E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ditë në urban, aty ku hyn njeri dhe del për Psikiatri

Lodhja, mërzitja, stresi por dhe vjedhja, janë vetëm disa nga pasojat që të shkaktojnë urbanët

Nëse ka diçka në kryeqytet e cila të shkakton tension nervash ky është transporti urban. Madje me bindje mund të themi që edhe në vendet më të varfra në botë autobusët nuk janë si në Tiranë. Papastërtia, kushtet mizerabël, era e keqe mes pluhurit e vapës së tmerrshme në këto ditë të nxehta Qershori, dyndja e qytetarëve dritaret që janë bllokuar e smund të hapen,

madje edhe konfliktet mes shoferit, ndonjë qytetari a ndonjë prej dhjetëra xhepistëve të cilët duket sikur janë në territorin e tyre, të japin panoramën e dhimbshme se i vetmi transport më i përdorur për gati 900 mijë banorë është në kushte mizerabël. Edhe pse jemi larg disponimit të autobusëve me kondicioner si në shtetet fqinje, marrjes së biletës me një shtypje të vetme të butonit e sjelljes normale të shoferëve e të fatorinëve, fati duket sikur është tepër koprac me ne, kur shohim natën vonë tek vjen drejt nesh ndonjë autobus me drita të forta. Ashtu si të gjitha eksperimentet që bëhen zakonisht me ne, Bashkia e Tiranës ka sjellë ditët e fundit edhe disa autobuzë që përveçse nuk i sheh gjëkundi ditën, të shtojnë ankthin se përpara se të hipësh në karakatinat e zakonshme që duken sikur do të shqyhen mes e përmes nga momenti në moment, nuk të ofrojnë asnjë lloj kushti tjetër përveç djersitjes lodhjes e frikës se dikush si me magji do të gllabërojë të gjitha paratë që ke në xhep me një të frenuar të shoferit, i cili zakonisht ose është duke e zënë gjumi në timon ose frenon pa e vrarë shumë mendjen, duke fluturuar në fund të autobusit, gra, pleq, fëmijë e çtë jenë në të. Radhët e qytetarëve me orë të gjata në stacione janë momentet më kulminante, madje pikërisht atëherë kur ndonjë grua e moshuar është duke u çapitur të hyjë e fundit në urban, shoferi mbyll derën duke ja lënë gjysmën e trupit jashtë. Më pas fillojnë debatet, e gruaja e moshuar e cila është gati të shpërthejë në lot nuk bën zë. Por e njëjta gjë nuk ndodh rrallë, pothuajse ditë për ditë në këto karrakatina që Bashkia e Tiranës na i ka bërë peshqesh, e ka vite që nuk i ndërron dot sikur të kushtonin miliarda ndodhin incidente nga më të ndryshmet, madje nuk mungojnë as rastet kur në situate të ndryshme bëhet palë e tretë edhe policia.


Kushtet
Autobusët në të cilët lëvizin përgjatë gjithë ditës, pjesa më e madhe e qytetarëve mund të themi që janë në kushte mizerabël, pasi sapo hyn në to sheh një karakatinë të zakonshme të cilën mund ta gjesh zakonisht në vend grumbullimet e varrezave të makinave. Keqpërdorimi i tyre nga shoferët, zakonisht të lë në mes të rrugës e të duhet që përpos vonesës në punë të hipësh e të zbresësh me shpejtësi për mos tu ngjeshur në fund të autobusit. Pa përjashtim linjat e autobusëve urban në kryeqytet janë në gjendje skandaloze, që nga linja e unazës ku qelbesh nga era, e deri tek linja e kinostudios apo e kombinatit ku zotër të këtyre mjeteve urbane janë hajdutët e xhepave të cilët në 80 për qind të rasteve nuk lënë askënd pa kontrolluar edhe pse këta të fundit nuk mund ti kuptojnë dot lëvizjet e tyre nga mbipopullimi i qytetarëve.Përshtypje të bëjnë, edhe sendiljet e rrjepura e të shqyera të cilat shpesh herë mbajnë miliona mikrobe e që depërtojnë direkt në trupin tonë sidomos gjatë periudhës së verës. Dyert e autobusëve që shpesh herë kur ka dyndje qytetarësh hapen e mbyllen edhe nga një pakujdesi e shoferëve që zakonisht nëse u afrohesh kundërmojnë era alkol bëhen shpesh shkak konfliktesh midis, qytetarëve e këtyre të fundit. Por ajo që të bie më shumë në sy është fakti se në 80 për qind të rasteve shoferët janë tepër të paedukuar e në rastet që ndokush rrëzohet për shkak të frenimit në mënyrë të rrufeshme të autobusit, mund të dëgjosh shprehi të tilla si A i ke sytë në ballë, mbahu kur frenon autobusi. Edhe pse kjo mënyrë është tejet banale edhe ankesat e qytetarëve kanë mbërritur deri në zyrat e Bashkisë së Tiranës apo edhe në Shoqatën e Transportit askush nuk ka ndërmarrë ndonjë masë. Madje masa nuk janë marrë edhe në rastet kur janë konstatuar se zakonisht shoferët, hajdutët e xhepave madje, edhe fatorinët që luajnë rolin e ndërmjetësit në episodet e pakëndshme kur ndokush grabitet janë bashkëpunëtorë midis tyre. Maje ndodh që nga shoferët nuk ndalohet autobusi, edhe kur ndonjë qytetar e ka parë xhepistin e duhet të zbresë nga autobusi për të ndjekur atë.   

Hajdutët e zhepave, ose padronët e urbanëve
Ankesat e shërbimit privat për shqetësimet për shkak të kostos tashmë kanë mbetur pas me rritjen e çmimit të biletës, ndërsa oferta e tyre për udhëtarët është njësoj. Nëse një vit më parë njerëzit shfrynin se përse ishte rritur, bileta e aboneja ishte shtuar çuditshëm dyfish në këtë pikë vape, askush nuk i qan hallin tjetrit për çmimin, por shqetësimi numër një zë vend në rastet e shumta të vjedhjeve që janë shtuar në masë. Përpos kësaj kauze, shqetësimi tjetër ka të bëjë me komunikimin e fatorinëve që shpesh herë i sheh, gjysmë lakuriq tek kundërmojnë pa fund era alkol a gjetkë e tek të ngjiten apo të përplasin e të shtyjnë duke mos e bërë dysh fjalën. Që nga mënyra sesi vishen njerëzit e këtij shërbimi, tregohet një prezantim i ulët. Edhe pse në linjën e Unazës kanë veshjen e tyre, pastërtia lë shumë për të dëshiruar. Shtuar me erën e keqe që shpërndajnë, atëherë është një torturë e vërtetë. Kurse në linjën e Kinostudios përballesh me një cilësi që të çmerit pa fund. Edhe shtuar me pisllëkun, që i ka mbuluar dhe kjo të bën të ndjehesh si pjesëtar i klasave të ulëta të shoqërisë. Si për ironi të fatit është një nga linjat që ka qarkullimin më të madh të banorëve të kryeqytetit dhe që lidh dy pika shumë të prekura në Tiranë. Është aq e mjerë si linjë saqë nga kujtimet të bëhet më e afërt me periudhën që kemi kaluar. Në Unazë mund të shtosh dhe qyfyre të tjera, kur konduktori zbret dhe bën ndonjë punë të tijën dhe duhet të presësh me shoferin derisa ai të kthehet. Që të shikosh aspiratën e Tiranës urbane moderne mund të gjykosh shumë mirë nga ky shërbim. Por, këtu dhe për optimistin ka fare pak vend. Mbase gjendja mund të rregullohej po të shikonin vetë në një linjë strukturat që i drejtojnë por edhe ato të bashkisë të cilat vazhdojnë të pohojnë se ky shërbim nuk ka probleme. Mund të themi me bindje se transporti urban tashmë ka pësuar krizë të plotë. Radhët e gjata të njerëzve nëpër stacionet e autobusëve kanë shkaktuar jo pak probleme. Kështu, tendenca e pasagjereve për të hipur nëpër urbane pa i lejuar të tjerët të është një tjetër problem. Janë rreth 220 autobusë që janë vënë në shërbim të rreth 1 milion banorëve të Tiranës. Një shifër e tillë konsiderohet mjaft e ulët jo vetëm nga specialistët e transportit qytetës. Qytetarët janë skeptike ndaj një zgjidhjeje të mundshme. Megjithatë, ata shprehen se një indiferencë e tillë për të vetmin transport urban që gjendet në kryeqytet është e tepërt, madje e pajustifikueshme nga ana e Bashkisë së Tiranës. Përpos shtrenjtimit të jetesës, për cilindo banor që detyrohet të përdorë transportin urban, mungesa e aboneve dhe rritja e mundshme e çmimit të biletës është një goditje tepër e rëndë.

Faturinot e shoferët, pazar me biletat e urbanëve
Edhe pse është thënë shpesh nga Drejtoria e Transportit Urban se për të gjithë personat që shkelin rregullat do të vendosen gjobat, apo edhe për personat që gjatë kontrolleve gjenden pa bileta, sërish asnjë masë nuk është marrë nga institucionet përkatëse. Por edhe pse në shumicën e rasteve janë vetë shoferët, apo edhe faturinot që zakonisht, shkelin rregullat duke mos i dhënë qytetarëve biletat edhe pse ato blihen kundrejt çmimeve prej 30 lekësh, asnjë masë nuk është marrë, e askush nga punonjësit në këtë rast nuk është penalizuar. Shpesh herë të gjithëve ne na ka ndodhur që edhe pse paguajmë fatorinoja në këmbim nuk na ka dhënë biletën, e më pas duke mos reaguar sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kur ndodh që vjen ndonjë kontroll  vjen me shpejtësi drejt nesh duke na zgjatur biletën sikur pesë minuta më parë të kishte harruar ta bënte këtë gjë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›