E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investitorët e huaj, të shqetësuar për sigurinë në vend

SHKRUAN: Blerina Hoxha 19-02-2011 10:20

Investitorët e huaj, në alarm për sigurinë në vend. “Shikoni ngjarjet e ditëve të fundit, të cilat kanë ndikim të madh tek investimet e huaja në proces. Nuk them se i kanë ndërprerë ato përfundimisht, por tashmë tek investitorët e huaj janë krijuar dyshime serioze. Shqipëria ka nevojë tani për paqe sociale, për të rikthyer besimin tek investitorët e huaj”, tha Giovanni Degennaro, kryetar i Dhomës italiane të Tregtisë në Tiranë. Gjatë këtyre 20 viteve tranzicion, siguria për aktivitetin ekonomik ka qenë një burim i vazhdueshëm pengesash për aktivitetin e investitorëve në vendin tonë. Përveçse në dekadën e fundit, Qeveria shqiptare ka mundur të lidhë disa kontrata, që nuk kishin të bënin vetëm me tregun, por edhe me prodhimin në vend. Në industrinë bankare, telekomunikacione dhe industrinë e rëndë dhe energji, erdhën kompani të mëdha të europiane. Mirëpo nisur nga ngjarjet e 21 janarit dhe ato që pasojnë më pas, mbi të gjitha e kanë vënë ekonominë, shqiptarët, dhe të interesuarit për të, në pozitë mjaft të vështirë. “Biznesi i huaj dhe ai vendas po përballet tani me krizën e përbotshme ekonomike, që preku dhe Shqipërinë. Ndaj në këtë moment është i domosdoshëm një injeksion sigurie, duhet të përcillen mesazhe konfidence”, ka thënë kryetari i Dhomës Italiane të Tregtisë. Degennaro, tha se, përveç krizës politike, ka edhe disa faktorë të tjetër që ndikojnë në aktivitetin e sipërmarrjeve dhe që duhet të përmirësohen. “Ka disa sektorë që duhen stimuluar, si turizmi apo bujqësia. Por problem mbetet infrastruktura, jo vetëm energjetike, por edhe ajo rrugore. Kemi parë që janë bërë investime në infrastrukturën portuale, atë ajrore dhe transportin rrugor, por ka një element tjetër shumë të rëndësishëm”, shtoi ai. Ndërsa vetëm një ditë më parë, Shoqata Shqiptare e Turizmit njoftoi se, agjencitë e huaja kanë anuluar prenotimet. Në prag të fillimit të sezonit turistik ishte parashikuar një rritje e fluksit të turistëve, që do të vizitonin vendin tonë. Edhe pse ka kaluar thuajse një muaj nga ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ekspertët e Shoqatës Shqiptare të Turizmit shpjegojnë se, efektet negative të saj nuk janë ndaluar. Aktualisht promocioni për verë 2011 tani është në kulm. Shoqatat e specializuara dhe agjencitë e ndryshme, po bëjnë rekomandimet përkatëse. Vetëm pak ditë para datës 21 janar, Shqipëria ishte në krye të renditjes botërore, për atraksionin turistik. Lonely Planet dhe Ekspertët e CNN e renditën Shqipërinë në 10-eshën më të mirë, ndërsa agjencitë e udhëtimit po tregonin një interes gjithnjë e në rritje. Mirëpo kjo frymë pozitive për turizmin në vendin tonë, nuk është më e tillë pas datës 21 janar. Shoqata Shqiptare e Turizmit jep sinjale të dhimbshme në lidhje më këtë fakt. Që pas 21 janarit janë ulur dukshëm udhëtimet për në vendin tonë dhe nga ana tjetër, agjencitë kanë anuluar prenotimet e bëra. Gjatë vitit që lamë pas, sektori i turizmit zinte rreth 14 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në buxhetin e shtetit dhe zhvillimi i tij mund të konsiderohet si një ndër faktorët më të rëndësishëm, që bëri të mos ndihej kriza globale në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, para pak ditësh tha se, risku politik është bazë në riskun e vlerësimit të ekonomisë shqiptare, që do të thotë që kjo është bazë e objektivit të monitorimit nga agjentët ndërkombëtarë, investitorët e huaj dhe ata shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›