E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet atmosferike bllokojne disa akse rrugore

Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në shumë rrethe të vendit, ku disa akse janë të pakalueshme dhe në disa të tjera qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Situata shqetësuese paraqitet në qarkun e Gjirokastrës .Qafa e Muzinës është e kalueshme , ndërkohë që të gjithë komunat malore janë të bllokuara dhe prej ditës së djeshme mungon energjia elektrike. Komunat e Zagorisë, Pogonit, Kurveleshit dhe e Buzit në Tepelenë raportohen të bllokuara. Në territorin e Librazhdit probleme shfaqen jo vetëm në komunat e thella, por edhe në akset nacionale.
Të gjitha akset që lidhin Korçën me qytetet e tjera të vendit janë të kalueshme vetëm me zinxhirë ndërkohë që aksi Ersekë –Leskovik është i bllokuar.Temperaturat e ulëta kanë sjellë vështirësi qarkullimi edhe në Skrapar, Elbasan dhe në rrethin e Vlorës. Qafa e Llogarasë kalohet vetëm me zinxhirë megjithëse vijon prezenca e automjeteve të drejtorisë së rrugëve, të cilat merren me mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugës nga dëbora, dhe hedhin kripë për të evituar rrëshqitjen e automjeteve nga ngricat e krijuara.
Bllokime aksesh rrugore janë raportuar nga policia edhe në zona veriore të vendit kryesisht në zonat malore. Ne rrethin e Malësisë së Madhe është i bllokuar aksi rrugor Tamar –Vermosh, aksi Bogë-Theth, dhe në disa akse të tjera ka vështirësi kalimi nga trashësia e borës dhe ngricat. Gjithashtu probleme në qarkullim ka edhe në zonat rurale në qarkun e Kukësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›