhur?

I ndjerit Leonadro Gjoka, humbi jetën në vitin 2006 në një aksident automobilistik, ku gjithashtu ngeli e paaftë për punë në masën 80% e ëma tij Mimoza Gjoka. Të dy viktima dhe i lënduari kishin paguar kontributet pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Kjo e fundit vendos të mbulojë asnjë detyrim ligjor pas aksidenitit. Pas shumë kërkesave me shkrim për dëmshpërblim të drejtuara Byrosë dhe që nuk morën asnjë përgjigjje, familja Gjoka vendos t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës.

Në padinë e shkaktim dëmit paditësit kërkonin dëmshpërblimin për të gjitha dëmet pasurore e jopasurore si dhe shpenzimet e varrimit e të tjera të domosdoshme e të nevojshme, të shkaktuara nga aksidenti automobilistik. Që nga shkurit i vitit 2009, deri në datën 10 të këtij muaji, kur gjykata vendosi edhe rrëzimin e çështjes, familja Gjoka ka tre vjet nëpër dyert e gjykatës.

Pas një maratone të gjatë seancash gjyqësore, familjarët e të ndjerit, jo vetëm që nuk morën dëmshpërblimin, por madje u detyruan të paguanin shpenzimet e gjyqit si humbës të çështjes gjyqësore. Shpenzime që duke patur parasysh çeshtjen e stërzgjatur ishin goxha të majme. Nëse mendoni se saga e Familjes Gjoka me Byronë Shqiptare të Sigurimeve mbaroi këtu, gaboheni.

Në dosjet e Gjykatës së Tiranës çështja ka statusin e ankimuar. Mimoza Gjoka ka ankimuar çështjen në datën 15 dhjetor 2011. Beteja për drejtësi dhe me drejtësinë vazhdon

Matilda Alku/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Ferri i sigurimeve, kompanitë nuk paguajnë dëmet Tiranë – Vëzhgimi i gazetës IDEA mbi çështjet e padi...
  2. Paralizohet nga aksidenti, kompania e sigurimeve nuk e dëmshpërblen Sigurimi i jetës është një praktikë që sapo ka hyrë...
  3. Skandali i sigurimeve në Kosovë: 13 të arrestuar Prishtinë – Dyshimet se rreth 1 milion e 200 mijë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›