E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë e huaja eksportojnë eurot nga Shqipëria

Kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri transferuan jashtë në formën e fitimeve 79 milionë euro për tre muajt e parë të vitit. Burime zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shifra e fitimeve që po transferohen jashtë nga kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri, po rritet nga viti në vit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar ajo është rritur me 20 për qind.

Vitin e kaluar në total, kompanitë e huaja transferuan nga Shqipëria 364 milionë euro, ose 6 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Paratë që nxorën kompanitë e huaja jashtë Shqipërisë në vitin 2009 janë sa gjysma e dërgesave që vijnë nga emigrantët. Sipas të njëjtave burime mësohet se edhe kompanitë shqiptare  për të njëjtën periudhë të ardhurat nga investimet e kompanive shqiptare jashtë ishin 106 milionë euro. Ekspertët thonë se tashmë shumë investime të huaja që janë kryer gjatë viteve të kaluara, kanë filluar të matarohen duke gjeneruar fitime, të cilat kompanitë i transferojnë në vendet e tyre të origjinës. Ndaj edhe tendenca e këtij zëri pritet të jetë në përkeqësim, duke paralajmëruar se më shumë valutë do të dalë nga ekonomia shqiptare në vitet e ardhshme në formën e fitimeve të transferuara jashtë, çka gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të kursit të këmbimit. Nga ana tjetër bizneset në vend gjenden në vështirësi për likuiditet. Statistikat e Shoqatës së Bankave, treguan se edhe për muajin prill teprica e kredisë për shtëpi qëndroi pranë vlerës së 98 miliard lekëve, nga 97.9 miliardë lekë që ishte në muajin mars. Gjatë gjithë fillimit të vitit 2010 kredia për shtëpi nuk ka njohur asnjë rritje dhe është sot në atë nivel ku ndodhej edhe në fundin e vitit 2009. Sipas statistikave mësohet se në muajin prill është një rritje e lehtë e kredisë në lekë dhe rënie e asaj në euro. Kredia për blerje pasurish të paluajtshme në lekë, në muajin prill arriti në 25.5 miliardë lekë, nga 25.3 miliardë lekë që ishte në mars. Ndërsa kredia në euro, e konvertuar, në fund të prillit kishte vlerën e konvertuar e 69.6 miliardë lekëve, nga 70.2 miliardë lekë që ishte në muajin mars. Mosrritja e kredisë është një tregues shumë i qartë i gjendjes së tregut të pasurive të paluajtshme, ku kredia është burimi kryesor i financimit të blerjeve. Ndërtuesit dhe agjencitë imobiliare janë shprehur në mënyrë të përsëritur se tregu ndodhet në një gjendje të vështirë dhe kërkesa vlerësohet në nivele shumë të ulëta.

Last Updated on E Shtune, 19 Qershor 2010 09:53

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›