Shoqata kundër konkurrencës, për tarifat e bankave
Tarifat dhe komisionet bankare të bankave tregtare në vend janë në të njëjtin nivel, ose më lirë sesa vendet e rajonit. Ky është rezultati i një studimi rajonal, të ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke u nisur nga diskutimet e bëra publike prej kohësh, në lidhje me këtë çështje. Studimi në fjalë mbulon nëntë vende të rajonit: Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Qipro, Greqi, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Turqi. Ky studim krahason tarifat dhe komisionet e 20 elementëve tipikë të produkteve bankare, në lidhje me llogaritë, e-banking, kartat dhe pagesat. Nga studimi ka rezultuar se për 20 elementët e krahasuar, komisionet në Shqipëri janë në të njëjtin nivel, ose më lirë se sa vendet e rajonit në 17 produkte, ndërsa janë pak më të larta mesatarisht për tre produkte. Duke iu referuar studimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, edhe për këto tre produkte, disa banka në Shqipëri aplikojnë komisione më të ulëta sesa mesatarja e rajonit, apo nuk kanë fare komisione, çka do të thotë sipas rezultateve të studimit, që klientët shqiptarë kanë mundësi zgjedhjeje. Sipas studimit, të ardhurat nga tarifat dhe komisionet mbulojnë vetëm 21 për qind të shpenzimeve operacionale të bankave në Shqipëri, mbulim që është ndjeshëm më i ulëti në rajon. Ndërkohë që mesatarja e këtij treguesi për rajonin është 37 për qind, studimi tregon se bankat në Shqipëri kanë shpenzime më të larta operacionale dhe tarifat e aplikuara nuk janë mjaftueshëm të larta për të mbuluar këto shpenzime. Ka qenë Kryeministri Berisha rreth një muaj më parë, kur në një takim me Bankën Botërore theksoi se tarifat e telefonisë celulare në vend dhe bankat tregtare kanë tarifat më të shtrenjta në rajon dhe po vjedhin prej më shumë se 10 vjetësh konsumatorët shqiptarë. Ndërsa Autoriteti për Komunikimet Elektronike vendosi, nëpërmjet një plani, deri në 2015 uljen e tarifave me 17 %, Autoriteti i Konkurrencës doli me një raport pas një monitorimi gati njëvjeçar, ku rezulton se bankat shqiptare nuk janë transparente dhe kanë tarifat më të larta në rajon. Sipas raportit të Autoritetit të Konkurrencës, në bankat tregtare është vënë re mungesë e transparencës, e cila reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte behët e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive midis operatorëve të këtij tregu. Gjithashtu, nga raporti në fjalë del se bankat e nivelit të dytë aplikojnë kryesisht tarifa të ndryshme, për të njëjtin shërbim. Ndërsa për disa nga shërbimet, si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti citon se nga vlerësimi i treguesve të transparencës u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe.