Kompanitë e sigurimeve paguajnë dëme vetëm 14% të primeve
Të dhëna të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare theksojnë se kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil", me rreth 46.07 %, ndërsa me ulje prej 36.19 % rezulton edhe numri i dëmeve të paguara, krahasuar me 7 mujorin e parë të vitit 2007. Rritja në vëllimin e primeve nuk u shoqërua me ritëm të ngjashëm në pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit, duke shtuar se ky tregues është larg sjelljes së tregjeve të rajonit e Evropës. Është e qartë se kompanitë e sigurimeve në Shqipëri e kanë shumë të vështirë të paguajnë dhe për këtë ato përdorin dhjetëra mekanizma burokratikë, megjithatë një kompani ndër shumë mes tyre paguan ndryshe. Kompania INSIG megjithëse ka vetëm 9 për qind të tregut të sigurimeve, paguan më shumë se sa 13 për qind të gjithë dëmeve që paguhet në vend nga tërë kompanitë. Sipas të dhënave të AMF-së, duke qenë se raporti dëme/prime në nivel tregu, vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta, rreth 25%, janë ndërmarrë disa masa që kanë të bëjnë kryesisht me trajtimin e dëmeve, bazuar në standardet e OECD, licencimin e vlerësuesve të pavarur të dëmeve në sigurime. Ata shprehen se vëmendje e veçantë po i kushtohet trajtimit të ankesave të ndryshme, krahas detyrimit të vendosur të shoqërive të sigurimit për mbajtjen e një baze të dhënash për ankesat e konsumatorëve, e cila do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti, masa të cilat pritet të sjellin efektet e tyre në përmirësimin e cilësisë së trajtimit të dëmeve dhe efektivisht në rritjen e këtij raporti.
Në periudhën janar - korrik 2008, primet e shkruara bruto kapën vlerën prej 4.021.420 mijë lekë, përkundrejt 3.442.749 mijë lekë, të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Tregu i sigurimeve shënoi një rritje në masën 16.81% nga viti i kaluar, ku 86.51% e kësaj rritje i takon tregut të sigurimeve të Jo Jetës, ndërsa 13.49 % tregut të sigurimeve të Jetës. Për sa i takon rritjes së tregjeve në veçanti, u shënua një rritje në masën 34.92% të sigurimeve të Jetës dhe 15.55 % të sigurimeve të Jo Jetës. Aktualisht në vendin tonë operojnë shoqëritë aksionere Insig, Sigma, Sigal, Intersig, Atlantik, Sigred, Albsig, Interalbanian, Eurosig.