E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e inspektorateve drejt fundit, shkrihen 25

Numri i inspektorateve do të reduktohet 11, nga 36 që janë aktualisht, ndërsa veprimtaria e tyre do të dixhitalizohet, tha dje Kryeministri, Sali Berisha, në mbledhjes e Task Force për inspektoratet, e cila përmbylli një cikël të gjatë diskutimesh mbi 18-mujore për reformën e sistemit të inspektorateve. “Kjo është edhe mbledhja finale, në të cilën pas 18 muaj diskutimesh, do të vendoset finalizimi i organizimit të sistemit të inspektoratit në Shqipëri, tha Kryeministri. Shkëputja nga sistemi i ekzistues i inspektorateve u bë i domosdoshëm së pari, për shkak të një arbitrariteti të pa tolerueshëm të sistemit ekzistues ndaj biznesit. Arbitraritet që vetëm në kohë është llogaritur se i konsumon biznesit rreth 45 ditë në vit. Së dyti, riorganizimi tërësor i sistemit të inspektorateve është bërë i domosdoshëm, edhe për faktin se eficenca e tij është e pamjaftueshme dhe në kuadrin e standardeve të reja, që ne duhet të vendosim një sistem të ri inspektoratesh, tha Berisha gjatë mbledhjes. Ngritja e inspektoratit qendror do të varet nga Këshilli i Ministrave, me mision të caktuar, pra, jashtë kompetencave të tij për të ushtruar kontroll mbi bizneset, por në tagrin e tij të plotë, për të mbikëqyrur punën e inspektorateve, për të zhvilluar, elaboruar standardet e veprimtarisë së tyre dhe mbi të gjitha, për të garantuar transparencën e veprimtarisë së tyre. Inspektoratet në Shqipëri do të jetë e-inspektorat. “Është e domosdoshme që sistemi inspektimit të jetë dixhital, gjurma duhet të jetë e qartë në çdo hap të secilit prej tyre”, tha Kryeministri. Statusi i inspektorëve do të jetë statusi i inspektorit tatimor, tha Kryeministri. Nuk mund të bëhet fjalë për një mandat të kufizuar për inspektorin. Kompetencat e tij në planin ligjor do të jenë të njëjta me ato të tatimorit, i cili është një inspektorat në vetvete, por një inspektorat me një fushë të gjerë. “Ne duhet të krijojmë një normë e zhdërvjelltësi në tërë në veprimtarinë e inspektorateve tona. Ato kompetenca që Kodi Tatimor u njeh inspektorëve tatimorë, po ato kompetenca dhe atë praktikë, do t’u njohë ligji inspektorëve të inspektorateve të ndryshëm”, tha Berisha

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›