E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Pezës, si nuk është shkruar deri më sot

Retrospektivë historike


Konferenca e Pezës, parë në tre nivele vlerësimi: i pari nga 16 shtatori ‘42 deri fundi i vitit të luftës, nëntor ‘44; i dyti nga viti ‘45 deri fundi i viteve ‘80, kur fitimtarët shkruajnë historinë si fitimtarë; i treti, vitet e tranzicionit e vjen koha kur sot është vendosur të rishkruhet me objektivitet shkencor historia e shtrembëruar më së keqi, siç komentoi akademiku e drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, dhe natyrisht kur e majta politike të vijë në pushtet do të botojë historinë e arshivuar sot, si në përvojën e ardhjes në pushtet më 1997!

1. Dy javë nga Konferenca e Pezës, në buletinin “Zëri i Popullit”, nga “Bardho” [Dr. Ymer Dishnica] bëhej vlerësimi pozitiv i parë i mbledhjës së Pezës. Analiza kritike për Konferencën e Pezës, Frontin nacional-çlirimtar e këshillat nacional-çlirimtare, qoftë edhe midis rreshtave bëhej nga E. Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qëndror të nëntorit ’44: “Për Konferencën e Pezës nuk u bënë pregatitje dhe nuk u punua si duhej nga ana e Partisë sonë. ...Konferenca e Pezës ishte si një punë e improvizuar. ...Të gjithë ata që u thirrën në Konferencë nuk kishin një ide të qartë çdo të ngjiste atje, ata u thirrën me pusulla sikur do të venin në dasmë. ...Pregatitjet dhe puna jonë për këtë konferencë, si referatet mbanin vulën e një pune të improvizuar, të shpejtë dhe me pikëpamje të ngushta. ...Me një pregattije të tillë duallën ato që priteshin të dilnin, gjëra qesharake.” “Fronti identifikohej me ushtrinë, këshillat nacional-çlirimtare me celulat e Partisë.” Një analizë objektive, e parë nga poshtë e nga afër, që bëhej nga E. Hoxha.

2. Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në mbledhjen e 9 nëntorit ’45 Konferencën e Pezës e vendos të “Kremte zyrtare” në kalendarin e festave, siç është dhe sot, e për katër dekada përvjetor më përvjetor Konferenca e Pezës vizatohej ngjarje e madhe historike: nga Peza doli Fronti Nacionalçlirimtar, që bashkoi gjithë popullin në luftën fitimtare, dolën këshillat nacionalçlirimtare, organe të pushtetit të ri popullor dhe Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar që drejtoi luftën derisa shndërrohej në Shtabi i Përgjithshëm (korrik ‘43); kurse E. Hoxha merr meritën e ideatorit e drejtuesit të mbledhjes së Pezës. E. Hoxha do të bënte dy vlerësime kulmore për vetveten dhe Konferencën e Pezës, i pari në 35 vjetorin e Pezës në shkrimin “Konferenca historike e Pezës” (gazeta Bashkimi, 16 shtator 1977), i dyti në libri “Kur hidheshin themelet e pushtetit popullor” (1984), dhe të dy herët mbledhjen e Pezës e shihte nga larg e lart përkundër vlerësimit objektiv në nëntor ’44 kur e shihte nga poshtë e nga afër.

3. Në 18 vitet e tranzicionit e djathta politike në pushtet, në opozitë e përsëri në pushtet, ka vlerësim tepër negativ për Konferencën e Pezës. E majta socialiste në opozitë, në pushtet e tashi në opozitë, Konferencën e Pezës në çdo përvjetor e feston me madhështi, vitet e fundit festohen “Netët e bardha” të Pezës, historianët e politikës së majtë mbeten në vlerësimin tradicionalist të Konferencës së Pezës në monizëm, saqë në tre-katër vitet e fundit në përvjetorë të Pezës ka dhe promovime të E. Hoxhës me portrete, pllakata, banderola, këngë etj.

Burimet


Për Konferencën e Pezës në shoqërinë që lamë pas të vetmet burime ishin libra të E. Hoxhës, Rezolucioni i Konferencës me një faqe censuruar, një faqe “dokument” me delegatët e Konferencës që daton 23 maj 1960, dhe që në studime referohet si burim arkivor, por që nuk ka asnjë vlerë arkivore sepse është vendosur arbitrarisht në dosjen e konferencës për të fshehur të vërteta për delegatët; katër vjetët e fundit është shtuar i ashtuquajturi proces-verbali i mbledhjes së Pezës, por që s’është veçse i mistifikuar. Nga sot për Konferencën e Pezës, s’i nuk është shkruar deri më sot, me gjetje burime arkivore të rëndësishme në fonde të APL, Drejtorisë Policisë, Kuesturës së Tiranës, gjykatës fashiste, fonde të Koço Tashkos, i cili me vendimin nr. 168 (12.3.1952) të Këshillit të Ministrave, merrte të drejtën për studim të dokumenteve sekrete, dhe pa studimet e tij do të ishte e vërtetë përgjysmë, historia e grupeve komuniste, themelimi i partisë, Konferenca e Pezës etj., por që historianët as që i referohen kërkimeve të tij; kujtime të delegatëve të Pezës të viteve 1945-1960 etj. Faktet, korelacionet mes fakteve, vënia e fakteve në sitën e logjikës historike zbulojnë të vërteta të panjohura e të maskuara me mjeshtëri për mbledhjen e Pezës.

Mbledhje nacionaliste, para Pezës!


Tre vjetët e parë të pushtimit fashist s’pati asnjë demonstrim politik kundër regjimit fashist të pushtimit, vetëm se ndonjë rebelim antifashist nga rinia antifashiste në shkolla të mesme; grupet komuniste vazhdonin me grindje e mosmarrëveshje të mëdha, kurse nacionalistët po ndjenin peshën e pushtimit fashist, krijuan partinë e Ballit Kombëtar (1939), por pa strukturë të qartë organizative. Demonstrata e 28 tetorit ‘41 në Tiranë, demonstrimi i parë politik antifashist, që deri sot meritat i mori E. Hoxha, por siç shihet në burime arkivore demonstrata nuk organizohej nga E. Hoxha, dhe peshën kryesore e mbajtën rinia antifashiste e shkollave të mesme e elementë patriotë. Nga mesi i qershorit ’41, nacionalistët po ndjenin peshën e rëndë të regjimit fashist, kërkuan të organizohen në një mbledhje nacionaliste duke ftuar dhe delegatë nga partia komuniste. Koço Tashko, në raportin dërguar Komuniternit (vjeshtë ’42) shkruan: “Më 17 qërshor do të mbahej në Tiranë një mbledhje e nacionalistëve të cilët kishin dërguar delegatë të partisë.Ajo mbledhje nuk u mbajt sepse nacionalistët parashikuan rënien e Sebastopulit dhe fillimin e ofensivës gjermane.” Nga informacioni i Tashkos, edhe pse tepër i selektuar lihet të kuptohet se inisiativa e mbledhjes ishte e nacionalistëve.

Studim, për nacionalistët


I ngarkuar nga partia e tij për të punuar me nacionalistët, i nxitur edhe nga mbledhja e nacionalistëve e menduar për 17 qershorin, Koço Tashko studion shtresën e nacionalistëve dhe i shkruante Kominternit: “Unë i bëra partisë një analizë të nacionalistëve, të cilët i ndava në katër grupe: 1. Grupi i kompromisaxhinjve me të cilët kishim humbur kohë. 2. Grupi i atyre që janë atakuar drejt për drejt prej fashizmit (Muharrem Bajraktari, Bazi i Canes (A. Kupi), Myslim Peza, Myftar Kaloshi), ata që KQ nuk ka dashur tu përmendi luftën e armatosur kundër fashizmit Haxhi Lleshi e ndofta Shefqet Vërlaci ose ndonjë përfaqësues i tij dhe disa nacionalistë të dorës së dytë që janë afër popullit e që kanë treguar simpati për partinë. 3. Grupi i Franceskanëve të Shkodrës të cilët janë treguar antifashistë dhe janë të ndeshur me Jezuitët. Si dhe ca fetarë ortodoksë që janë të ndeshur me Unitët. 4 .Grupi i Mehdi Frashërit i cili nuk është kundër akcionit por është shumë plak dhe pas internimit të tij grupi i tij ka rënë në duar të grupeve të tjerë. I propozova Partisë të mbajë në Pezë një konferencë tue patur si bazë grupin nr. 2.” Tashko është një nga organizatorët e Konferencës së Pezës, dhe për konfliktet politike me Miladin Popoviçin do të ndëshkohej prej tij duke i hequr përgjegjësi që i ishin dhënë.

Ftesë, për në Konferencë!


Ftesë e delegatëve për Konferencën e Pezës me ca të vërteta mes rreshtave e mes fjalëve të rreshtit. Ftesa bëhej në emër të KËSHILLIT INISIATOR për mbledhjen e Konferencës për Çlirimin Kombëtar. [Faksimile 2] Partia Komuniste punon vetëm me vendime të qarkorit apo të komitetit qëndror, dhe “Këshilli inisiator” është praktikë që ngrihet nga dy a më shumë forca, grupime a parti politike të ndryshme e që diku bashkohen në interesa të njëjta. Pa mëdyshje këshilli inisiator krijohej nga dy forcat politike: partia e komunistëve dhe nacionalistët apo midis nacionalistëve dhe komunistëve, por e di mirë se brezi i parë e i dytë i nacionalistëve ndjehen mospranues për bashkëautorësi në Konferencën e Pezës, ashtu si edhe të majtët s’mund të pranojnë kësi bashkëautorësie. Mbetet të kqyr mes rreshtash në ftesa e delegatëve për në Pezë, ose është i vetmi dokument i mbetur. Teksti i ftesës së delegatëve:

”5 Shtator 1942

I ndershëm Zotni,

Në këtë çast të rëndësishëm për vendin t’onë, kur historia e popullit shqiptar po shkruhet me gjak dhe kur gjithë bota ësht’ në luftë, ne kemi vendosë të mbledhim një Konferencë të Shqiptarëve të ndershëm që duan të luftojnë për lirinë e vendit.

Populli shqiptar që ka për traditë luftën për liri, duhet sot kur ka për aleat gjith popujt e shtypun dhe aleancën e madhe të tre popujve ma të mëdhenj e ma të organizuem të botës- Amerikën, Ingliterën dhe Bashkimin Sovjetik- të mos qëndrojë mbrapa, po t’i përvishet me hov dhe pa humbur kohë luftës për lirinë e vet.

Në kët luftë duhet të marrë pjesë i gjithë populli shqiptar i bashkuem si një bllok, pa dallim klase, feje e tendence politike.

Kemi një armik të përbashkët, të gjithë duhet të bashkohemi dhe nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut t’a çojmë popullin shqiptar në liri.

Duke pas besim në ndershmërinë e patriotizmin t’uaj, jemi të sigurt se ju nuk do të mungoni me marrë pjesë në këtë mbledhje me rëndësi historike për popullin shqiptar.

Konferenca do të bëhet në PEZË TË MADHE më 14 shtator 1942.

Me përshëndetje shqiptare

KËSHILLI INISIATOR për mbledhjen e

Konferencës për ÇLIRIMIN KOMBËTAR”

Ftesa [faksimile 2] nis me “I ndershëm Zotni”, është në etikë komunikimi të nacionalistëve, që përkundër komunistët drejtohen me “i dashur shok”, ndërsa fjala zotni në dokumentacionin e luftës s’mund të gjendet në asnjë rast, përveçse kur komunikohet me forca të huaja, si Misioni Aleat. Në dokumentat e nacionalistëve Aleatët citohen vetëm me rendin: “Amerika, Inglitera dhe Bashkimi Sovjetik”, ndërsa në dokumentet e Partisë Komuniste e organeve të Luftës Aleatët jepen me rendin: Aleatët Anglo-sovjeto-Amerikanë. “Të bashkohemi nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut” është refren në dokumente, shkrime e publicistikë të nacionalistëve, të Mitat Frashërit, dhe s’mund të gjendet qoftë një herë në dokumente e shkrime të Partisë Komuniste e të udhëheqësve të saj. “Çlirimi kombëtar” që mbyll ftesën, është programi i nacionalistëve për Shqipëri etnike, kurse programi i komunistëve është çlirimi i vendit, në kufij të rinj politik. Dhe kjo faktologji s’më çon kund tjetër veçse të konstatoj: ftesa e delegatëve është shkruar nga dorë nacionalisti, anëtar i atij komisioni inisiator.

Delegatët e Konferencës


Në Rezolucionin e Konferencës së Pezës jepen delegacionet pjesëmarrëse në Konferencë: “Delegatët të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e të gjitha tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe të Rinisë Femërore Popullore Shqiptare.” Për nga renditja e delegacioneve, jo pa domethënie, në rend të parë janë “përfaqësuesit e të gjitha tendencave të nacionalizmit shqiptar”, të dytët të Partisë Komuniste Shqiptare, të parët përfaqësuesit e Rinisë Nacionaliste e pas tyre Rinia Komuniste, e konstatimi në renditje është domethënës: delegacionet nacionaliste ishin në prioritet në raport me të komunistëve. Në Historia e Partisë delegacionet pjesëmarrëse në Konferencën e Pezës jepen me këtë renditje: “Delegacioni i Partisë Komuniste Shqiptare, delegacioni i Rinisë Komuniste Shqiptare dhe i Gruas Antifashiste, dhe delegacioni i forcave të tjera, si zogistët”, ndryshimi që i bëhet Rezolucionit është i motivuar për të vënë në plan të parë delegacionet e partisë komuniste. Dr. Ymer Dishnicës, ministër i shëndetësisë, pyetjes “Sa kanë qënë e cilët kanë qënë njerëzit dhe korrentet që muarr pjesë në Konferencën e Pezës” i përgjigjej: “Kanë qënë katër: të parët kanë qënë njerëzit e maleve, ata që i kishin hapur me kohë luftë fashizmit, këta qenë delegatët që vinin nga çetat ose vetë kryetarët e çetave partizane vullnetare, pastaj ishte Partia Komuniste që e kishte kuptuar me kohë se duhej luftuar karshi fashizmit, pastaj me radhë në konferencë ishte Rinija Antifashiste.” . Ymer Dishnica i shmanget përgjigjes së drejtpërdrejtë të pyetjes që kërkon sa ishin delegatët dhe cilët ishin ata, megjithatë në përgjigje vihet re se të parët e delegatëve ishin njerëzit e maleve, të dytët ishin komunistët dhe përgjigjia përkon me renditjen e delegacioneve si në Rezolucion.

Rezolucioni ka një faqe në nderim të çetave partizane që luftojnë me trimëri kundër pushtuesve fashistë, por paragrafi që citojmë është censuruar në botimin e dokumenteve të Luftës dhe doli në dritë më 1996 në një botim të AQSH-së: “Në Gjirokastrën e Çerçizit e të Mashkullorës sot po luftojnë çetat partizane. Në Vlorën e Ismail Qemalit sot po luftojnë çetat partizane. Në Korçën e Themistolki Gërmënjit, Spiro Ballkamenit, Të Bajazit Rehovës e të Gani Butkës, sot kërcet pushka në Grabovicë, Moravë e Vithkuq. Në Skraparin e Riza Cërovës sot lufton Gjin Marku e Mestan Ujaniku me shokë. Në Dibër çeta trime e Haxhi Lleshit godet e gjakos milicë e karabinierë. Në Mat një çetë partizane godet e shfaros një postë ushtarake. Dy çetat plaka, çeta e Bazit të Canës dhe e Myslim Pezës sigurisht në rastin më të parë do t’i japin grushte fashizmit. Në Lumë çeta trime e Muharrem Bajraktarit i dha grushte të forta milicisë. Nuk duhet të harrojmë edhe çetën e Ismail Petrelës, e cila është gati të hyjë në veprim.” Përse duhej censuruar paragrafi për luftën e popullit kundër fashizmit? Thelbin e përgjigjes e jep Koço Tashko: “Deri në prag të Konferencës së Pezës komunistët thuajse nuk kishin krijuar asnjë çetë partizane që të udhëhiqesh nga ata vetë, krejt ndryshe me nacionalistët e patriotët.” Censurimi bëhej të mbetej në errësirë lufta e trimave të zbritur nga malet e meritat t’i merrte partia komuniste. Si edhe e thoshte Dr. Ymer Dishnica, në konferencë ishin dhe përfaqësuesit apo kryetarët e “çetave partizane vullnetare” të patrotëve apo nacionalistëve, për t’i dalluar nga “çetat partizane” të drejtuara nga komunistët. Mirëpo në të ashtuquajturin dokument të 23 majit 1960 nuk ka asnjë prej komandantëve të çetave partizane vullnetare, si Muharrem Bajraktari, Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Bajazit Rehovës, Dule Alarupi etj., që ishin delegatë në Pezë.

S’ka asnjë burim arkivor që mban “vulën” e kohës për emrat e delegatëve të mbledhjes së Pezës, në Arkiv të Shtetit është një copë letër (daton 23 maj 1960), që referohet në botime shkencore a në media por është një sajesë që s’plotëson asnjë kriter të qëni burim arkivor për dosjen e mbledhjes së Pezës. [Faksimile 3]

Siç shihet, janë hedhur në kartë delegatë të Konferencës Pezës, sipas kësaj renditje: Enver Hoxha, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Koço Tashko, Nexhmije Hoxha, Nako Spiru, Baba Faja, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Ndoc Çoba, Abaz Kupi, Halim Begeja, Ramazan Jarani, Naim Starova, Ismail Petrela, Ramadan Çitaku, një partizan i çetës Pezës (përfaqësues i fshatarësisë). Nuk mori pjesë në konferencë Lumo Skendo (dërgoi përfaqësues Halim Begeja), erdhë me vonesë: Skënder Muço, Azis Çami; nuk erdhën Musa Puka e Kamber Qafmolla; morën pjesë pa të drejtë vote Mustafa Kaçaçi, sekretar i çetës Pezës- Pandi Dardha; dhe “dokumenti” është shkruar për të lënë gjurmë se Enver Hoxha ishte njëshi në organizimin dhe vendimmarrjen e konferencës dhe të fshehë të vërtetën e ngjarjes.

Enver Hoxha, anëtar i KQ të partisë, me përgjegjësinë e financës së partisë, me detyrë sekretar i qarkorit të Tiranës, është pak e besueshme të mund jetë lideri i kësaj konferencës, kur në krye të saj pritej sekretari politik i partisë, Tuk Jakova. Në mars ‘45, kur Jakova zgjidhej në krye të sindikatave, në biografinë e tij shkruhej se ishte delegat në Konferencën e Pezës; kur gradohej major në biografinë e tij shkruhet: “...Tuk Jakova mori pjesë në Konferencën e Pezës si një nga njerëzit që kishte provuar më së miri dashurinë e tij të fortë për kauzën e popullit si një nga ata që kishte punuar me të gjitha energjitë për organizimin e luftës nacional-çlirimtare.” Në nëntor 1948 Tuk Jakova, Mehmet Shehu, Bedri Spahiu me vendim të Byrosë Politike shpalleshin Hero Kombëtar dhe në një faqe gazete me dy kollona secili botohej biografia e çdocilit dhe sërish Tuk Jakova pjesëmarrës i nderuar në Konferencën e Pezës. [Faksimile 4] Në biografi të Nexhip Vinçanit, që bëhej nga partia për kandidat i KQ shkruhet: “...Nexhip Vinçani: për aktivitetin e luftën e tij kundër armikut thirret të marrë pjesë në Konferencën e Pezës.” S’mund të vihen në dyshim dy biografi nga qëndrori i partisë për Tuk Jakova e Nexhip Vinçani si delegatë në Pezë, Tuku me cilësinë e sekretarit politik të partisë, njëshi i delegacionit të partisë komuniste. Janë dy argumente për t’i hequr kryq “dokumentit” për delegatët e mbledhjes së Pezës, po ashtu dhe proces-verbalit të mistifikuar e mbajtur nga Nexhmie Xhuglini në mbledhjen e Pezës, që pozohet dukshëm në Muzeun Historik Kombëtar. Edhe kujtime të ish-delegatëve të Pezës janë të besueshme sepse atëbotë s’mund të merrje guxim për merita që nuk të takonin. Disa nga protagonistët e ngjarjes së Pezës, me kujtime të tyre si delegatë: Dule Alarupi e Gjin Marku delegatë në Pezë; Omer Nishani, Ibrahim Dervishi, Qirjako Harito, 40 delegatë në Pezë, Muharrem Butka, Biografi i Titos, V. Djedier në Marrëdhëniet jugoslavo-shqiptare 1938-1948, Skupje 1949, citon D. Mugoshën: “përfaqësuesi i minoritetit, Manol Konomi, ishte delegat në Konferencën e Pezës.” Nga Rezolucioni mbeti në hije delegate e Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, e identifikuar Ramize Gjebrea. Rrethi i delegatëve që jep “dokumenti” zgjerohet me shumë delegatë, veçanërisht delegatë aso kohe me emër si Tuk Jakova, Gjin Marku, Omer Nishani, Dule Alarupi etj. Përderisa në konferencë ishte delegat sekretari politik i partisë komuniste, Tuk Jakova, as mund të mendohet që E. Hoxha ishte krye të konferencës, për më tepër ai vetëportretizohet me ngjyra të zeza në konferencën e Pezës.

Në faksimile 3 lexohet: Musa Puka e Kamber Qafmolla nuk erdhë në Konferencë. Cila është e vërteta? Eshtë e vërtetë se Musa Puka kishte ftesë për delegat, por nuk mori pjesë në konferencë. Cili është Musa Puka? Tepër i besuar nga Qeveria Ahmet Zogu e Ministria e Brendëshme fashiste: Në vitet 1924-1925 drejton Shërbimin sekret të Qeverisë së Zogut, më 1939 nënprefekt në Mallakastër, më 1941 insektor epror në Ministrinë e Brëndëshme. Me këtë trashëgimi mirëbesimi nga Zogu e regjimi fashist i pushtimit, Musa Puka fiton mandatin e partisë komuniste për delegat në Konferencën e Pezës, dhe çka ishte që Musa Puka merr besim për delegat në konferencë? Ka një përgjigje: Musa Puka, i infiltruar i shërbimit të fshehtë fashist. Musa Puka nuk ia arriti të marrë pjesë në mbledhjen e Pezës, sepse dy javë më parë do të vritej, por që nuk dihet asgjë për vrasjen e tij. Në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH (mars ’43) pati delegatë që diskutuan për Musa Pukën dhe në proces-verbalin e Konferencës mbetën disa shënime: “Çështja e Musa Pukës, megjithëse ky i fundit kishte tradhëtuar, që gabim se nuk ishte demaskuar në Shkodër ku kishte qënë miku i partisë. ...lidhjet me qëndrorin dhe tregon prap se shokët...në çështjen.” Në procesverbalin e Konferencës ka dhe një shënim tjetër të përafërt me të parin: “Çështja e Musa Pukës megjithëse ky i fundit kishte tradhëtuar, qe gabim sepse nuk qe demaskuar sa duhet në Shkodër ku kishte qënë miku i partisë.” Nga shënimet e mbetura nga diskutimet në Konferencë është e qartë se Musa Puka tradhëtonte komunistët, meraku i diskutantëve është se duhej demaskuar më shumë për tradhëtinë e tij, kurse vrasja (pushkatimi) bëhej nga komunistët pa lënë asnjë gjurmë (ose ka e s’kam mundur t’i gjej), me kodin “dekorim” pa zhurmë e bujë, në praktikën e E. Hoxhës.

Në faksimilen 3 lexohet se Kamber Qafmolla nuk mori pjesë në Konferencën e Pezës, por në dokumente s’mund të fshihet si delegat në Pezë. Proces-verbali i hetimit (dosja 269, f. 118-121,1942) ka një dëshmi të Hazis Perleka, shofer i Prefekturës së Tiranës: “Kapiten Tahsim Qafmolla... më ka urdhërue me shkue me marrë Kamber Qafmollën e me çue në Pezë dhe unë e çova. Të nesërmen siç më tha kapiten Tahsimi shkova dhe mora Ndoc Çobën dhe e çova deri tek kazermat e Pezës. Atë ditë pasdite kapiteni tue nga automobilin me shkue tek Myslimi e tue e gjet të zanun me punë kthehemi pa atë. Ndeshim me Azis Çamin e me Skënder Muçon në rrugën Musolini të cilët hypnë në makinë dhe u nisëm në Pezë...” Përse mëtohet të mbahet në fshehtësi qënia e Qafmollës delegat në Konferencën e Pezës? Në Mbretërinë e Zogut ishte me detyra: zëvëndëskomisar në Tiranë (1933), kryekomisar në Tiranë (1933), kryekomisar në Tiranë (1937), zëvëndës prefekt e qarkkomandant në Vlorë (1936-1937), kuestor në Tiranë (1940-1941). Kamber Qafmolla, në rrethin e ngushtë të të besuarve të Mbretit, kuestor i njohur për egërsi në ndjekje të komunistëve, rinisë antifashiste, intelektualëve patriotë, merr bekimin e partisë për delegat i konferencës, dhe si e shohim më pas vihet në drejtimin e mbledhjes së Pezës dhe merr për ca muaj frenat e drejtimit të shtabit të luftës. Natyrisht, shumëkush asqë beson se Qafmolla është kuestor, madje komandant i kustorëve të Tiranës dhe nga të shumta dokumente me siglën Qafmolla sjell faksimile 5, për demonstratën e 28 tetorit 1941.

Arsye e parë e sajimit të dokumentit të delegatëve dhe arkivimi i saj në dosjen e Pezës është nxjerrja në reliev e Enver Hoxhës për t’i dhënë më pas “meritën” e udhëheqësit të Konferencës së Pezës, kurse arsye e dytë është korrigjimi i faktologjisë së mbledhjes së Pezës për lidhje politike të forta të Myslim Pezës me nacionalistin ballist Ramazan Jarani dhe të Abaz Kupit me Mustafa Gjinishi. Faktologjia është nga delegati i Pezës, Ramadan Çitaku, dhe s’mund të vihet në dyshim: “Ndoc Gjoka (Çoba) dhe Kamber Qafmolla ishin legalë dhe për këtë arsye u vendos që mbledhjet (e Këshillit Nacional-çlirimtar) të bëheshin në Tiranë, dhe me propozim të të interesuarve (Abaz Kupi dhe Myslim Peza) u pranua që Abaz Kupi të përfaqësohej (në mbledhjet e Këshillit Nacional-çlirimtar) nga Mustafa Gjinishi dhe Myslim Peza prej Ramazan Jaranit.” Në faksimile 3 në fund është shënimi në emër të Ramadan Çitakut: “Me qënë se mbledhjet e këshillit do të bëheshin në Tiranë Myslim Peza dhe Abaz Kupi e autorizuan Mustafa Gjinishin që t’i përfaqësonte ata dhe t’i lajmëronte për vendimet që do të merrte këshilli. Ramadan Çitaku. 23 maj 1960” Dhe mungon sigla e Ramadan Çitakut që do të thotë se manipulohet me autorin, që ka shkruar në Luftëtari i 45-ës. Emri Ramazan Jarani zëvendësohet me Ymer Dishnica, me merakun se lidhjet e M. Pezës me R. Jaranin do të ishin kompromentuese për Konferencën e Pezës e vetë M. Pezës.

Presidiumi i Konferencës.


Për presidiumin e konferencës s’është gjetur ndonjë gjurmë dokumenti arkivor, janë vetëm tre dëshmi nga delegatë të konferencës: Nexhmie Hoxha kujton se “drejtimi i konferencës u bë nga Ndoc Çoba”; nga Ramadan Çitaku, delegat i Pezës, vjen presidiumi i Konferencës së Pezës: “Ndoc Gjoka (Çoba), Kamber Qafmolla, Baba Faja (Martaneshi), Ramadan Çitaku, Abaz Kupi”, Në pesëvjetorin e Konferencës Pezës, në intervista në Reggio Emilia delegati Halim Begeja rrëfen presidiumin e konferencës: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla e Abaz Kupi. Nexhmie Hoxha në drejtimin e konferencës jep vetëm Ndoc Çoba me qëllim të mbajë në fshehtësi Kamber Qafmollën, që në librin Jeta ime me Enverin e damkos tradhëtar, të mbajë në fshehtësi edhe Abaz Kupin “tradhëtar” i atdheut e “bashkëpunëtor” i gjermanëve; edhe Halim Begeja s’është plotësisht i saktë sepse s’mund të besohet që komunistët të mos kishin asnjë përfaqësues të tyre në presidiumin e konferencës, megjithatë tre emrat që ai jep (Qafmolla, Kupi, Çoba) përkojnë plotësisht me rrëfimin e Ramadan Çitakut. I besueshëm është presidiumi sipas Ramadan Çitakut: “Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Abaz Kupi, Baba Faja, Ramadan Çitaku.”

Është për t’u vënë re se në presidiumin e konferencës komunistët përfaqësoheshin nga Ramadan Çitaku, nacionalistët e patriotët nga Ndoc Çoba (ishte dhe përfaqësuesi i katolikëve të Veriut) e Abaz Kupi, relegjioni nga Baba Faja, kurse Kamber Qafmolla s’dihet kë përfaqësonte (kreu i kuesturës fashiste të Tiranës). Timoni i konferencës është në dorë të nacionalistëve, kur gjithnjë është shkruar, madje dhe sot, se “partia komuniste ishte inisiatore, organizatore e drejtuese e konferencës së Pezës.” Sa mund të jetë e vërtetë kjo kur presidiumi i i konferencës në shumicë ishte me nacionalistë, në raport 4:1? Logjika të çon në konstatim se komunistët ishin pakicë në Konferencë dhe nëse kjo s’është e vërtetë, atëherë ç’përgjigje i jepet pyetjes pezull: përse në presidiumin e mbledhjes ze vend vetëm një komunist dhe 4 nga forcat nacionaliste?

Nexhmije Hoxha në kujtime të veta shkruan se konferenca hapet nga Ndoc Çoba, kurse Enver Hoxha 42 vjet më pas shkruante: “Në hapje të mbledhjes, unë, në emër të delegacionit të Partisë Komuniste, që ishte iniciatore e Konferencës, falenderova delegatët për pjesëmarrjen e tyre dhe propozova që mbledhjen ta drejtonte Ndoc Çoba.” . E. Hoxha të drejtën për të drejtuar konferencën ia jep presidiumit dhe merr meritën e pamerituar të hapjes së konferencës.

Konferenca “me gjëra qesharake”


Është e njohur thënia e vjetër: Më lehtë pranohet një rrenë e vjetër, se sa një e vërtetë e re, që në rastin e dhënë ndryshon kahet: një gënjeshtër e re dhe një e vërtetë e vjetër! Në shoqërinë pluraliste s’është bërë ndonjë debat shkencor për konferencën e Pezës, veçse polemikë politike mediatike në ditnetët festive të Pezës a batuta në emisonet çdoformëshe. Vetëm se një herë shkrimtari Ismail Kadare nëpërmjet valëve të Zërit i Amerikës bëri kritika të forta objektive për promovim të E. Hoxhës në një përvjetor të Pezës, kurse historiani Prof. Paskal Milo i devijoi debatit e me mjeshtëri, ia la topin në portë shkrimtarit, dhe s’kaloi shumë kohë e bëhet autogol në portën e historianit.

E vërteta e amshuar, rrena e re.

Për të majtën politike, simpatizantët e saj dhe historianët e së majtës, Konferenca e Pezës është një nga katër kalatë e Luftës që s’mund të dorëzohet. Argumentet? Konferenca e Pezës, nga ngjarjet më të mëdha që mbetet në histori, sepse nga Peza doli Fronti Nacionalçlirimtar që bashkoi popullin në luftën fitimtare, nga Peza dual këshillat Nacionalçlirimtare si organe të pushtetit të ri popullor, nga Peza doli Këshilli i Përgjithshëm Ncionalçlirimtar. Dy vlerësime për Konferenca e Pezës nga Enver Hoxha: i pari objektiv, i parë nga poshtë e nga afër në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH, dhe i dyti i parë nga larg e lart me syrin e fitimtarit të luftës, në 35 vjetorin e Konferenca së Pezës (1977). E. Hoxha: “Konferenca e Pezës do të kishte reperkusione të pallogaritshme për fatin e Luftës Nacional-çlirimtare, për unitetin e popullit, për shkatërrimin nga themelet të pushtetit të vjetër shfrytëzues feudo-borgjez fashist dhe krijimin e pushtetit të ri. ...Rëndësi kishte caktimi i tezave, i direktivave që Komiteti Qëndror duhet t’i parashtronte Konferencës. U propozova shokëve orientimet kryesore mbi rolin e Frontit e këshillave dhe vendimet që duhet të fiksoheshin në një Rezolucion, i cili duhej t’i paraqitej Konferencës për diskutim e mendim. Cilat ishin këto parime bazë mobilizuese që PK do t’i parashtronte Konferencës? Bashkimi i gjithë popullit shqiptar dhe organizimi i tij i tij në luftë kundër pushtuesve. Këto ishin pikat kardinale që unë i ngarkuar i KQ shtjellova në raportin kryesor mbi këshillat para Konferencës.” . E. Hoxha natyrisht as që i ka shkuar në mendje se mund të ndryshojnë kohët dhe të shihet E. Hoxha në diskutimin e tij, më 24 nëntor ’44, në Plenumin e Dytë të KQ të partisë komuniste.

E vërtëta e pamëshirë, e vërteta e vjetër

E vërteta e konferencës së Pezës, e parë nga poshtë e nga afër nga E. Hoxha me cilësinë e komandantit të luftës dhe koka e partisë: “Po si u paraqit para mua Konferenca e Pezës. Edhe kjo ishte karakteristika e punës së Aliut [Miladini]. Ai ishte në Pezë dhe unë në Tiranë, që neve keshëm folur më përpara por fare pak, mora një letër ku më thotë të lajmërosh filanin e filanin se do bëjmë konferencën, kur vajta atje gjej këta shokë që po haheshin për referatet. Po haheshin atje se a ta vemë këtë a të mos a vemë. Pas një dite dualëm në konferencë për të mbrojtur vijën e luftës nac.çl. Neve keshëm turp, s’jeshëm njerëz të masave, do lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo. Me një pregatitje të tillë duallën ato që priteshin të dilnin, gjera qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qënë sa për me lexue një front [referat]” [Faksimile 6]. E. Hoxha që s’kishte asnjë informacion për konferencën (“me Miladinin keshëm folur fare pak”), E. Hoxha që mbërriti në Pezë më 15 shtator dhe gjeti të gatshëm referatin e s’ishte aspak i aftë të mbrojë tezat për vijën e luftës nacionalçlirimtare (“do lexoja referatin por jo të mbroj tezën”), E. Hoxha që, në Konferencën e Pezës shihte se “dolën gjëra qesharake”, dhe për të gjitha kam ndjesinë se dhe autori më jep të drejtë t’i quaj qesharake përvijimet që bën autori 42 vjet më pas, si në paragrafin e cituar më parë.

Fronti dhe këshillat

Partizanët e mbledhjes së Pezës mbajnë në dorë flamurin e Frontit Nacionalçlirimtar, i dalë nga Peza që krijoi unitetin e popullit në luftë dhe të këshillave Nacionalçlirimtare organe të pushtetit të ri popullor. Për E. Hoxhën e të tjerë pas tij Fronti ishte i paqartë, nuk dihej kush duhej të hynte në të; Fronti identifikohej me partinë komuniste; vendimet e detyrat e eprorëve jepen vetëm në emër të partisë komuniste, e Fronti ishte i panjohur; Fronti reduktohej thjesht e formalisht në punë me nacionalistët, edhe nacionalistët shiheshin si armiq të partisë e shumë këtë fat patën; në emrin e Frontit populli u copëtua si mos më keq: një pjesë e popullit, që simpatizonte komunistët; pjesa tjetër, nacionalistët e Ballit, me shtrirje të gjërë në qarkun e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, në Shqipërinë e mesme, dhe pjesa tjetër: Abaz Kupi me përkrahje të gjërë në krahinën e Krujës, Matit, Dibrës, e në mjaft fshatra të Tiranës. Bashkimi i popullit pa dallim krahine, feje e bindje politike në një front të vetëm ishte strategjia më e mirë në luftë kundër fashizmit, por bashkimi i popullit në një Front as që u kuptua nga Enveri me shokë dhe as u krijua Fronti. Kurse këshillave Nacionalçlirimtare vetëm emri u kishte mbetur i tillë; këshillat s’ishin tjetër veçse celula partie në frymë e përmbajtje, anëtarësia e tyre vetëm me komunistë e simpatizantë të tyre, e s’mund të gjendej në to një emër nacionalisti a patrioti; këshillat, ishin organe të drejtpërdrejta të partisë e me vetëm propagandë komuniste, në Jug quheshin sovjete në imitim të sovjeteve staliniste; me përfundim se këshillat nacionalçlirimtare ishin formale dhe pa asnjë vlerë.

Fronti dhe këshillat parë nga E. Hoxha me syrin e komandantit të Luftës dhe koka e partisë komuniste, e që s’mund të gjendet një fjalë e mirë nga Hoxha për Frontin e këshillat: “Çështja e Frontit Nacional-çlirimtar për ne nuk ishte e qartë, ushtria identifikohej me Frontin, dhe Fronti as që u krijua, përkundër pikë së pari ne nuk shihnim rëndësinë që kishte fshatarësia për partinë e luftën....Çështja e Frontit tek ne nga fillimi deri vonë shtrohej në “punën me nacionalistët” dhe kjo si një sektor pune i dorës së dytë e të tretë. ...Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim një ide të qartë ç’ishte Fronti dhe Këshillat nacionalçlirimtare. ...Ne vetë nuk e shihnim në dritën e vërtetë Frontin dhe ç’duhej të bënte e të përmblidhte në gjirin e vet ky Front. ...Duhet të kuptonim mirë se Ushtria nuk ishte Fronti por një pjesë e Frontit. ...Këshillat ishin formale, konsideroheshin organe të Partisë dhe nuk kishin asnjë vleftë....Pas Konferencës së Pezës u formuan këshillat nacionalçlirimtare, mbetën formale e të mbyllura. ...Në Vlorë e Gjirokastër këshillat tona u quajtën sovjete,...këshillat ishin bërë organe të drejtpërdrejta të partisë, aty flitej në emër të partisë. Propaganda për partinë bëhej e hapët dhe nga një punë e tillë krahina e Vlorës ndahet në dy kampe, ai i komunstëve dhe i nacionalistëve dhe çdo ditë ashpërsohej puna. Po kështu ngjau e në vënde të tjera, në Korçë e në Elbasan. ...Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim ide të qartë ç’ishte Fronti dhe këshillat nacionalçlirimtare. Këshillat nçl. për ne ishin disa grupe të rastit, të cilat do të ndihmonin luftën dhe mobilizimin, por rolin e vërtetë dhe perspektivën ne nuk e kishim. Këshillat mbetën këshilla që duhet të gjenin kuaj për partizanët ose për ndonjë komandant dhe për ti sjellë bukë një reparti, për të marrë si shpërblim, në rast mungese buke, të shara ose fyerje si tradhëtar apo sabotator. Këshillat nuk lindë nga thellesitë e masave e nga nevoja që Shqipëria të organizohej në një mënyrë të re.”

Eshtë shkruar më parë se orientimet e Kominternit për këshillat nacional-çlirimtare dhe Frontin popullor u shtruan në Konferencën e Pezës. Një letër e Titos e 22 shtatorit 1942, që i drejtonte “ Shokëve të Komitetit Qëndror të Partisë (shokut Miladin)”, shkruan se po dërgonte dhe orientimet që vinin nga “DJEDA”, e shqipëruar vjen “Gjyshi”, pas “Djeda” fshihej Kominterni.

Çështja e Kosovës


Diskutime të forta dhe për çështjen e Kosovës. Nacionalistët, që e kishin në program politik çështjen kombëtare, vinin në Pezë me mendim të qartë për Shqipëri etnike. Këtë e dinin mirë komunistët, ndaj më 12 shtator komunistët bëjnë mbledhje të veçantë për “çështjen e Kosovës, e cila nuk mund të lihej pas dore, se këtë çështje nacionalistët do ta ngrinin, sikurse me të vërtet e hapën.” Koço Tashko, me cilësinë e të ngarkuarit nga Kominterni, më tej sqaronte: “Thënia e një anëtari të KQ se për shqiptarët e Shqipërisë së vjetër problemi i Kosovës nuk ekziston, kjo nuk i përgjigjet të vërtetës, por është një tentativë për të justifikuar dorëheqjen tonë [e partisë] nga ai problem [Kosova] deri sot.” Teza se “problemi i Kosovës nuk ekziston” ishte vetëm e çiftit Miladin-Dushan, dhe ai “anëtari i KQ” që mbron tezën se problemi i Kosovës nuk ekziston është vetëm E. Hoxha sepse ai e ka pohuar vetë se ishte bërë njësh me Aliun (Miladinin), dhe sigurisht s’kishte asnjë tjetër komunisr të vihej në mbrojtje të tyre, aq më tepër për Kosovën. Nuk është gjetur asnjë gjurmë arkivore si shkoi diskutimi për Kosovën, por s’dyshohet se ishte i ashpër, dhe ndodhi çka s’pritej, nga konferenca pranohej parrulla politike: “Rroftë Shqipëria e lirë, e pandashme, indipendente dhe demokratike.” [Faksimile 7] Dhe Shqipëria e pandashme është Shqipëria etnike. E fortë vendosmëria e nacionalistëve për Shqipërinë e pandashme, sa Këshilli i Përgjithshëm [i Përkohshëm] Nacionalçlirimtar, i dalë nga Konferenca, parrullën politike për Shqipëri të pandashme e hoqi në thirrjen e dytë të Këshillit që shpërndahej në fund të shtatorit 1942, dhe Shqipëria etnike pati vetëm dy javë jetë!

Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar


Zgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar ishte shumë e debatushme, Miladin Popoviçi ishte kundër formimit të Këshillit dhe bën lojën që nacionalistët të privoheshin nga e drejta e zgjedhjes në Këshill, me qëllim t’i mbajë nacionalistët në lidhje me partinë komuniste si individë, që të mos mundeshin nacionalistët të marrin një personalitet politik të organizuar, kurse nacionalistët nuk tërhiqen nga këkesa për Këshillin e Përgjitshëm Nacionalçlirimtar. I vetmi burim për qëndrimin e nacionalistëve vjen nga Koço Tashko: “Miladini propozoi që konferenca të mos ketë të drejtë të krijojë Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. “Ky këshill duhet të dalë nga lufta” dhe jo nga Konferenca. Këtë e kundërshtuan të gjithë, përveçse një anëtar i KQ “, dhe siç del në shënimet e “proces-verbalit” ai është pikërisht Tarasi. Dhe vazhdon: “...të drejtën nuk mund tua marrim nacionalistëve të formojnë një Këshill, ata mund ta formojnë këshillin dhe pa neve po të tregohemi kokëfortë, se janë mbledhur dhe nuk duan të ikin duarbosh.” Konferenca vendosi krijimin e Këshillit, ishte meritë të delegatëve nacionalistë. Vërtet fituan nacionalistët për krijimin e këshillit, por s’do kalonin dy muaj dhe nacionalistët e zgjedhur në këshill do përfundonin në polici e gjyq fashist të spiunuar nga komunistët, siç do e shohim më pas.

Nga Konferenca doli Këshilli i Përgjithshëm (i përkohshëm) i formuar nga Kamber Qafmolla (kryetar) Mustafa Gjinishi (sekretar), Enver Hoxha (anëtar), Dr.Ymer Dishnica (anëtar), Myslim Peza (anëtar), Ndoc Çoba (anëtar), Abaz Kupi (anëtar). Nacionalistët që kërkonin vendosmërisht krijimin e Këshillit do t’i mbulonte habia e madhe kur kryetar zgjidhej Kamber Qafmolla, kuestor fashist(!)]. Eshtë për të patur në vëmëndje dhe një fakt që ka mbetur nga Abaz Kupi, i larguar nga Këshilli dhe në krye të Partisë së Legalitetit, në përgjigje të demaskimit që i bëhej nga Këshilli i Përgjitshëm. Abaz Kupi i shkruan Këshillit të Përgjithshëm se “vendimet e marra në Konferencën e Pezës pësuan shumë ndryshime, si p.sh., Këshilli i Përgjitshëm që duhej të formohej me pesë nacionalistë e dy komunistë dhe mbeti me dy nacionalistë. Kjo gjë më dha me kuptue se komunistët nuk donin me mbajt qëndrim të sinqertë kundrejt nacionalistëve.” [Kritikave të forta të Abaz Kupit nuk iu përgjigj asnjëherë Këshilli i Përgjithshëm i E. Hoxhës.] E solla faktin se në të zbulohet vendimi i Konferencës së Pezës për raportin e nacionalistëve dhe komunistëve 5:2 në Këshillin e Përgjithshëm, por dhe për pikëpamjen time se në konferencën e Pezës komunistët ishin pakicë, më të fortët ishin nacionalistët. Me debat, Konferenca vendosi që komunistët të mbanin flamurin me yll dhe yllin në flamur e kapele e morën nga jugosllavët, kurse nacionalistët mbanin flamurin kuq e zi. Delegatët e konferencës ranë dakort që më 1 tetor të priteshin linjat e telefonit, të hidheshin parrulla antifashiste dhe më 10 tetor të bëhen aksione luftarake kundër fashizmit. Enver Hoxha: “Më 10 tetor 1942 armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditnë kollonat, depot, milicët e armikut, kudo u prenë telat e telefonit. Ky ishte rezultat i kuvendit të burrave shqiptarë që vendosën të luftonin me armë deri në fitore. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit po e vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën.” Kurse në Biografi e shkurtër Enveri do të shkruante: “Vetëm Abaz Kupi nuk mori pjesë në aksionin e 10 tetorit.”

Konferenca e Pezës, në lojë agjentura fashiste!


Musa Puka, në krye të shërbimit sekret në Mbretërinë e Zogut, me përgjegjësi inspektor i epërm në Ministrinë e brendëshme fashiste, dhe i besohet mandati i delegatit në Konferencën e Pezës, por do të pushkatohej pa mundur të shkojë në konferencë. Kamber Qafmolla, për dhjetë vjet mbretëror në detyra të larta në Mbretërinë e Zogut, me ardhjen e fashizmit me gradën major i shk. I dhe kuestor në Kuesturën e Tiranës më 1941 e ca muaj pas! Nuk ka asnjë burim arkivor si e pse Kamber Qafmolla fiton besim kaq të madh të komunistëve. S’gjendet asnjë arsye që Qafmolla të jetë rekomandimi i partisë komuniste, as i Abaz Kupit (internuar në Itali nga fashistët) as i nacionalistëve të tjerë që ishin në luftë kundër fashizmit. Një dukje e qartë fare shërbimet e fshehta fashiste mund të shtien në dorë ndonjë nga krerët e partisë komuniste. E pakta, mund të bëj dy lidhje të shkurtëra, se ka dhe të tjera më të gjata.

E para, një dokument i Kabinetit të Kuesturës Mbretërore të Tiranës, me nr. 04801, dt. 15.11.1941, me firmën e kuestorit Kamber Qafmolla, liston 33 pjesëmarrës e të dyshuar në demonstratën e 28 tetorit 1941. Numri 12: Enver Hoxha i Halilit e i Durije Çuçit, lindur në Gjirokastër, vjeç 32, me banim në Tiranë rruga e Dibrës, tregëtar- për tu arrestuar ka qënë i difidue. [Faksimile 8] S’vihet në dyshim fakti se E. Hoxha ka qënë në listën e pjesëmarrësve në demonstratë veçse i dyshuar (i difidue), por habia vjen se E. Hoxha është në ndjekje nga kuestori Kamber Qafmolla, delegati në Konferencën e Pezës, në presidiumin e drejtimit të mbledhjes dhe i zgjedhur kryetar i Këshillit të Përgjitshëm, një bashkëjetesë e çuditshme e kustorit Qafmolla me E. Hoxhën që ishte në listë për tu kapur nga kuestori. Nexhmie Hoxha, por dhe falsdokumenti, që dhamë më parë si faksimile, shkruan se Kamber Qafmolla nuk ishte në konferencë dhe zgjidhej në mungesë, por më parë dhamë fakte nga dosja e gjykatës se Qafmolla ishte në Konferencë.

Dokumenti i kuesturës së Tiranës që liston E. Hoxhën për ndjekje nga fashistët ishte dhe në dorë të Nexhmie Hoxhës, por s’mund ta botonin faksimile a me referime sepse në skenë del kustori Kamber Qafmolla. Në libri Jeta ime me Enverin (1998) N. Hoxha shkruan se “Kamber Qafmolla ishte tradhëtar”, Qafmolla tre herë tradhëtar(!): tradhëtoi mbretërorët që u bë kuestor, tradhëtoi regjimin fashist, që u bashkua me komunistët, tradhëtoi dhe komunistët. Ka e një fakt tjetër: emri i E. Hoxhës nuk gjendet i listuar në dokumente të tjera më pas fashiste në ndjekje të pjesëmarrësve në demonstratë, dhe pas çlirimit aq sa dihet, Qafmolla s’pati ndonjë përndjekje nga regjimi. Pyetja pezull: kush rekomandoi Qafmollën për gjithë këto mandate të rëndësishme në Konferencën e Pezës? S’mund të mos shkojë mëndja tek një lidhje e shkurtër e Kamber Qafmollës me E. Hoxhës, dhe nëse s’ështe kjo lidhja, cila të jetë?

E dyta, thërres në ndihmë dy dokumente të dhëna me faksimile në Tema në muaj të shkuara për profesorin E. Hoxha në Liceu i Korçës. Dokumenti i parë është i Liceut të Korçës, i dt. 2.11.1939, që i drejtohej Ministrisë së Arsimit për kërkesën e profesor E. Hoxhës, i cili kërkon të paguhet për orë që nuk i ka bërë: “Kemi nderin t’i paraqitim bashkëngjitur asaj P.T. Ministrie lutjen me datë 30.10.1939 të z. Enver Hoxha, profesor në këtë Lice, i cili kërkon të paguhet që prej datës 25.9 - 1.10.1939. Veç kësaj ky zotni na paraqiti sot një listë për 116 orë të muajit tetor k.v tue kërkue që të paguhet edhe për këto orë. Siç dihet, mësimet në këtë Institut filluan në datën e sotme. Prandaj lutemi të kemi përgjigjen e asaj P.T. Ministrie, që të mund t’ja komunikojmë t’interesuarit. Zëv. Drejtori i Liceut. Serafin Ligori.” Çudia e parë është se profesor E. Hoxha kërkon të paguhet për punë të pabërë, por çudi shumë e madhe vjen kur përgjigjia për E. Hoxhën jepet nga Ministria e Punëve të Brendëshme fashiste. [Faksimile 9] Duke ditur përgjigjen negative që merr nga Liceu, profesori Enver Hoxha bën lidhje të shkurtër me persona koinfidentë në Ministria e P. Brendëshme, e nëse kjo s’qëndron, atëherë kërkohet një shpjegim tjetër, e cili të jetë ai?

Nacionalistët, “nesër janë armiqtë tanë”!


Puna më sektare e partisë komuniste bëhej me nacionalistët, e pohonte dhe vetë E. Hoxha gjatë luftës, nacionalistët cilësoheshin armiq për sot e nesër kur komunistët do vinin në pushtet. Koço Tashko informonte Kominternin: “Sikundër më tha një shok i KQ të Rinisë dhe i KQ të Partisë (shoku më aktiv, njëkohësisht më sektar, në të cilin bazohej shoku Miladin): “Nuk na duhen më këta nacionalistë se këta nesër do të jenë armiqtë tanë.” Tashko thotë se ky shok ishte Qemal Stafa. Armiqësia ndaj nacionalistëve s’është thjesht simbolikë, por është shumë domethënëse, dhe veç të tjerash shihet në denoncimin e nacionalistëve nga komunistët në policinë fashiste. Tashko vazhdonte argumentin e tij për qëndrimin ndaj nacionalistëve: “Kur raportet vinin nga shokë që Miladini [Popoviçi] nuk i kishte me sy të mirë, për shembull raportet e atyre që ishin ngarkuar me punën me nacionalistët, këta raporte mbaheshin në arkiva të ekspzuara. Si rezultat ata ranë në duart e policisë, tre nacionalistë u internuan, nacionalistë të tjerë që përmëndeshin në ato raporte u thirrë në polici.” Vërtet Tashko merr si argument Miladin Popoviçin, por kjo ishte praktikë e zakonshme nga E. Hoxha.

Delegatët e Pezës, në gjyq ushtarak!

Nacionalistët e rënë në dorë të policisë janë ata të Konferencës së Pezës që formojnë dosjen 164, e cila fillon më 27 nëntor 1942 e mbaron 5 prill 1943. Në inventarin e dosjes janë 315 fletë dhe në fakt kanë mbetur 280 faqe. Sipas dosjes gjyqësore merren në përgjegjësi penale e hetimore: Kamber Qafmolla, Aziz Çani, Neim Starova, Skendër Muço, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Ndoc Çoba, të gjithë delegatë në Konferencën e Pezës, por janë dhe disa të tjerë, si Tahsim Elezi, që ndihmoi delegatët për t’i çuar me makinën e prefekturës në Pezë, si dhe Carlo Çoba, djali i Ndoc Çobës. [Faksimile 10] Procesi i ndjekjes gjyqësore fillon me çertifikatat penale për secilin, me shumë ngarkesa e ka Myslim Peza, Ndoc Çoba, ndonjë gjë të vogël e pa rëndësi ka Neim Starova, kurse të tjerët e kanë të bardhë çertifikatën penale.

Çertifikatë penale. Myslim Peza.

“I dënuar tre herë. 1.Vendim i Gjykatës Fillore të Tiranës më 21.6.1928 i dënuar me vdekje në bazë të nenit 405 K.P për vrasje të kryer më 5.9.46 në katundin Pezë. 2. Me vendim Gjykata Kolegjiale të Elbasanit 20 maj 1931 dënuar me 21 vjet e 6 muaj burg në bazë nenit 405 për vrasje të kryer më 7 gusht 1930 në katundin Ballskej të Elbasanit; 3. Me vendim të Gjykatës Fillore të Tiranës më 29.12. 1928 me 15 vjet burg të rëndë për vrasje kryer më 13 të nëntorit 1926. Ndëshkimi kufizohet në 7 vjet.”

Çertifikatë penale. Ndoc Çoba.

“Gjykatës ushtarake. Këshilli i Epërm i Fashizmit, me prot. 26, dt. 9 kallnuer 43. Kemi nderin me sjell në dijeni të atij Gjyqi Ushtarak se zotit Ndoc Çoba i ashtë heqë me dekret cilësia e anëtarit të Këshillit Naltë të Ekonomisë Korporative qysh prej datës 2 nëntor 42 dhe ka pushue së banun pjesë në Këshilli i Epermë i Fashizmit prej kësaj date.”

“Çoba Ndoc i të ndjerit Kolë e të ndjerës Terezë. Personi në lëndë përgjegjës për aktivitet të kundërt me rendin, me sigurinë e direktivat e regjimit, e për pasojë i rrezikshëm në lëmin politik, ka qënë i internuar në Gandinea të Bergamos ku do të qëndrojë deri në një dispozitë. Drejtori Sh Borshi.”

Dosja gjyqësore është e vëllimshme, por është interesante se nuk ka asnjë hollësi për hetimet gjyqësore për secilin sepse shumë faqe i janë hequr dosjes. Në dosje ka mbetur vetëm një deklaratë e Ndoc Çobës që bënte në hetusi, edhe 67 vjet e teper shëndetlig shquan për patriotizmin e tij, ndonse justifikohet se nuk ishte në konferencë por që detyrohet ta pranojë më pas. “Ndoc Çoba: Thuhet në padinë e përmendun se unë në mbledhje kam lypë “Bashkimin kombëtar.” Unë këtë bashkim nuk e kam lypë në atë mbledhje, që unë s’kam qënë, por e kam lypë qysh prej ditës që u mëkamb pamvarësia shqiptare, porse nëpërmjet këti bashkimi populli ynë do të përparojë përherë e më tepër, e indipendenca shqiptare do të konsolidohet gjithnjë e më fort. Kur të lidhen tok gjithë shqiptarët në një bashkim vllaznor, padyshim partijnat rrenimqare do të shkrranjosen prej tokës amtare dhe parimi politik i emi, që gjithmonë e kam ndjekë e do ta ndjek deri sa të jem gjallë. Kët parim të shëndoshë do tia lë në trashëgim djalit tem që përban ngushëllimin tem më të plotin.” [Faksimile 11] Edhe pse Shqipëria ishte pranuar në mbretërinë e Italisë, Ndoc Çoba deklarohet për pavarësinë e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët tok në një bashkim vllaznor, që do të thotë hapur jo nën pushtimin e Italisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Gjyqit të Posaçëm të Shtetit (G. Milesi) më 7 prill 1943 i kërkonte mendim Kryesisë së Këshillit të Ministrave për Dosjen e Kamber Qafmollës, me nr. 856 [Faksimile 12], dhe nga Kryeministri jepej përgjigje: Tue marrë parasysh rrethanat e kohës, vendit dhe rëndësinë e fajit refuzojmë ushtrimin e padisë kundër Kamber Qafmolla.” [Nr. 25/727, 21.4.1943 XXI.

Këtu mbaron kërkimi për Konferencën e Pezës, si s’është shkruar deri më sot, me merakun se s’munda t’a shpie deri në fund me faqet e munguara në dosjen gjyqësore për nacionalistët e Pezës dhe me dosjen 856 të Kamber Qafmollës, që me gjithë kërkimin e gjatë s’munda t’a shtie në dorë, dhe me bindje se dosja 856 duhet të ketë informacion interesant nga gjyqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›