E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak kohë, për të bërë një film me mesazh njerëzor

Drejtori artistik i Tirana 48 Hour Film Project, Andi Tepelena tregon projektin në ndihmë të të rinjve

Tirana 48 Hour Film Project është një festival i filmit të shkurtër, në termin e angazhimit të të gjithë të rinjve kineastë, profesionistë dhe amatorë të filmit, duke nxitur prodhimin dhe promovimin e filmave dhe kineastëve të rinj shqiptarë në Shqipëri dhe në botë. Një fenomen kulturor i importuar nga jashtë vendit, ky festival i cili startoi mbrëmë në Teatrin Kombëtar

është i konceptuar krejtësisht ndryshe nga të gjithë festivalet e filmit, që jemi mësuar të shohim në vendin tonë. Mungon tapeti i kuq, mungon ndriçimi, mungojnë aktorët dhe kineastët me famë. Protagonistët e këtij eventi, i cili zhvillohet në mbi 80 qytete të ndryshme të botës janë të rinj shqiptar, për të sjellë diçka të ndryshme dhe një krijimtari, e cila duhet të përfundojë vetëm brenda 48 orëve dhe vetëm brenda territorit të kryeqytetit shqiptar. Drejtori i festivalit Andi Tepelena pohon se e rëndësishme është promovimi i të rinjve. Ky festival që vjen për herë të parë, injekton energji. Janë 16 filma që do të shfaqen, por dy nuk janë përfshirë në kompenticion. Juria është e përbërë nga presidenti i festivalit Robet Alija, Veton Nurkollari i Dokufest dhe Bland Ashiku. Ky është një kompeticion nacional, ku më pas fituesi do të marrë pjesë në kompeticionin internacional, tregon drejtori Tepelena. Disa nga regjisorët që marrin pjesë janë: Gjergj Kalaja, Tan Kazazi, Gent Bejko, Dritan Mesereja etj. Regjisori i ri Tan Kazazi tregon se pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme. I njohur më parë për pjesëmarrjen e tij dhe në festivale të tjera, ai pohon se ideja e grupit ishte që të krijonin një grup kompakt dhe të fortë që të mos ta njihte fjalën nuk. Jemi një grup djemsh  që menduam të merrnim pjesë tek ky projekt. Emri është NUKANUK, ky grup do të ishte i fortë dhe të mos e njihte fjalën nuk. Ne u entuziazmuam shumë për këtë festival dhe thjesht e morëm si aventurë. Të gjithë kemi pasur shumë punë, pasi jemi dhe me diplomën, por megjithatë dëshira për të bërë këtë film ishte e madhe dhe ne e bëmë filmin, pohon regjisori Kazazi. Sa i takon filmit, këtë festival regjisori i ri Kazazi sjell një prodhim kinematografik me metrazh të shkurtër, i cili ka një mesazh shumë domethënës. Tema e filmit që duhej të bëhej për 48 orë, që nga ideja deri tek faza e përfundimit të tij, ne menduam që të trajtonim diçka shumë të thjeshtë, e cila të jepte një emocion njerëzor dhe kjo vjen tek filmi Pak kohë. Në momentin që u bë shorti kriteri i parë ishte përcaktimi i zhanrit të filmit, që ne na ra një film në lëvizje, në udhëtim. Filmi vjen me një mesazh shumë të thjeshtë. Nëse ne jemi në vitin 2010 dhe çdo gjë ka marrë super ritëm dhe ne nuk kemi kohë, mesazhi i tij është se edhe pse çdo gjë është me shumë ritëm, që nga puna dhe të tjera gjëra, ne duhet të ndalojmë dhe të kemi pak kohë për veten tonë dhe për njerëzit tanë, cilëson ndër të tjera regjisori. Tan Kazazi i takon pa dyshim atij brezi të ri regjisorësh që kanë se çtë sjellin në prodhimet kinematografike. Deri më tani studenti, i cili pret të diplomohet ka realizuar 10 filma me metrazh të shkurtër. Xhirimet e filmit janë realizuar në Baldushk dhe interpretojnë Pol Babi dhe Ermira Hysaj. E ndërkohë që filmi Pak kohë vjen me  regji dhe skenar të Tan Kazazit, drejtor fotografie DOP ROYALD ELEZAJ, producent Bernart Laze dhe montazhier Kushtrim Jubani. Nata e parë e festivalit solli para publikut filmat: 1-A mates Day nga "Omi Production" group, Buddy Film, The Magic Comb nga "Five Elements" group Sci Fi, "Dritëhije Përbuzjesh" nga "SugarMoney group, Drama, "Judge" nga "Karrota me Kollare group, Fantasy, "Pak kohë" nga "Nukanuk group, Road Movie, "Njeriu Me" nga "Syri i Padukshëm" group, Road movie, "Krehri" nga "Liburn group, Thriler etj. Ndërsa sot në natën e dytë do të vijnë të tjera realizime, me mesazhe dhe histori të tjera. Çmimet që do të jepen sonte në këtë festival janë: regjia më e mirë, filmi më i mirë, fotoja më e mirë, montazhi më i mirë si dhe çmimi i publikut. Shoqata Midiprod e organizon projektin 48 Hour Film project, i cili në fokus ka të rinjtë. 48 Hour Film Project" filloi në maj të vitit 2001 në Washington dhe tashmë është shtrirë në 86 kryeqytete. Kanë marrë pjesë deri tani rreth 6 milion artistë, kineastë dhe krijues nga e gjithë bota. 48 Hour Film Project erdhi në Tiranë falë përpjekjes të artistit dhe producentit Robert Aliaj Dragot.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›