E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e cigareve: Të rishikohet privatizimi i pullave të akcizës

Kompanitë e cigareve në Shqipëri rishprehën shqetësimin e tyre, në lidhje me atë që ato e quajnë pamundësi të mjedisit vendas, për të garantuar parashikueshmëri të vendim-marrjes politike, në lidhje me çështjet fiskale dhe i kërkuan qeverisë që të rishikojë sa më parë vendimin e saj, për të privatizuar prodhimin e pullave të akcizës. Cristian Cring, drejtor i Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor i Japan Tobacco international (JTI), prodhuesi kryesor ndërkombëtar i produkteve të duhanit deklaroi në Tiranë se bashkëpunimi i qeverisë me kompani të tilla ndërkombëtare duhet të nisë nga rishikimi i procedurave të pullave të akcizës. “JTI është dhe do të mbetet një partner i besueshëm për qeverinë shqiptare, në krijimin e një mjedisi rregullator të parashikueshëm dhe efektiv, i cili është thelbësor në sigurimin e tërheqjes së investitorëve drejt Shqipërisë. Hapi i parë, ku ne presim ta gjejmë këtë bashkëpunim, është rishikimi i procedurave të pullave të akcizës” – u shpreh Cristian Cring. Në një konferencë për shtyp – ku kompania deklaroi se ka regjistruar në Tiranë njësinë e saj të re juridike, që do të jetë përgjegjëse për tregjet e Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës, drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin perëndimor tha se është e domosdoshme “vendosja e një kalendari 3-5 vjeçar për akcizën dhe rritja e saj graduale, deri në përmbushjen e objektivit të akcizës, sipas BE-së, do të siguronte të ardhura shtetërore të qëndrueshme dhe parashikueshmëri për industrinë”. Industritë e prekura nga vendimi i qeverisë, për të privatizuar prodhimin e pullave fiskale, kanë shprehur dyshime se ky hap mund të prodhojë kontrabandë, falë rritjes së ndjeshme të çmimeve të mallrave të akcizës në treg. Rritja e çmimeve – falë rritjes artificiale të akcizës - është tashmë shumë e lexueshme në treg, jo vetëm tek produktet e duhanit, por edhe tek barnat, pijet alkoolike, karburantet, etj. Asnjë nga shoqatat e konsumatorëve nuk e ka denoncuar ende vendimin e qeverisë, për të zbatuar një projekt, i cili është gjetur jo efektiv në të gjitha vendet ku është zbatuar. Në një prej rasteve, Gjykata e Lartë e një vendi amerikano-latin e shfuqizoi vendimin e qeverisë në lidhje me këtë hap, si një dëm direkt që i bëhej konsumatorëve. Projekti SICPA u përcoll pa transparencë dhe pa debat, ndërsa qeveria i dha me koncension një firme zvicerane, me origjinë turke, të drejtën për të prodhuar kundrejt një çmimi më të lartë pullat e akcizës. Megjithë lobimin e disa organizatave të biznesit, përpjekjet për të shfuqizuar këtë vendim kanë qenë të pafrytshme.“Problemi në Shqipëri nuk shtrohet sa të sigurta dhe cilësore janë pullat e akcizës. Problemi është si të heqim nga tregu produktet kontrabandë, që nuk kanë asnjë pullë” - tha një prodhues vendas, i cili nuk pranoi të identifikohej. “Rritja e çmimit të produkteve që e paguajnë akcizën do të rrisë interesin e kontrabandës, për të fituar më shumë përmes një produkti ilegal në treg” - sqaroi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›